Foto arkive - seancë gjyqësore në KPA.
KPA Lajme

KPA rrëzon ankimin e prokurores së shkarkuar, Belina Zeneli

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të premten vendimin për mospranimin e ankimit të prokurores së Dibrës, Belina Zeneli, e shkarkuar nga detyra prej Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP më 31 janar 2022 për “mospërmbushje të pajustifikuar dhe të përsëritur të funksioneve gjatë hetimit…”.

Vendimi është marrë në mënyrë unanime nga trupa e Kolegjit, me kryetar Sokol Çomo dhe anëtarë Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj e Rezarta Schuetz. Në njoftim sqarohet se vendimi për mospranimin e ankimit të Zenelit është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Afro dy vjet më parë, KLP pranoi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e prokurores së Dibrës, Belina Zeneli, e cila u gjet përgjegjëse për “mospërmbushje të pajustifikuar dhe të përsëritur të funksioneve gjatë hetimit, duke sjellë zvarritje të pajustifikuara të akteve procedurale, të cilat janë të detyrueshme për zbatim nga ana e magjistratëve”.

Hetimi ndaj magjistrates nisi pas ankesës së depozituar në ILD nga Prokurori i Përgjithshëm. Gjatë seancës dëgjimore me palët Zeneli i kundërshtoi gjetjet e ILD-së dhe cilësoi masën e kërkuar të ashpër. Ajo pretendoi se kishte pasur ngarkesë të lartë në punë dhe këmbënguli se dosjet në fjalë kishin marrë zgjidhje prej saj.

Por ILD këmbënguli se veprimet e magjistrates kishin sjellë “pasoja në dhënien e drejtësisë dhe kanë cënuar imazhin e organit të akuzës, duke ulur besimin e publikut tek drejtësia”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *