Prokurori Bledar Maksuti pas shpalljes së vendimit nga KPK. Foto: LSA
Analiza KPA Veting

KPA u nda në vlerësimin e prokurorit Bledar Maksuti

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA e përmbysi vendimmarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e prokurorit të Tiranës, Bledar Maksuti lidhur gjetjet në kriterin e pasurisë, duke e rikthyer atë në detyrë me votat e tre prej pesë anëtarëve të trupit gjykues.

Shumica e përbërë nga kryesuesja Albana Shtylla, me relatore Ina Ramën dhe anëtar Sokol Çomon çmuan se bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, subjekti nuk mund të penalizohej për një bilanc negativ të familjes së tij të origjinës ku ai vijon të jetë pjesë, në blerjen e një apartamenti para fillimit të detyrës. Po ashtu, u vlerësuan pa peshë në vlerësimin e kriterit të pasurisë një pamundësi financiare në shumën 463 mijë lekë për blerjen e një automjeti dhe për 200 mijë lekë të përdorur për një llogari bankare të bashkëshortes.

Pakica e përbërë nga anëtaret Rezarta Schuetz dhe Natasha Mulaj votuan për lënien në fuqi të vendimit të KPK, duke vlerësuar se subjekti nuk është i besueshëm në kontrollin e pasurisë.

Prokurori dhe pedagogu Bledar Maksuti u shkarkua nga detyra më 16 prill 2021, ndonëse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njohu më parë rrethanat paradoksale të procesit të tij të vetingut.

Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, Maksuti u ndëshkua për deklarim të pasaktë, të paplotë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë, kursimeve dhe të ardhurave të krijuara kryesisht prej babait të tij të ndjerë, i cili kishte punuar si avokat dhe noter pas viteve ’90.

Trupi gjykues i Komisionit, i kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtar Lulzim Hamitaj votuan unanimisht për shkarkimin e Maksutit, ndërkohë që në një mendim paralel, Zhegu arsyetoi se subjekti nuk duhej penalizuar për një apartament të blerë përpara se ai të fillonte detyrën si prokuror.

Prokurori Bledar Maksuti u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe u kualifikua si i aftë në kriterin e aftësive profesionale. Ai e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore dhe u emërua si prokuror në vitin 2008.

Në ankim Maksuti ngriti pretendime me anë të të cilave kundërshtoi analizën dhe konkluzionet e vendimit të Komisionit që kanë të bëjnë me kriterin e vlerësimit të pasurisë së tij dhe të personave të lidhur e atyre të tjerë të lidhur.

Ai e konsideroi të gabuar vlerësimin e Komisionit lidhur me identifikimin e pasurive që janë objekt kontrolli në funksion të procesit të tij të rivlerësimit, duke pretenduar se pasuritë në pronësi të babait dhe nënës së tij nuk mund të jenë objekt kontrolli për sa kohë ai me prindërit nuk është i lidhur me interesa pasurorë, si dhe se për këto pasuri nuk provohet se ai ka të drejta reale dhe interes pasuror.

Kolegji shprehet se fillimisht mori në analizë këtë pretendim të Maksutit, që e ka rrëzuar si të pabazuar. Sipas KPA, vetë subjekti e ka plotësuar deklaratën “veting” edhe nga personat e lidhur, ku veç bashkëshortes, edhe babai e nëna kanë deklaruar gjithë pasuritë e tyre dhe burimin e krijimit. Trupi gjykues vëren se edhe vetë subjekti e ka kuptuar dispozitën ligjore në mënyrë të tillë, duke përfshirë edhe prindërit si persona të lidhur.

Megjithatë, nga analiza financiare e kryer nga shumica e trupit gjykues, është rrudhur bilanci negativ i konkluduar nga KPK.

Vlerësimi shumicës

Kolegji evidenton rrethanat e konstatuara, të cilat konsiderohen se e vendosin subjektin e rivlerësimit dhe personin e lidhur në kushtet e mungesës së burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive të cilat duhet të shqyrtohen në këtë rast në mënyrë të veçantë, në zbatim të parimeve të objektivitetit e proporcionalitetit.

Në vendim sqarohet, se situatat për të cilat subjekti do të ngarkohej me përgjegjësi në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar në përfundim të shqyrtimit të të gjitha shkaqeve të ankimit, janë ato që lidhen me mungesën e burimeve të ligjshme për krijimin nga babai i shtëpisë së ndodhur në Tiranë, pasuri e blerë në vitet 2004 dhe 2005.

Sipas analizës financiare të kryer në Kolegj, për apartamentin është konstatuar bilanc negative në vlerën prej rreth 2.3 milionë lekësh. Po ashtu, janë konstatuar balanca negative në blerjen e një automjeti dhe për një llogari bankare, ku pamundësitë kanë qenë në vitet 2009 dhe 2017, në shumën totale 663 mijë lekë.

Në vijim KPA konstaton se apartamenti në pronësi të babait të ndjerë të subjektit, pasuri për të cilën konstatohet bilanci negativ në masën rreth 2.3 milionë lekë, është krijuar në vitet 2004-2005, ndërkohë që Maksuti ka filluar të ushtrojë funksionet e prokurorit në gusht të vitit 2008.

Sipas shumicës, ky fakt përjashton tej çdo dyshimi se prokurori Maksuti ka pasur mundësi të ndikojë nëpërmjet abuzimit me detyrën e tij në krijimin e kësaj pasurie. Në vijim argumentohet se kjo pasuri është banesa ku ka jetuar e gjithë familja, kryefamiljar i së cilës është babai i subjektit, pas zhvendosjes nga Peshkopia në Tiranë, fakt që konsiderohet se dëshmon për kontributin real të të atit për të siguruar banimin në qytetin ku kishin vendosur të jetonin së bashku.

“Kjo rrethanë përligj përdorimin e çdo burimi financiar për financimin e saj, si një obligim familjar të kryefamiljarit, veçanërisht brenda kontekstit të realitetit shqiptar. Këto përpjekje e veprime të kryera nga personi i lidhur, kur subjekti i rivlerësimit nuk kishte funksionet e magjistratit, nuk mund të përcaktojnë në një shkallë domethënëse karrierën e tij të mëpasshme”, vlerëson shumica.

Kolegji ashtu si Komisioni, ndonëse ka pranuar se të ardhurat e provuara prej subjektit se janë përfituar prej babait të tij, mund të kenë qenë më ulëta se ato të krijuara realisht, sërish kanë përdorur në analizën financiare të kryer për verifikimin e burimeve të krijimit të kësaj pasurie vetëm atë pjesë për të cilat gjendet bazueshmëri në dokumentacionin ligjor të kohës. Sipas shumicës, tarifat e përfaqësimit në gjykatë në vlerën prej 500 lekësh, mbeten në vëmendjen e Kolegjit si shifra që vështirë t’i përgjigjen realitetit, pasi vlerësohet se ushtrimi avokatisë edhe në fillesat e tij ka pasur tarifa më të larta shërbimi.

Pjesë e këtij vlerësimi konsiderohen edhe të ardhurat e krijuara prej vetë subjektit prej entiteteve të huaja, si Misioni i Monitorimit të Komunitetit Evropian dhe Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit, për të cilat ai nuk provon pagimin e detyrimeve tatimore. Shumica vlerëson se kjo situatë dëshmon për ekzistencën me shumë mundësi të të ardhurave të tjera nga burime të ligjshme, por të pamundura për t’u provuar, që duhet të ketë afektuar situatën financiare të familjes në kohën e krijimit të kësaj pasurie.

Kolegji konstaton se tjetër burim i përdorur për financimin e kësaj banese janë edhe të ardhurat nga shitja e dy pasurive të paluajtshme të tjera në pronësi të babait të subjektit dhe atij vetë, pasuri të krijuara gjithashtu para marrjes së detyrës e të konfirmuara se janë krijuar me burime të ligjshme.

Të dyja këto pasuri, një apartament në Peshkopi dhe një në Tiranë, janë shitur dhe paratë e fituara janë përdorur për financimin e apartamentit aktual të blerë në vitet 2004-2005.

Sipas shumicës, të gjitha këto rrethana dobësojnë peshën specifike të balancës negative prej 2.3 milionë lekësh për blerjen e këtij apartamenti, për të cilin konstatohet se është e vetmja pasuri e paluajtshme e disponuar jo vetëm nga prokurori Maksuti, por nga gjithë familja e tij e origjinës dhe ajo e krijuar pas martesës.

“Kjo pasuri e krijuar para se subjekti të merrte detyrën e prokurorit, e pajisur edhe me një mobilim modest sipas pamjeve të fotografive të administruara në fashikull, që ka shërbyer për strehimin e gjithë familjes dhe është krijuar jashtë ndikimit të subjektit si prokuror, pavarësisht faktit se rezulton të mos jetë krejtësisht e mbuluar me të ardhura të ligjshme”, arsyeton shumica.

Ndërsa dy bilancet e tjera negative, ajo në shumën 463 mijë lekë për blerjen e një automjeti dhe 200 mijë lekë për llogarinë e bashkëshortes, shumica i konsideron pa peshë në vlerësimin e kriterit të pasurisë.

Në përfundim, tre anëtarët në shumicë kanë çmuar se këto balanca negative, në zbatim të parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit, nuk justifikojnë vendosjen e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra.

Qëndrimi i pakicës

Dy anëtaret në pakicë, gjyqtaret Rezarta Schuetz dhe Natasha Mulaj kanë votuar për lënien në fuqi të shkarkimit, duke çmuar se subjekti nuk është i besueshëm në kontrollin e pasurisë. Sipas tyre, Komisioni ka konstatuar se subjekti dhe personat e lidhur gjenden në kushtet e mungesës së burimeve të ligjshme për të përballuar shpenzimet dhe krijimin e pasurive në një vlerë mbi 9 milionë lekë, për periudhën kohore nga viti 2008 kur Maksuti është emëruar prokuror, deri në vitin 2016. Pakica sjell në vëmendje edhe faktin se subjekti ka qenë deklarues në vitin 2004, në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore.

“Në vlerësimin tonë, subjekti gjendet në kushtet e mungesës së burimeve të ligjshme, në sasi të konsiderueshme, që nuk legjitimojnë zbatimin e parimit të proporcionalitetit edhe nëse merren në konsideratë vetëm pasuritë që janë formalisht në emër të subjektit të rivlerësimit”, shprehen Schuetz dhe Mulaj.

Sipas tyre, Maksuti nuk është bindës në asnjë prej pretendimeve të tij dhe përpiqet ta parashtrojë situatën në një dritë të favorshme, në funksion dhe sipas situatës së tij financiare në procesin e rivlerësimit. Pakica thekson se çdo pasuri e gëzuar prej subjektit paraqitet me probleme thelbësore.

“Në rrethanat kur subjekti i rivlerësimit parashtron një dinamikë raportesh në të cilat një magjistrat, i dy punësuar, i atribuon bujarisë e gatishmërisë së prindërve për të prodhuar dhe kontribuuar mbulimin e çdo nevoje financiare të subjektit e familjes së tij prej pesë anëtarësh, dy prej të cilëve të punësuar, argumentet e subjektit i konsideruam të pasinqerta”, shprehen dy gjyqtaret në pakicë dhe arrijnë në përfundimin se shkarkimi i Maksutit duhej të ishte lënë në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *