Salla e seancave dëgjimore të KPK në Pallati e Kongreseve. Foto:BIRN
KPK Lajme Veting

Gjyqtarja Afërdita Maho u dorëhoq nga detyra pasi u njoh me rezultatet e vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 15 nëntor të ndërpresë procesin e rivlerësimit kalimtar për gjyqtaren e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Afërdita Maho për shkak të dorëheqjes nga detyra. Po ashtu, Mahos i është ndaluar emërimi në funksione në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Në vendimin e arsyetuar të Komisionit, sqarohet se Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI nuk ka gjetur probleme. Po ashtu, Maho ka marrë vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës nga Autoriteri Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar. Ndërkohë, në vendim thuhet se Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ ka dërguar në KPK një raport të hollësishëm, por nuk jepen detaje për konstatimet e këtij institucioni ndihmës në procesin e vetingut të magjistratëve.

Në dhjetor të vitit 2020, Komisioni ka filluar hetimin administrativ, që është përfunduar më 12 shtator të vitit 2023. Po atë ditë i janë njoftuar subjektit rezultatet e hetimit kryesisht dhe i është kërkuar të paraqesë sqarime deri më 26 nëntor 2023. Maho ka kërkuar kohë shtesë për dërgimin e parashtrimeve dhe KPK e ka shtyrë me disa ditë afatin. Më datën 3 tetor, kur ajo duhej të paraqiste parashtrimet, ka njoftuar Komisionin se po atë ditë ka dorëzuar në Këshillin e Lartë Gjyqësor kërkesën me shkrim për dorëheqjen nga funksioni i magjistratit.

Më datë 1 nëntor, KLGJ ka njoftuar Komisioni se më datë 26 tetor kishte vendosur deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për gjyqtaren Afërdita Maho, për shkak të dorëheqjes së saj.

Kur Komisioni e ka ftuar për në marrë pjesë në seancë dëgjimore, Maho ka kërkuar që të vijohet me procedurën pa patur një seancë dëgjimore.

Pasi Komisioni ka konfirmuar se subjekti nuk ka ushtruar ankim ndaj vendimit të KLGJ-së për përfundimin e statusit të saj të magjistratit, bazuar në nenin G të Aneksit të Kushtetuës është vendosur ndërprerja e vetingut ndaj saj. Bazuar në këtë përcaktim të Aneksit të Kushtetutës është vendosur dhe sanksioni që i ndalon gjyqtares Afërdita Maho të emërohet si gjyqtare ose prokurore i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15- vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *