Prokurorja Flora Çela pas vendimit të KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK Veting

Mangësitë në aftësinë për hetuar sollën pezullimin njëvjeçar të prokurores Flora Çela

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 17 tetor 2023 të pezullojë nga detyra për një vit prokuroren e Vlorës, Flora Çela dhe e riktheu atë për një trajnim në Shkollën e Magjistraturës. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Etleda Çiftjen.

Në arsyetimin e vendimit të ndërmjetëm paraqiten konkluzionet e Komisionit vetëm për aspektin profesional për të cilin është marrë edhe vendimi i pezullimit, ndërsa për dy kriteret e tjerë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, sqarohet se trupa do të shprehet në vendimin përfundimtar, pasi subjkti të ketë përfunduar programin e edukimit njëvjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës dhe të jetë testuar për aftësitë e saj.

Flora Çela përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe punon prej asaj kohe si prokuore në Prokurorinë e Vlorës.

Gjatë seancës dëgjimore më 12 tetor, Çela mohoi të kishte blerë një apartament me çmim preferencial, ashtu si konstatoi KPK, si dhe dha shpjegime për pyetjet e ngritur mbi figurën dhe profesionalizmin.

Në vendimin e ndërmjetëm thuhet se pasi KPK analizoi raportin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë; të dhënat e administruara nga Prokuroria e Përgjithshme; denoncimet nga publiku dhe informacionet e aksesuara në media; dosjet penale të administruara për trajtimin e denoncimeve dhe ankesave; si dhe shpjegimet e vetë subjektit arrin në përfundimin se ajo nuk arriti të kundërshtojë të kundërtën e barrës së provës për çështjet e verifikuara që kishin të bënin me kërkesë për gjykim, vendime mosfillimi e pushimi.

Në nëntë dosjet e verifikuara, Komisioni ka konkluduar se prokurorja Flora Çela ka mangësi në aftësinë për të hetuar, duke mos ndërmarrë logjikisht hetimin sipas kërkesave ligjore, duke mos mbledhur provat e kërkuara me ligj, si dhe duke mos interpretuar ligjin.

“Kjo mangësi në rastet e analizuara në vlerësimin e trupit gjykues është e lidhur kryesisht me: (i) moskryerjen e hetimeve nga subjekti në drejtim të verifikimit të çdo dyshimi të lindur gjatë procesit hetimor, pavarësisht rezultatit përfundimtar; (ii) vlerësimin nga subjekti të rrethanave në drejtim të kualifikimit të një vepre tjetër penale, kur nga faktet rezultojnë të dhëna të tilla. Në këtë drejtim, trupi gjykues, pavarësisht bindjes së subjektit, ndalimit të Komisionit për të çmuar korrektësinë e themelit, vlerëson se mangësitë janë të tilla që mund të plotësohen duke ndjekur programin e trajnimit pranë Shkollës së Magjistraturës”, vlerëson KPK.

Po ashtu, evidentohen mangësi të subjektit edhe në aspektin e administrimit të akteve, mbikëqyrjen e plotësisë së tyre dhe respektimit të afateve; si dhe shfaqe të mangësive në drejtim të prezencës së saj në ndjekjen e procedurave gjyqësore brenda kritereve dhe afateve të nevojshme për kryerjen e një procesi të rregullt gjyqësor.

Bazuar në këto gjetje, Komisioni arriti në përfundimin se Çela mund t’i plotësojë mangësitë e konstatuara nëpërmjet programit të trajnimit pranë Shkollës së Magjistraturës, duke vendosur pezullimin e saj për një vit nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *