Gentian Habazaj | Foto: Edmond Hoxhaj
KP Lajme

Komisioneri Publik ankimon konfirmimin e prokurorit Gentian Habazaj

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi të mërkurën më 13 mars vendimin e konfirmimit në detyrë të prokurorit të Beratit, Gentian Habazaj dhe kërkon shkarkimin e tij me argumentin se nuk arrin nivel të besueshëm. Në ankim renditen shkaqet e ngritura ndaj konkluzioneve të Komisionit në kriterin e pasurisë dhe atë profesional.

Prokurori Gentian Habazaj u konfirmua në detyrë më 31 janar, pasi Komisioni u bind nga shpjegimet e tij kundër barrës së provës për pamundësinë e prindërve për t’i dhuruar një vlerë 5 milionë lekë në vitin 2003, para fillimit të detyrës, si dhe për blerjen e një apartamenti në Tiranë, të përdorur nga subjekti.

Por Komisioneri Publik, çmon se vendimi i Komisionit është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u paraqitur për shqyrtim në Kolegj. Ballhysa shprehet se ka ngritur në ankim shkaqe për rrethana dhe fakte ligjore, për të cilat vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë të kundërtën dhe të japë shpjegime bindëse, lidhur me rezultatet e hetimit administrativ mbi kontrollin e kriterit të pasurisë dhe vlerësimit të aftësive profesionale.

Habazaj e ka filluar karrierën e tij në prokurorinë e Durrësit në vitin 2009 dhe që nga viti 2010 e ushtron detyrën në prokurorinë e Beratit. Aktualisht është i komanduar si këshilltar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në analizën e burimeve të një depozite bankare në vlerën 4.8 milionë lekë dhe cash në shumën 700 mijë lekë, Ballhysa vëren se fillimisht KPK ka konstatuar pamundësi të prindërve të subjektit në shumën 2.6 milionë lekë për të krijuar të ardhurat që kanë shërbyer për depozitën e çelur nga subjekti para marrjes së detyrës.

Habazaj ka kundërshtuar analizën financiare të kryer nga Komisioni për periudhën deri shtator 2009 dhe ka kërkuar rishikimin e të ardhurave nga punësimi dhe pensionet e prindërve; rishikimin e të ardhurave të të atit nga aktiviteti si avokat dhe të marzhit të fitimit, duke pretenduar në masën 90% për periudhën 1998-2009, si dhe rishikimin e të ardhurave nga interesat bankare për periudhën e analizuar, duke theksuar se rezultonte me tepricë pozitive në shumën 2.5 milionë lekë.

KPK pasi ka analizuar pretendimet e subjektit dhe aktet e depozituara me prapësimet e tij, ka rishikuar analizën financiare për periudhën e analizuar dhe ka vlerësuar në përfundim se prindërit e subjektit kishin mundësi për krijimin e depozitës në vitin 2003 në vlerën prej 5.4 milionë lekësh.

Komisioneri Publik ndan vlerësim të ndryshëm lidhur me analizën financiare të kryer në KPK dhe sjell në vëmendje se Komisioni i ka llogaritur shpenzimet e jetesës në një vit jo në përputhje me standardin e përdorur në jurisprudencën e deritanishme të Kolegjit.

Sipas Ballhysës, edhe në konsideratë të llogaritjes së marzhit të fitimit sipas pretendimeve të subjektit në masën 90% të fashës minimale të qarkullimit të konfirmuar, nga analiza financiare e periudhës 1994-2009, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë burimet e ligjshme të krijimit të depozitës bankare, si dhe kursimeve në cash, të shënuara në deklaratën “veting”.

“Kolegji ka një jurisprudencë të konsoliduar dhe ka arritur në konkluzionin se, nëpërmjet procedurës së kontrollit të pasurive, synohet identifikimi i atyre subjekteve të rivlerësimit, të cilët janë bërë përfitues apo përdorues të pasurive në mënyrë të paligjshme apo me të ardhura, ligjshmëria e të cilave, referuar standardit të përcaktuar në nenin D, pika 3 e aneksit të Kushtetutës, vihet në dyshim, pavarësisht nëse ky fakt nuk lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me ushtrimin e detyrës së subjektit, apo rezulton të ketë ndodhur jashtë periudhës kohore të ushtrimit të saj”, citohet në ankim.

Sipas Ballhysës, subjekti nuk arriti të provojë bindshëm burimet e ligjshme të një apartamenti në Tiranë që e ka në përdorim, të blerë nga prindërit në Tiranë në vitin 2014 kundejt vlerës rreth 72 mijë euro, si dhe mbulimin e  e investimeve të tjera të periudhës. Për rrjedhojë, Komisioneri Publik çmon se Habazaj nuk arrin nivel të besueshëm.

Në aspektin profesional, Ballhysa u jep vëmendje gjetjeve të konstatuara nga denoncimet nga publiku. “Nisur dhe nga fakti që jurisprudenca e Kolegjit ka theksuar rëndësinë që ka në procesin e rivlerësimit, vlerësimi i denoncimeve nga publiku dhe rritja e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë, Komisioneri Publik çmon se subjekti i rivlerësimit nuk ka dhënë shpjegime bindëse, mbi gjetjet e rezultuara nga burimet e administruara, të cilat duhet të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”, shprehet Ballhysa dhe kërkon shkarkimin nga detyra të prokurorit Habazaj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *