Prokurorja Flora Reka e shoqëruar nga djali i saj pas seancës dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

KPK konfirmon në detyrë prokuroren Flora Reka

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të premten më 25 mars vendimin e konfirmimit në detyrë të prokurores së Durrësit, Flora Reka. Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 16 mars ajo u përball me gjetjet dhe barrat e provës për pasurinë dhe figurën, të ngjashme me ato të bashkëshortit të saj, gjyqtarit, Shpëtim Reka, i cili u shkarkua më 22 shkurt.

Prokurorja Reka nuk ishte e pranishme gjatë shpalljes së vendimit, që u njoftua se është marrë me shumicë votash.

Procesi i vetingut për prokuroren Reka u krye nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Xhensila Pinen.

Ndërkohë procesi që solli shkarkimin e bashkëshortit u mor nga trupa e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtare Alma Faskjan.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 16 mars, Reka u përball me konstatime për balanca negative; dyshime për fshehje të pasurisë; për përfitimin të një trualli në Himarë në kundërshtim me ligjin; si dhe për gjetje të tjera për pasurinë për të cilat dha shpjegime.

Për pastërtinë e figurës u evidentua përdorimi i një mjeti nga bashkëshorti për një udhëtim jashtë shtetit, ku dhe ajo kishte qenë e pranishme, që rezultonte të ishte në pronësi të një personi të dënuar për krim të organizuar.

Reka dha shpjegime për përdorimin e këtij mjeti, si dhe kundërshtoi gjetjet për profesionalizmin, ku në dy raste denoncuesit ngrenë pretendime se subjekti me anë të kualifikimit të veprës penale ka lehtësuar pozitën e të proceduarve.

Flora Reka e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1988. Ajo punon prej më shumë se dy dekadash si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Durrës.

Kjo është hera e dytë që KPK merr vendime të ndryshme për dy bashkëshortë. Më herët Komisioni mori vendim për të konfirmuar në detyrë gjyqtaren Marinela Osmani, pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit kishte vendosur shkarkimin e bashkëshortit të saj Gentjan Osmani.

KPK e arsyetoi vendimin me proporcionalitetit, duke argumentuar se dy persona nuk mund të ndëshkoheshin administrativisht për të njëjtat probleme. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të dalë me vendim për rastin, për të përcaktuar një standard se si do të trajtohen këto çështje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *