Prokurori Bledar Bejko pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Bledar Bejko jep shpjegime për pasurinë dhe profesionalizmin

Prokurori Bledar Bejko i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës u përball të hënën më 28 mars me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime më së shumti për gjetjet në kriterin e pasurisë dhe të profesionalizmit. Procesi i vetingut për Bejkon po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtar Olsi Komici. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Bledar Bejko e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2007, ai u transferua në Prokurorinë e Fierit dhe prej vitit 2013 e ushtron funksionin në Prokurorinë e Durrësit.

Konstatimet për pasurinë

Komisioni nuk ka gjetur probleme në burimin e krijimit të një apartamenti në Tiranë me sipërfaqe rreth 100 m2, të përfituar nëpërmjet privatizimit nga prindërit e prokurorit Bejko në vitin 1992, kur dhe ai ishte në moshë madhore dhe rezulton si bashkëpronar me 1/3 pjesë takuese.

Ndërsa për një apartament tjetër me sipërfaqe 96.5 m2 po në Tiranë, të blerë në vitin 2008 për 87 mijë euro, relatorja Bekteshi sqaroi se subjektit të rivlerësimit i është kaluar barrë prove për pamundësi financiare në shumën 1.8 milionë lekë, konstatim që ka rezultuar nga analiza financiare paraprake.

Po ashtu, u konstatua pasaktësi në deklarimin e shlyerjes së dy kredive konsumatore që kanë shërbyer për pagesën e një pjese të çmimit të apartamentit, pasi në deklaratën “veting” është pasqyruar tjetër burim nga ato të shënuara në deklaratën periodike dhe të deklaruara gjatë hetimit administrativ.

Bekteshi sqaroi se në në vitin 2008, subjekti ka deklaruar si burim për apartamentin 57 mijë euro të dhëna nga prindërit e tij dhe 30 mijë euro kredi. Ndërsa në deklaratën “veting” ka deklaruar 47 mijë euro të transferuara nga prindërit në llogarinë e tij bankare.

Në deklaratën “veting”, subjekti ka shënuar si burim dhe dy kredi konsumatore në vlerën totale 9 mijë euro, një të marrë prej tij dhe një nga bashkëshortja, që i ka shlyer brenda vitit 2008 me të ardhurat e prindërve të kësaj të fundit. Po ashtu, ka deklaruar dhe kredinë 30 mijë euro, për të cilën nuk janë gjetur probleme.

Gjatë hetimit administrativ, Bejko i ka qëndruar deklarimit të vitit 2008 duke këmbëngulur se për blerjen e apartamentit kanë shërbyer 57 mijë euro të dhëna prej të atit dhe kredia 30 mijë euro. Ai ka shpjeguar se vlera e dhënë prej prindërve i përket çmimit të shitjes së një apartamenti të blerë prej tyre në vitin 2003 dhe të shitur në 2007-ën për shumën 90 mijë euro, aq sa paraqitet dhe në një prej kontratave noteriale.

Megjithëse Komisioni konstatoi se nga hetimi rezulton se prindërit e kanë shitur apartamentin për çmimin 90 mijë euro, në kontratën e shitblerjes të dorëzuar në hipotekë çmimi figuron në shumën 38 mijë USD.

“Për shkak të mospagimit të detyrimeve për çmimin e shitjes 90 mijë euro, deri në këtë fazë të hetimit administrativ është përllogaritur në analizën financiare vlera 38 mijë USD”, vërejti Bekteshi dhe shtoi se për këtë arsye ishte konstatuar balanca negative.

Prokurori Bejko kërkoi që të konsiderohej deklarimi i vitit 2008, duke argumentuar se ai deklarim ishte më pranë veprimeve të kryera, si dhe të përfshihej në analizë vlera 57 mijë euro i është dhënë prej prindërve të tij. Shënimin në deklaratën “veting” se për shlyerjen e dy kredive konsumatore kishin kontribuar prindërit e bashkëshortes e konsideroi si një ‘lapsus formal’.

Ai theksoi se prindërit kishin pasur të ardhura të konsiderueshme dhe se kishin pasur mundësi që t’i jepnin vlerën 57 mijë euro në 2008-ën.  Subjekti shtoi se nuk kishte pasur dijeni për kontratën e dorëzuar në hipotekë ku shënohej çmimi i shitjes 38 mijë USD. “Është vërtetuar dhe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit se vlera reale e shitjes së apartamentit nga prindërit në vitin 2007 ka qenë 90 mijë euro,” vërejti Bejko dhe renditi të ardhurat e familjarëve deri në kohën kur ishin kryer pagesat e apartamentit.

Subjekti deklaroi se kishte paraqitur dokumentacion ligjor për të ardhurat e të atit nga pagat deri në vitin 2002 dhe se vetëm prej pensionit në periudhën e mëvonshme babai kishte përfituar rreth 6.2 milionë lekë. Sipas Bejkos, prindërit kishin përfituar rreth 4.1 milionë lekë nga dhënia me qira e një objekti prej vitit 1996 dhe se në 2000-in nëna kishte shitur për çmimin 10 milionë lekë një magazinë.

Ai deklaroi se prindërit i kishin investuar këto shuma në depozita bankare ku gjatë periudhës 2000-2008 kishin fituar rreth 6 milionë lekë interesa. Bejko shtoi se dhe ai vetë kishte pasur të ardhura në masën 6.2 milionë lekë dhe vëllai në shumën 2.5 milionë lekë dhe se familja rezultonte me balancë pozitive në shumën 3.8 milionë lekë pas dhënies së vlerës 57 mijë euro.

Bejko u pyet në seancë edhe për disa transaksione të kryera nga bashkëjetuesja, e cila ka punuar si drejtore e një dege banke. Ai shpjegoi në seancë se bashkëshortja kishte kryer transaksione për familjarët me qëllim për të përfituar shuma të vogla nga kursi këmbimit valutor.

Një tjetër gjetje e Komisionit kishte të bënte me blerjen e një automjeti në Gjermani nga prokurori Bejko në vitin 2007 për llogari të një shoku të tij, për çmimin 11 mijë euro dhe rreth 400 mijë lekë të paguara për zhdoganimin. Bekteshi konstatoi se vlera 2 milionë lekë që i është dhënë prokurorit Bejko nga shoku i tij I.V., tejkalon limitin për t’u kaluar në pikën e kalimit kufitar.

Bejko sqaroi në seancë se mjetin e kishte blerë vetëm për llogari të shokut të tij dhe se nuk kishte pasur asnjë lloj përfitimi.

Lidhur me vlerën 2 milionë lekë të kaluar në kufi, ai deklaroi se një pjesë e shumës së dhënë nga shoku e kishte lënë në shtëpi, kurse pjesën tjetër e kishte ndarë përgjysmë me bashkëjetuesen, pasi kishin udhëtuar së bashku drejt Gjermanisë. Prokurori Bejko vërejti se ky fakt vërtetohej nga sistemi TIMS dhe se secili prej tyre kishte pasur me vete në pikën kufitare vlerë më të vogël nga ajo e detyruar për t’u deklaruar.

I pyetur nga kryesuesja Qirko lidhur me fillimin e bashkëjetesës, subjekti shpjegoi se ishte provuar se deri në 2008-ën kishte jetuar me prindërit. Pasi Qirko solli në vëmendje deklarimin se në vitin 2007 ai kishte udhëtuar me bashkëjetuesen drejt Gjermanisë, subjekti theksoi se fakti pse kishin udhëtuar bashkë nuk e bënte person të lidhur në atë kohë.

Ai këmbënguli se kishte provuar burimet e ligjshme të pasurive.

Figura dhe profesionalizmi

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar dy raporte të kundërta për prokurorin Bledar Bejko, ku në të parin e ka konsideruar të përshtatshëm për të vazhduar detyrën, ndërsa në të dytin si të papërshtatshëm. Bekteshi sqaroi se DSIK e kishte ndryshuar qëndrimin bazuar në informacione se gjatë kohës që subjekti ushtron detyrën në Durrës, mund të jetë përfshirë në veprime korruptive nëpërmjet lehtësimit të pozitës së të pandehurve. Por, Bekteshi deklaroi se KPK i ka konsideruar këto informacione të lidhura me aspektin profesional dhe jo me figurën.

Bejko e cilësoi jologjik dhe të padrejtë konstatimin e dytë të DSIK. “Komisioni nuk më ka kaluar barrën e provës dhe çmoj se kam arritur nivel të besueshëm edhe për pastërtinë e figurës,” pohoi Bejko.

Në kriterin profesional, prokurori Bejko dha shpjegime më së shumti për 4 prej 21 denoncimeve të depozituara nga publiku, pasi për pjesën më të madhe të tyre Komisioni nuk ka gjetur probleme.

Për një denoncim të kryer nga shtetasja V.A. e cila pretendon se nuk i është njoftuar vendimi i pushimit duke i hequr të drejtën e ankimit, Bejko sqaroi se kishte njoftuar avokatin e saj në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Ai evidentoi një seri email-esh, ku fillimisht denoncuesja i ankohej për këtë pretendim dhe Kryeministrit, i cili ia kishte përcjellë në email ankesën Sekretarit të Përgjithshëm, ky i fundit ia kishte kaluar Prokurorit të Përgjithshëm dhe nëpërmjet email-it të drejtuesit të prokurorisë i kishte mbërritur vetë subjektit.

Subjekti sqaroi se bazuar në datat e email-eve, rezultonte se denoncuesja kishte rënë në dijeni për vendimin e pushimit dy ditë më pas, pasi shprehej se “e kishte telefonuar avokati dhe i kishte treguar se prokurori Bledar Bejko e kishte pushuar akuzën për një prej të dyshuarve”.

Lidhur me ndryshimin e kualifikimit të veprës penale për këtë çështje, të regjistruar fillimisht për vrasje në bashkëpunim me dashje, por të ndryshuar më vonë në vrasje nga pakujdesia të vetëm një prej autorëve të dyshuar, Bejko tha se kishte kryer në vendim arsyetim të gjerë se mungonin rrethanat dhe motivet për njërin prej të dyshuarve. “Nuk provohet se ky person ka ushtruar veprime direkt”, pohoi Bejko.

Lidhur me një çështje ku subjekti ka lehtësuar kërkimin për masën e sigurisë së caktuar ndaj disa punonjësve të policisë së postës së plazhit në Durrës, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” Bejko sqaroi se bazuar në provat e siguruara kishte rënë niveli i dyshimit të arsyeshëm. Sipas Bejkos, ky fakt ishte provuar dhe nga hetimi që kishte rezultuar se efektivi ndaj të cilit kishte kërkuar lehtësimin e masës së sigurisë, nuk kishte pasur lidhje.

Subjekti dha shpjegime për pushimin e hetimit për një aksident të ndodhur në vitin 2009 në vendin e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, për shkak të parashkrimit të veprës penale. Ai sqaroi se çështja i kishte kaluar për hetim në vitin 2017, kur dhe ishte parashkruar vepra penale. Lidhur me pretendimin e ankuesve se nuk ishte kryer një akt-ekspertim, Bejko sqaroi se personi që e kishte nënshkruar kishte ndërruar jetë dhe se ishte e pamundur të sigurohej nënshkrimi për krahasim.

Sipas subjektit, në deklaratën e të dëmtuarit nuk kishte ndonjë të dhënë për ngjarjen, pasi ai ishte shprehur se nuk ishte në gjendje që deklaronte pasi ishte i pamundur si pasojë e gjendjes shëndetësore. Bejko tha se nuk kishte arsye që oficeri policisë të kishte falsifikuar nënshkrimin në procesverbalin e mbajtur, pasi nuk kishte asnjë të dhënë që ndikonte në hetim.

Në përfundim prokurori Bledar Bejko deklaroi se kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, si dhe nivel kualifikues për profesionalizmin. “Mendoj se Komisioni duhet të më konfirmojë në detyrë pasi i përmbush të tre kriteret,” kërkoi Bejko. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 31 mars, në orën 09:30.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *