Jurida Bajraktari pas vendimit të KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KP Lajme

Komisioneri Publik kërkon në KPA shkarkimin e Jurida Bajraktarit

Komisioneri Publik, Florjan Ballhysa i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të vendosë shkarkimin nga detyre të Ndihmëse ligjore në Gjykatën Administrative të Apelit, pasi sipas tij në një vlerësim tërësor të çështjes siubjekti ka cënuar besimin e publikut te drejtësia.

“Në vlerësimin tërësor të procedurave, të lidhura në rastin konkret me kontrollin e aftësisë profesionale dhe pasurisë, subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, duke u gjendur po ashtu në kushtet që mangësitë e evidentuara lidhur me aftësitë profesionale janë të tilla që nuk mund të plotësohen, as nga programi i trajnimit në Shkollën e Magjistraturës, përkundër sa ka disponuar me vendim të ndërmjetëm Komisioni”, thuhet në ankimin e Komisionerit Publik.

Nidhmësja ligjore Jurida Bajraktari u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 25 shtator, pas përfundimit me sukses të trajnimit të detyrueshëm në Shkollën e Magjistraturës, i cili u caktua me një vendim të ndërmjetëm të Komisionit që i gjeti Bajraktarit mungesa profesionale.

Por në vlerësimin e tij Komisioneri Publik thotë se Bajraktari nuk duhej të ishte konfirmuar dhe se problemet e gjetura nuk ishin të tilla që mund të riparoheshin nga trajnimi. “Gjatë kontrollit të aftësive profesionale të subjektit znj. Jurida Bajraktari, ajo ka dështuar të ketë nivelin minimal kualifikues”, thuhet në ankim.

Komisioneri po ashtu kërkon një rivlerësim në kriterin e pasurive dhe po ashtu çmon si shkak shkarkimi edhe mënyrën e emërimit të Bajraktarit në detyrë.

Bajraktari, siç gjeti Komisioni, nuk e përmbushte kriterin ligjor të eksperiencës prej 7 vjetësh në punë dhe në tërësi përvoja e punës e dokumentuar ishte rreth 3 vite e gjysmë. KPK megjithatë nuk e ka cilësuar shkarkues këtë element, por Komisioneri Publik vlerëson se “mospërmbushja e kriterit ligjor në procedurën e punësimit, nuk mund të konsiderohet si e riparueshme nëpërmjet programit të trajnimit dhe se kjo situatë e gjen subjektin e rivlerësimit me sjellje jo të përshtatshme”.

Bajraktari ka filluar punë në Gjykatën Administrative të Apelit në prill të vitit 2016 dhe kishte plotësuar deklaratat për efekt të vetingut në janar 2017. Më herët, ajo kishte punuar si juriste në kompani private, si dhe ka deklaruar se kishte dhënë ndihmë juridike vullnetare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *