Trupa e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit gjatë një procesi. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.
KPA Lajme Veting

KPA vendos të shqyrtojë një prej denoncimeve të reja ndaj prokurorit Julian Çafka

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të premten më 2 shkurt të kalojë për shqyrtim një nga tre denoncimet e depozituara kundër prokurorit të Gjirokastrës, Julian Çafka nga shtetasi A.LL. më 22 janar, pak ditë para seancës së mëparshme. Në fillim të seancës publike në Kolegj, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa u shpreh se përmbajtja e dy prej tre denoncimeve kanë qenë pjesë e një denoncimi të kryer në nëntor të vitit 2021 ndaj subjektit, të cilat janë shqyrtuar dhe nuk janë bërë pjesë e ankimit. Për denoncimin e tretë të depozituar në Kolegj në muajin janar, në të cilin pretendohet se Çafka ka favorizuar krimin dhe nuk e ka ndëshkuar, megjithëse dëmtohet financiarisht shteti, Ballhysa vëren se kjo çështje është shqyrtuar nga Komisioni dhe është referuar për inspektim pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ai shtoi, se për këtë çështje është shprehur në ankim duke kërkuar që të merret në vlerësim përmbledhës, në funksion dhe të gjetjeve të tjera të mundshme, të dala nga shqyrtimi i çështjeve. 

Prokurori Çafka deklaroi se dy prej çështjeve të denoncuara nuk janë hetuar prej tij. Lidhur me pretendimin e ngritur për mosfillimin e hetimeve për çështjen e tretë dhe se kjo vendimmarrje ishte rrëzuar nga gjykata, ai tha se kishte sjellë si provë kërkesën për gjykim për të pandehurit. Subjekti pohoi se në fashikuj mund të kishte pasaktësi, por se ato kishin ndodhur si pasojë e kushteve ekstreme në të cilat punonin, pasi prokuroria e Gjirokastrës kishte mbetur vetëm më një prokuror dhe ngarkesa ishte mjaft e madhe. 

Çafka e cilësoi denoncimin jolegjitim, me pretendimin se ishte kryer për arsye personale. Megjithatë, ai u shpreh i hapur për hetim. 

Pasi u tërhoq, trupi gjykues i Kolegjit vendosi të mos vijojë shqyrtimin e dy denoncimeve me argumentin se ato nuk plotësojnë kushtet. Në funksion të denoncimit të tretë u vendos të kërkohet administrimi i shortit për caktimin e kësaj çështjeje, si dhe aktet e vendimmarrjes së mosfillimit. 

Po ashtu, u bë me dije se i njëjti denoncues, shtetasi A.LL., kishte depozituar një tjetër denoncim që rezultonte të ishte dërguar dhe më parë, nga për rrjedhojë u vendos të mos administrohen aktet. Seanca e radhës u shty për më datë 23 shkurt, në orën 10:00. 

Prokurori Julian Çafka u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 14 shtator 2021 pasi disa çështje të denoncuara nga publiku, ku janë konstatuar mangësi në hetimet e kryera, si dhe dyshimet e ngritura nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, nuk u gjetën penalizuese. Ndërkohë, KPK vendosi të transferojë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dy çështje të hetuara prej prokurorit Çafka në vitet 2018 dhe 2019 , për inspektim të shkaqeve që mund të përbëjnë shkelje disiplinore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *