Gjyqtarja Alma Brati, gjatë nje seance dëgjimore në Kolegjin e Apelimit | Foto nga : LSA
Artikull kryesor Lajme KPA Lajme Në Fokus

Pamundësia objektive, Kolegji shtyn vendimin për peshën e provave të gjyqtares Alma Brati

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shtyu me dy javë vendimin mbi kërkesën e gjyqtares Alma Brati për t’u shprehur me vendim të ndërmjetëm mbi provat e paraqitura nga subjekti mbi pamundësinë objektive për të vërtetuar burimin e ligjshëm të pasurisë së prindërve.

Gjyqtarja Alma Brati, gjatë nje seance dëgjimore në Kolegjin e Apelimit | Foto nga : LSA

KPA mbajti të mërkurën seancën e radhës për ankimin e Komisionerit Publik kundër konfirmimit në detyrë të gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Alma Brati.

Seanca gjyqësore e kryesuar nga gjyqtarja Natasha Mulaj dhe anëtarë gjyqtarët Luan Daci, Albana Shtylla, Ina Rama, dhe Rezarta Schuetz, u shënjua nga dy kërkesa procedurale të subjektit.

Brati depozitoi në KPA një numër provash të reja dhe kërkoi që Kolegji të shprehej me vendimin të ndërmjetëm mbi vlerën e tyre, duke nënvizuar se ajo ishte në pamundësi objektive për të disponuar dokumentet që justifikonin ligjshmërinë e krijimit të pasurisë së prindërve për shkak se ato nuk disponoheshin ose nuk mund të rikrijoheshin nga institucionet shtetërore.

“Mungesa e dokumentacionit nuk mund të rëndojë pozitën time, sepse ruajtja e dokumentacionit ka qenë detyrë e institucioneve,” tha Brati.

Gjyqtarja kërkoi gjithashtu nga Komisioneri Publik që të qartësonte shkaqet e ankimit, pas tërheqjes nga një pjesë e pretendimeve fillestare gjatë seancës së shkuar gjyqësore.

Alma Brati ka punuar si juriste dhe inspektore e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Karrierën si gjyqtare ajo e ka nisur në vitin 2007. Brati u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 5 korrik 2018. Por vendimi u apelua nga Komisioneri Publik, me pretendimin se KPK nuk kishte hetuar siç ligjshmërinë e të ardhurave të nënës së subjektit si dhe të ish-bashkëshortit të saj, i cili paguante detyrimet e pensionit ushqimor.

Gjatë seancës të mbajtur me 22 maj, KPA i dorëzoi subjektit analizën financiare të bërë nga njësia ekonomike e Kolegjit dhe të mërkurën i kërkoi Bratit të shprehej mbi gjetjet e kësaj analize. Përpara se të shprehej mbi gjetjet e analizës financiare, Brati zgjodhi të dorëzonte një numër provash mbi pasurinë e prindërve, të cilët po hetohen si persona të lidhur. Pasi u tërhoq për vendim Kolegji vendosi ti pranonte këto prova.

Më tej subjekti iu drejtua me një kërkesë Komisionerit Publik të qartësonte shkaqet e ankimit. Komisioneri Publik Darjel Sina hasi në vështirësi gjatë shpjegimeve pasi përdori disa herë vlerat monetare me ‘lekun e vjetër’, duke krijuar hilaritet tek trupi gjykues. Për efekt të procesverbalit Sina u detyruar t’i përsëriste dy herë shkaqet e ankimit.

Sipas Komisionerit Publik shkaqet ankimit lidhen me burimin e ligjshëm të një huaje 25,000 euro dhe dhurimin e shumës 1.8 milionë lekë nga e ëma e subjektit, të cilat kanë shërbyer si burim për blerjen e një apartamenti. Gjithashtu, Sina nënvizoi se Komisioneri Publik i qëndronte ankimit për burimin e ligjshëm të shumës 3.1 milionë lekë të përfituar nga regjimi ushqimor i fëmijëve edhe pse Kolegji ishte shprehur kundër me vendim. Komisioneri shtoi se kishte hequr dorë nga hetimi i burimit të ligjshëm të shumës 3200 euro, marrë prej subjektit të rivlerësimit për mbylljen e kredisë me qëllim rikonstruksionin e banesës, si dhe nga rivlerësimi i sipërfaqes së banesës por jo të shpenzimeve të rivlerësimit të saj.

Pas sqarimit të Komisionerit, subjekti iu drejtuar Kolegjit me kërkesën procedurale për shprehjen me vendim të ndërmjetëm mbi vlerën e provave të paraqitura, sipas nenit 32, pika 2 të ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokuroreve.

Sipas Bratit, përpara se ajo të komentonte analizën financiare, KPA duhet të shprehej mbi vlerën e provave të paraqitura, duke marrë në konsideratë se ajo ishte në pamundësi objektive për të disponuar dokumentet që justifikon ligjshmërinë e krijimit të pasurive të prindërve dhe ndërkohë ka paraqitur prova që këto dokumente janë shkatërruar ose zhdukur.

KPA u tërhoq në dhomë këshillimi, por duke mos arritur në një vendim e shtyu seancën me datë 17 qershor, ora 14:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *