Seacë dëgjimore në KPA - foto arkive | BIRN/Nensi Bogdani
KPA Lajme Veting

KPA lë në fuqi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Sami Ujakshi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të martën më 30 korrik lënien në fuqi të vendimmarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Kukësit Sami Ujkashi. Vendimi është marrë në mënyrë unanime të hënën, nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Mimoza Tasin dhe anëtare Ina Rama, Natasha Mulaj e Rezarta Schuetz, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të kryer prej Ujkashit.

Sami Ujkashi u shkarkua nga detyra më 28 Korrik, pasi KPK konkludoi probleme në kriterin e pasurisë dhe se në vlerësimin tërësor subjekti kishte cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

Sami Ujkashi e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë si avokat, ndërsa në vitin 2010 u emërua gjyqtar në Gjykatën e Tropojës. Ai u pezullua në vitin 2011 për t’u rikthyer në punë në 2014-ën. Në vijim ai e ushtroi funksionin në gjykatën e juridiksionit të përgjithshëm të Kukësit.

Prej dhjetorit 2022, Ujkashi u përball me një procedim disiplinor të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, i cili kërkoi pezullimin e tij nga detyra. Hetimi disiplinor filloi për shkelje të legjislacionit material dhe cenim të imazhit të magjistratit përmes një vendimi për ulje dënimi dhe lirim në kundërshtim me ligjin të një personi të dënuar me 15 vjet burg – probleme që u konstatuan dhe prej Komisionit. Më 21 qershor 2023, KLGJ shtyu për të tetën herë seancën dëgjimore për Ujkashin, pasi ky i fundit e justifikoi mungesën e tij me pretendimin se kishte aplikuar pranë KMCAP-it Shkodër për të përfituar pension invaliditeti. Procedura u shty atëherë me një muaj, por ndërkohë subjekti u shkarkua nga KPK.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *