Prokurori Robert Kote i Prokurorisë së Tiranës pas seancës në KPK. Foto:Edmond Hoxha/BIRN
Analiza KPK Veting

Konfirmimi i prokurorit Robert Kote, ONM kërkoi thellim të hetimit

Prokurori i Tiranës, Robert Kote u konfirmua në detyrë më 19 dhjetor 2022, pasi shumica e trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e përbërë nga relatorja Valbona Sanxhaktari dhe anëtarja Genta Tafa(Bungo) konkluduan se ai kishte arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe figurës, si dhe nivel kualifikues për profesionalizmin. Kryesuesi Lulzim Hamitaj në pakicë doli kundër, duke çmuar se në vlerësimin tërësor të çështjes, subjekti kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia dhe duhej të ishte shkarkuar.

Për këtë çështje ka paraqitur opinion edhe përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Gerrit Sprenger, i cili konstaton nevojën e hetimit të mëtejshëm të gjetjeve me qëllim për të arritur në përfundimin e duhur.

Qëndrimet ndryshe për pasurinë

Komisioni ka konstatuar gjatë hetimit paraprak se prokurori Kote ka shitur në vitin 2014 një automjet në vlerën 4000 euro, që e kishte blerë tre vjet më parë për 1000 euro. Trupi gykues vlerësoi se nuk kishte logjikë ekonomike fakti i shitjes së këtij automjeti me një çmim më të lartë se çmimi i blerjes dhe për këtë arsye këto të ardhura nuk janë konsideruar në analizën financiare.

Mospranimi i fitimit prej shitjes së automjetit si burim për blerjen e një makine tjetër po në 2014-ën, si dhe i gjendjes cash, ka sjellë një balancë negative në shumën 521 mijë lekë, që është çmuar nga shumica e pamjaftueshme për të penalizuar subjektin.

Ndërkohë, ka rezultuar se Kote nuk ka pasqyruar në deklaratën “veting” pjesën takuese në një apartament në Gjirokastër, në bashkëpronësi me anëtarët e familjes së origjinës; si dhe shpenzimet e kryera për shkollimin dhe jetesën e vajzës në Vienë të Austrisë, të cilat nuk i ka shënuar as në deklarimet periodike vjetore.

Fillimisht ka rezultuar pamundësi financiare për mbulimin e shpenzimeve të jetesës dhe shkollimin e vajzës së subjektit në Vienë. Por, pas dorëzimit të sqarimeve e provave nga Kote lidhur me periudhën e qëndrimit, që sipas tij ka qenë gati sa gjysma e asaj të përllogaritur nga Komisioni, si dhe kërkesës se shpenzimet duhen konsideruar për student dhe jo sipas të dhënave të EUROSTAT për shtetasit evropianë, shumica është bindur duke shuar balancën negative të vitit 2016, kurse për 2015-ën ka mbetur një diferencë e vogël.

Lidhur me mosdeklarimet nga subjekti i rivlerësimit në deklaratën “veting” të këtyre shpenzimeve, Komisioni vlerëson se gjatë hetimit administrativ gjenden gjurmë të pakontestueshme, pasi dërgesat janë kryer nëpërmjet transfertave bankare, si dhe pagesa nëpërmjet “MoneyGram”. Po ashtu, shumica vëren se këto shpenzime janë pasqyruar në pyetësorin standard të Komisionit që në fillimin e hetimeve, duke mos penguar verifikimet për këtë veprimtari. Për rrjedhojë, pasaktësitë në deklarim janë konsideruar jopenalizuese.

Kote e ka bindur shumicën edhe për shpenzimet e udhëtimeve në Greqi, Austri e Londër. Ai ka shpjeguar dhe vendosur në dispozicion të Komisionit dokumentacion për të vërtetuar qëndrimin e nënës, motrës dhe vëllait në Greqi, ku pretendon se ka kaluar pushimet; se në Austri ka qëndruar tek miq të tij që jetojnë atje; ndërsa për një udhëtim në Londër ka argumentuar se shpenzimet janë mbuluar nga organizatorët.

Hamitaj shprehet se nuk është plotësisht dakord me konkluzionet e shumicës lidhur me shpenzimet, në veçanti për ato që kanë shërbyer për shkollimin e vajzës së subjektit jashtë territorit të Shqipërisë. Sipas Hamitajt, këto shpenzime duhej të ishin përllogaritur në një shifër më të lartë, sipas të dhënave të Eurostat-it, sikurse ishin rezultatet e hetimit paraprak – duke zbritur vetëm periudhat në të cilat është provur se vajza e subjektit kishte qëndruar në Shqipëri.

Pakica vlerëson se sipas kësaj analize balanca negative do të rezultonte më e madhe. Megjithëse Hamitaj konsideron se kjo pamundësi mund të mos sillte penalizim të Kotes, kjo rrethanë duhej të mbahej në vëmendje në një vlerësim të përgjithshëm, së bashku me faktin e mosdeklarimit nga subjekti të këtyre shpenzimeve dhe me problemet e tjera të konstatuara në të tre kriteret e rivlerësimit.

Nga hetimi ka rezultuar se Kote nuk ka deklaruar një kontratë paraprake për blerjen e një ambienti shërbimi të nënshkruar me një shoqëri ndërtuese në shkurt të vitit 2017, por ka deklaruar marrjen e një kredie në shumën 30 mijë euro.

Nga hetimet paraprake të KPK ka rezultuar se dukej se në momentin e nënshkrimit të kontratës, pala shitëse kishte qenë në kërkim për “shpërdorim detyre” për të cilën është deklaruar fajtor dhe është dënuar.

Hamitaj në pakicë vëren se ku shtetas rezulton të ketë pasur edhe disa probleme të tjera me drejtësinë. Po ashtu, ka rezultuar se Kote ka përdorur si kolateral për kredinë e marrë në shumën 30 mijë euro një pasuri të paluajtshme në emër të një shtetasi të tjetër, i cili gjithashtu ka qenë subjekt i hetuar.

Subjekti ka shpjeguar se nuk kishte pasur njohje me administratorin e shoqërisë ndërtuese dhe se takimi i vetëm kishte qenë në momentin e nënshkrimit të kontratës. Sipas subjektit, ai kishte pasur njohje me të atin e administratorit dhe jo me këtë të fundit.

Kontrata për blerjen e kësaj njësie shërbimi është revokuar pas rreth tre muajve. Kote ka shpjeguar se nuk ka pasur mundësi për të shlyer pjesën tjetër të çmimit që nuk mbulohej nga kredia. Sipas tij, i ka kërkuar hua kunatit, por as ky i fundit nuk ka mundur ta sigurojë shumën që i nevojitej, ndërkohë që nuk ka dashur të kërkojë hua diku tjetër. Kote ka këmbëngulur se arsyeja e revokimit ka qenë pamundësia për të paguar vlerën e plotë të pasurisë.

Shumica ka vlerësuar paraprakisht se subjekti ka kryer një sërë veprimesh që kanë pasur qëllim të vetëm përfitimin e kredisë bankare në shumën 30 mijë euro, me të cilat ai nuk ka krijuar pasuri në vijimësi.

Duke vlerësuar se kjo situatë nuk është brenda periudhës së rivlerësimit, KPK ka çmuar se ajo duhet t’i nënshtrohet kontrollit nga organet kompetente për vlerësimin e pasurisë, ashtu si dhe ka ndodhur prej kontrollit të ILDKPKI-së, që ka vendosur masë administrative ndaj subjektit lidhur me rrethanat e konstatuara.

Ndërsa Hamitaj këmbëngul se krijohet bindja se subjekti i rivlerësimit ka kryer një sërë veprimesh, të cilat duket se kanë pasur për qëllim të vetëm përfitimin e kredisë bankare në shumën 30 mijë euro dhe se Kote ka dështuar të shpjegojë bindshëm lidhur me konstatimet për këto transaksione.

Edhe ONM mban qëndrim lidhur me kredinë duke konstatuar se subjekti ka kryer një sërë veprimesh që duket se kanë pasur si qëllim të vetëm përfitimin e kredisë.

Vëzhguesit ndërkombëtarë e konsiderojnë të pabazuar në fakte pretendimin e Kotes se ai është tërhequr nga blerja e kësaj pasurie, pasi nuk ka arritur të përmbushë detyrimin financiar. Në opinionin e ONM evidentohet se prej dokumentacionit bankar, kanë rezultuar dy fletëpagesa që tregojnë se sybjekti ka paguar cash shumat 10 mijë euro dhe 5000 euro në shkurt të 2017-ës. Sipas ONM-së, këto dy shuma dhe kredia përmbushin shlyrjen e plotë të çmimit të ambjentit të porositur.

“Mund të konkludohet se subjekti ka ndërmarrë një sërë veprimesh fiktive për marrjen e kredisë bankare. Kjo sjellje duhej të analizohej nga Komisioni përsa i përket çështjes etike dhe duhej të konsiderohej në aspektin e vlerësimit të përgjithshëm të procedures,” shprehet ONM dhe sjell në vëmendje se gjithë magjistratët kanë detyrmin të jenë të kujdeshëm edhe në jetën joprofesionale, për të mos cënuar sistemin e drejtësisë.

Figura dhe profesionalizmi

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK e ka dorëzuar fillimisht raportin për Koten, pa përfshirë mendimin e njërit prej autoriteteve verifikuese, por ka konstatuar përshtatshmëri. Pasi KPK i ka kërkuar të përditësojë informacionin, DSIK ka konfirmuar përshtatshmërinë dhe i ka kërkuar Komisionit që të konkludojë bazuar në informacionet e tjera që mund të jenë gjetur gjatë hetimit administrativ.

Komisioni ka verifikuar një çështje të hetuar nga subjekti në vitin 2016, ndaj shtetasve K.T. dhe A.S. për veprën penale “mbajtje pa leje të municionit luftarak”, me qëllim transportin ose shitjen e tyre. Nga hetimi paraprak është konstatuar se duket se prokurori Kote nuk ka bërë një kualifikim të drejtë të veprës penale, e cila ka sjellë për pasojë pushimin e procedimit penal dhe shuarjen e masës së sigurisë, kthimin e automjetit dhe kalimin në favor të shtetit të municioneve luftarake të sekuestruara, për shkak edhe të ligjit për amnistinë.

Shumica ka vlerësuar se këto konstatime nuk mund të vlerësohen në kuadër të vlerësimit të figurës së subjektit të rivlerësimit, por ato mund të mbahen në konsideratë në vlerësimin tërësor të tij. Por, në konkluzionin e përgjithshëm shumica konstaton se nuk u provuan indice për kontakte të papërshtatshme dhe çmon se Kote arrin nivel të besueshëm për figurën.

Hamitaj në pakicë vëren se konfirmohet se subjekti ka kryer një cilësim të gabuar dhe lehtësues të veprës penale – duke favorizuar personat nën hetim. “…Për sa kohë ky kualifikim ka mundësuar përfitimin e amnistisë dhe, rrjedhimisht, pushimin e çështjes”, shpehet Hamitaj dhe çmon se megjithëse këto gjetje nuk mund të sjellin penalizim, kontribuojnë në cenimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë dhe se duhet të mbahet në vëmendje në vlerësimin e përgjithshëm të çështjes.

ONM nënvizon se vendimi i pushimit të kësaj çështje është administruar në bazë të informacionit të agjencive ligjzbatuese. Sipas ONM, do të kishte qenë e nevojshme të administrohej i gjithë fashikulli i çështjes në mënyrë që të shteroheshin të gjitha dyshimet e mundshme

Gjatë hetimit të kryer për pasurinë ka rezultuar se për kredinë 30 mijë euro të marrë në vitin 2017 është vendosur si koletaral një njësi shërbimi në pronësi të shtetasve Y. G. dhe D. G.. KPK nuk ka gjetur raste që Y.G. të jetë hetuar nga subjekti. Ndërkohë, ka rezultuar se Y.G. është arrestuar në vitin 2018 për akuzën “prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, si dhe përshtatjen e ambienteve për përdorim lëndësh narkotike. Në përfundim të hetimit, në tetor të vitit 2019 Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar gjykatës respektive pushimin e hetimeve.

Po ashtu, ka rezuluar se ndaj këtij shtetasi është regjistruar dhe një procedim në vitin 2017 për “prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe në 2022-in është kallëzuar për “ndërtim pa leje”, por është vendosur mosfillimi i hetimit.

Subjekti i rivlerësimit ka shpjeguar se lidhja me shtetasin Y. G. është miqësore dhe ka njohje prej 25 vitesh. Kote e konfirmoi miqësinë me Y.G. edhe gjatë seancës dëgjimore më 15 dhjetor 2022, kur deklaroi se ndaj mikut të tij nuk kishte procedime penale pasi nuk ishte i përfshirë në paligjshmëri. Ai pohoi atëherë se ky shtetas është një ndër personat më të pasur në Tiranë dhe se është përdorues kokaine.

Komisioni çmon se deri në momentin kur shtetasi Y.G. ka vendosur pasurinë e tij si kolateral për kredinë e subjektit, nuk ka qenë i akuzuar për ndonjë nga veprat penale të parashikuara nga ligji i posaçëm, për t’u konsideruar si kontakt i papërshtatshëm. “Po ashtu, nga hetimi rezultoi se subjekti i rivlerësimit nuk ka qenë me cilësinë e prokurorit të çështjes në asnjë nga veprat penale të mëvonshme, për të cilat ai është akuzuar”, konstaton KPK dhe çmon se Kote ka qenë i hapur, i besueshëm dhe i plotë në shpjegimet e tij për këtë shtetas.

Po ashtu, Komisioni vëren se ky kontakt ka lindur pas plotësimit të deklaratës “veting” dhe se nuk mund të konsiderohet si kontakt i papërshtatshëm. Për rrjedhojë, Komisioni vlerëson se marrdhënia e subjektit me shtetasin Y.G. nuk mund të vlerësohet në drejtim të cënimit të besimit të publikut dhe as nuk mund të përkufizohet si shkelje e rëndë etike.

Ndërsa ONM vlerëson se duhet të kishte pasur hetime të mëtejshme për këtë rast. Konkretisht, të hetohej nëse miku i subjektit ishte ose jo përdorues droge; nëse kishte qenë i pranishëm në ambientet e lokalit kur u bë kontrolli i policisë kur u gjet sasia e lëndës narkotike; nëse lokali ku u gjet droga ishte ai i vendosur si kolateral për kredinë e subjektit; nëse kjo njësi shërbimi ka vazhduar të mbetet e bllokuar si kolateral në favor të subjektit përgjatë kohës kur Y.G. ka qenë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës; si dhe të verifikohet qëndrimi Ii Kotes për shmangur perceptimin se të tjerët po përfitojnë prej tij.

Shumica vlerëson se Kote ka arritur nivel kualifikues në aspektin profesional. Sipas Sanxhaktarit dhe Tafës, nuk janë gjetur shkaqe që mund të merren në konsideratë në vlerësimin profesional të subjektit.

Hamitaj në pakicë pranon se nuk janë konstatuar probleme të mjaftueshme në këtë kriter që të mund të çonin në penalizimin e subjektit, por ai konsideron të nevojshëm veçimin e disa fakteve që duhen çmuar në vlerësimin e përgjithshëm, në raport me cënimin e besimit të publikut.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *