Gjyqtari Gentian Hamiti pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Gjyqtari Gentian Hamiti jep shpjegime për pasurinë në veting

Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Tiranës, Gentian Hamiti u përball të mërkurën më 13 mars me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për konstatimet në të tre kriteret, atë të pasurisë, figurës dhe profesionalizmit.

Hetimi administrativ për gjyqtarin Hamiti po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Firdes Shulin. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme, Elka Ermenkova.

Pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës, Gentian Hamiti kreu stazhin në Gjykatën e Fierit në vitin 2007 ku dhe punoi deri në 2013-ën, kur u emërua në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Aktualisht është deleguar pranë Gjykatës Administrative të Apelit.

Komisioni nuk ka evidentuar probleme në adresat e banimit të subjektit për periudhën 2007 e në vijim, në Vlorë e në Tiranë, ku ai ka jetuar me qira dhe në apartamentin e bashkëshortes, pasuri e blerë prej familjes së saj të origjinës përpara martesës. Po ashtu, nuk janë gjetur probleme as në pasuritë e bashkëshortes, e cila dhe ajo ka qenë subjekt rivlerësimi dhe i është nënshtruar më parë procesit të vetingut.

Në 2007-ën, subjekti ka deklaruar një gjendje cash në shumën 500 mijë lekë, për të cilën shpjegoi në seancë se i’a kishte dhënë i vëllai për kontributin që kishte dhënë duke punuar në fast-food-in e e familjes prej vitit 1998 e në vijim, kur ishte student. Sipas Sanxhaktarit, nuk ka të dhëna për ushtrimin e aktivitetit privat nga familja e subjektit, si dhe për shlyerjen e detyrimeve tatimore.

Hamitaj deklaroi në seancë se provohej se vëllai e kishte regjistruar aktivitetin në vitin 1998 dhe se kishte paguar rregullisht detyrimet. Ai shpjegoi se kjo shumë e krijuar para fillimit të detyrës ishte konsumuar në vite, ndërkohë që nuk kishte shërbyer për krijimin e ndonjë pasurie.

Subjekti ka shënuar në deklaratën periodike të vitit 2007, përfitimin e të ardhurave në shumën 800 mijë lekë nga shitja e një trualli në Delvinë dhe kursime totale në masën rreth 1.3 milionë lekë, duke përfshirë edhe ato nga fast-food-i.

Nisur nga fakti se sipas një kontrate të vitit 2004 të nënshkruar mes subjektit, vëllait dhe kushëririt për zhvillimin e truallit kundrejt shitjes së kësaj pasurie për çmimin 800 mijë lekë, kjo shumë ishte shlyer jashtë zyrës noteriale, Komisioni ka konsideruar se subjekti e i ka përfituar të ardhurat në 2004-ën.

Komisioni konstaton deklarime të pasakta dhe vonesë në pagimit e tatimit në burim për këtë të ardhur.

Nga hetimet e kryera prej KPK-së ka rezultuar se për truallin e blerë në vitin 2002 nga subjekti në një ankand të Bashkisë Delvinë, janë lëshuar dy leje ndërtimi, një për subjektin dhe tjetra për dy bashkëinvestitorët. Sipas KPK, duket se një leje është lëshuar gabimisht, pasi janë me datë të njëjtë, por të zbardhura në kohë të ndryshme.

Sanxhaktari pohoi se Bashkia Delvinë ka shpjeguar se leja në emër të subjektit nuk është e saktë, por nga ana tjetër ka rezultuar se dokumentacioni i kësaj leje ëshë përdorur në një proces gjyqësor, ç’ka sipas KPK tregon se është e ligjshme.

Për rrjedhojë, Komisioni ngre dyshime se duket se ndërtesa pesë katëshe e ndërtuar mbi truallin e blerë nga subjekti, mund të jetë pasuri e tij dhe i është kaluar barrë prove për të vërtetuar të kundërtën.

Gjyqtari Hamiti deklaroi se truallin e kishte blerë në një ankand të Bashkisë Delvinë në vitin 2002 dhe se në vitin 2004 ishte lidhur kontrata e sipërmarrjes me vëllanë dhe kushëririn, të cilët do të kryenin investim në ndërtimin e një objekti.

Ai këmbënguli se çmimin e shitjes e kishte përfituar në vitin 2008, kur dhe ishte nënshkruar kontrata e shitblerjes së truallit. Sipas subjektit, në kontratën e sipërmarrjes së vitit 2004, noteri kishte shënuar se çmimi ishte likudjuar jashtë zyrës noteriale për shkak se është një citim standard në raste të tilla.

Nga sa shpjegoi Hamiti në seancë, investitorët kishin nisur menjëherë punën dhe në vitin 2005 e kishin ngritur objektin pesëkatësh. Si provë për të vërtetuar se nuk ka lidhje me objektin, ai solli në vëmendje të Komisionit edhe aktin e kolaudimit, që ishte kryer në emër të dy investitorëve.

Po ashtu, subjekti vërejti se Bashkia Delvinë kishte vendosur në dispozicion gjithë historikun e transaksioneve dhe investimeve të kësaj pasurie, ku veç të tjerash rezultonte se në vitin 2009 ishte kryer dhe deklarimi për prishjen e kontratës së sipërmarrjes, pasi i vëllai i kishte thënë se ishte e nevojshme që të mund të regjistrohej pasuria në emër të dy investitorëve.

Lidhur me lejen e ndërtimit në emër të subjektit, të përdorur në një konflikt gjyqësor, ai shpjegoi se gjithçka i’a kishte besuar të vëllait dhe avokatit, pasi në atë periudhë ndiqte Shkollën e Magjistraturës. “Nuk kam kontraktuar ndonjë kolaudator që pasuria të mund të regjistrohej në emrin tim”, theksoi Hamiti dhe shtoi se objekti ishte ndërtuar në kohën kur ai nuk ishte subjekt deklarues.

“Është lapsus nga ana e bashkisë dhe nuk më bëjnë investitor këto lapsuse, por mundësia për të investuar”, argumentoi Hamiti.

Kryesuesi Komici vërejti se sipas gjithë dokumenteve të administruara, rezulton se subjekti kishte mundësinë të ishte pronar i pasurisë, pasi mund të kishte dhënë truallin kundrejt përqindjes ndërtimore. “Kishit mundësitë ligjore të zhvillonit pronën dhe të ishit pronari i ligjshëm”, pohoi Komici dhe e pyeti subjektin nëse shitja e truallit kishte pasur si qëllim fshehjen e marrëdhënies me djalin e xhaxhait që ishte i dënuar.

Hamiti tha se nuk kishte pasur interes për kryerjen e një investimi të tillë, pasi e shikonte veten larg Delvinës. Ai shtoi se aktet me kushëririn ishin nënshkruar para se të ishte subjekt deklarues në cilësinë e magjistratit.

“Nuk kam pasur motiv në vitin 2004 që të fshihja një pasuri kur nuk isha subjekt deklarues, ndërkohë që nuk dihej se në vitin 2024 do të vetohesha. Nuk kam pasur mundësi financiare për të investuar,” shtoi Hamiti.

Sanxhaktari relatoi në vijim se në llogarinë e subjektit është depozituar një shumë 2500 Euro nga një tjetër person, situatë për të cilën i janë kërkuar shpjegime.

Hamiti shpjegoi se e njihte prej kohësh këtë person dhe se i kishte dhënë më parë shumën 2500 euro, pasi i’a kishte kërkuar. Sipas subjektit, personi në fjalë i’a kishte kthyer në bankë, pasi jetonte në Gjirokastër.

Nga analiza financiare e përgjithshme paraprake për periudhën 2007-2016 lidhur me mbulimin e shpenzimeve dhe kryerjen e investimeve në vite, nuk u evidentuan probleme.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK nuk ka gjetur probleme për gjyqtarin Hamiti. Por, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka paraqitur një qëndrim para Komisionit duke i kërkuar që të hetojë lidhur me kontaktet e subjektit me djalin e xhaxhait të tij, të dënuar për posedim e transportim të lëndëve narkotike në vitin 1996 në Janinë të Greqisë. Një pjesë të dënimit kushëriri i Hamitit e ka kryer në Shqipëri.

Nga hetimet dhe verifikimet e kryera prej KPK, ka rezultuar se gjyqtari Hamiti ka komunikuar disa herë në telefon me kushëririn e tij në vitin 2021. Ndërkohë, rezulton që ai të jetë bashkëinvestitor me vëllanë e tij në ndërtimin e objektit pesëkatësh në Delvinë dhe akti i fundit ligjor i nënshkruar për transaksionet e kryera për traullin ka rezultuar në vitin 2009, kur është deklaruar prishja e kontratës së sipërmarrjes.

Bazuar në këto të dhëna, Komsioni vlerëson se kontaktet e subjektit me kushëririn e tij nuk kanë pasur vijueshmëri dhe për rrjedhojë nuk mund ta vendosin në rrethana penalizuese.

Ndërkohë, i janë kërkuar subjektit shpjegime për të vlerësuar mbi plotësimin e deklaratës së pastërtisë së figurës dhe nëse ka rrethana të cënimit të besimit të publikut.

Relatorja Shanxhaktari tha se duket i çuditshëm deklarimi subjektit se nuk kishte pasur dijeni për dënimin e djalit të xhaxhait.

Hamiti këmbënguli se nuk kishte pasur asnjëherë dijeni për dënimin, pasi nuk i interesonte jeta e të afërmit. Sipas subjektit, diferenca e moshës dhe e karakterit kishin bërë që ata të mos kishin afrimitet. “Nuk kishim afrimitet që të isha i detyruar të pyesja se çfarë bënte”, argumentoi Hamiti.

Në aspektin profesional janë evidentuar disa gjetje në 9 denoncimet e kryera prej publikut, si dhe një denoncim në media, për të cilat gjyqtari Hamiti tha se u qëndronte shpjegimeve me shkrim.

Në përfundim, ai kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 19 mars, në orën 09:30.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *