Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK mbyll pa vendim vettingun e Marsida Xhaferllarit

Shumica e trupës gjykuese arsyetoi se Marsida Xhaferllari, e cila mban postin e Kryeinspektores pranë Inspektoriatit të ish-KLD, kishte humbur statusin e magjistratit dhe se për këtë KPK nuk mund të vendoste konfirmimin ose jo të saj. 

Marsida Xhaferllari pas seancës dëgjimore në KPK. Foto:BIRN

Pasi hetoi në të tre kriteret dhe mbajti një seancë të gjatë dëgjimore me Marsida Xhaferllarin, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të hënën se nuk mund të merrte një vendim në rastin e saj.

“Trupa gjykuese me shumicë votash vendosi të deklarojë të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit Marsida Xhaferllari, pa një vendim përfundimtar për çështjen, për shkak se objekti për të cilin ka nisur procedura është bërë e pamundur”, tha kryesuesja Firdes Shuli gjatë seancës së njoftimit të vendimit.

Sipas vendimit të shpallur të KPK Xhaferllari kishte humbur statusin e magjistratit dhe për rrjedhojë nuk mund të vendosej për të njësoj si për subjektet e tjera.

Xhaferllari la të kuptohej se do e kundërshtonte këtë vendim. “Unë pretendoj që i kam dhënë të gjitha argumentet për konfirmimin në detyrë”, tha ajo. Ndërkohë që shtoi se nuk do të diskutonte arsyet e vendimit jashtë sallës ku u bë shqyrtimi.

Dosja ndaj Xhaferllarit u shqyrtuar nga një treshe e kryesuar prej Firdes Shulit, me anëtare Xhensila Pine dhe relator Roland Ilia. Kandidate për të marrë postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, por edhe për një nga vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, Xhaferllari u gjet sipas relacionit pa probleme në kriterin e pasurisë dhe atë të pastërtisë së figurës.

Megjithatë, relatori i çështjes vuri në dukje se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) kishte ngritur disa çështje sa i përket kriterit të profesionalizmit, përfshi edhe dyshimet nëse Xhaferllari kishte apo jo statusin e magjistratit.

Xhaferllari e ka filluar karrierën si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, ku ka shërbyer nga viti 1999 deri në vitin 2007. Në periudhën dhjetor 2007 deri në shtator 2008, ajo ka punuar si këshilltare e Ministrit të Drejtësisë dhe nga shtatori 2008 e deri në janar 2013, si drejtore në Drejtorinë e Kodifikimit si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Çështjeve të Drejtësisë në Ministrinë e Drejtësisë. Në vitin 2013, Xhaferllari u emëruar Kryeinspektore në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, një post që ajo e ka mbajtur deri zëvendësimin e KLD-së me Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Vendimi për të mos marrë vendim është i pari i kësaj natyre nga KPK. Në arsyetimin e shkurtuar të lexuar në sallë shumica njoftoi se kishte arritur në përfundimin se “subjekti ka humbur statusin e gjyqtarit”.

Sipas KPK Xhaferllari duhej t’i ishte nënshtruar testimit pranë Shkollës së Magjistraturës gjë që siç doli nga hetimi administrativ nuk ishte berë. Shumica u shpreh se për subjektet pa status magjistrati ky testim ishte i detyrueshëm të merrej në konsideratë nga Komisioni. “Trupa gjendet në pamundësi të realizojë rivlerësimin kalimtar të subjektit Marsida Xhaferllari”, u shpreh kryesuesja.

Gjatë seancës dëgjimore një pjesë e mirë e saj u fokusua në argumentet e KPK dhe Xhaferllarit mbi çështjen e statusit. KPK dhe ONM shprehën dyshime nëse ajo ishte ende gjykatëse. Megjithatë Xhaferllari këmbënguli se gëzonte statusin e magjistrates, duke qenë se ligji i aplikuar kur ajo kishte lënë punën si gjykatëse për një vend në Ministrinë e Drejtësisë, nuk kishte parashikime për humbjen e këtij statusi.

Pyetjes së vëzhguesit ndërkombëtar dhe shqetësimit të tij për shkëputjen për një kohë të gjatë nga sistemi i drejtësisë, Xhaferllari iu përgjigj duke thënë se nuk ishte shkëputur asnjëherë dhe se puna që kishte bërë kishte qenë gjithmonë e lidhur me drejtësinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *