Gjyqtari Taulant Banushi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Taulant Banushi jep shpjegime për vendimet që i ka rrëzuar Apeli

Gjyqtari i Gjykatës së Fierit, Taulant Banushi u përball të hënën më 28 mars me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për konstatimet në kriterin profesional, si dhe kundërshtoi një raport negativ për figurën. Në kriterin e pasurisë nuk u evidentuan probleme.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Banushi po kryhet nga trupa e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Taulant Banushi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe pas një periudhë stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Fier. Ai vazhdon ta ushtrojë funksionin në këtë gjykatë prej 18 vitesh ku ka mbajtur dhe funksionin e kryetarit.

Qirko paraqiti një relatim të detajuar për kriterin e pasurisë duke evidentuar një listë të gjatë të transaksioneve të kryera për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 108.12 m2 në qytetin e Fierit në vitin 2012 për çmimin 5 milionë lekë, si dhe për krijimin e likujditeteve cash dhe atyre bankare në vite në vlera të konsiderueshme, për të cilat është konkluduar se subjekti ka pasur burime të ligjshme.

Si burime për krijimin e këtyre pasurive dhe shpenzimet në vite, subjekti ka deklaruar pagat e tij si gjyqtar dhe pedagog në një universitet privat; të ardhurat e bashkëshortes nga aktiviteti i saj privat dhe pagat si vetëpunësuar aty; interesat bankare dhe 1.5 milionë lekë nga shitja e pjesës takuese të një apartamenti të përfituar me privatizim së bashku me prindërit ku ai zotëronte 1/3 pjesë takuese.

Në fund të seancës, Qirko e pyeti subjektin se ndryshe nga sa ishte përcaktuar në kontratën paraprake të blerjes së apartamentit në vitin 2012, ku një këst do të paguhej me kredi, nuk rezultonte që Banushi apo bashkëshorjta e tij ta kishin përfituar apo përdorur një gjë të tillë.

Banushi shpjegoi se në atë periudhë kishte mësuar se Këshilli Bashkiak do të akordonte kredi për zyrtarët, por se nuk kishte aplikuar pasi kishte konstatuar se nuk i plotësonte kushtet për shkak se kishte të ardhura më të larta nga sa lejohej për aplikim. Ai tha se nuk e kishte kryer kërkesën për kredi.

Në seancë nuk u bë me dije që subjektit t’i jetë kaluar barrë prove dhe për pastërtinë e figurës, megjithëse u evidentua se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK kishte ndryshuar raportin e parë ku konstatohej përshtatshmëria, duke konkluduar në papërshtatshmëri bazuar në informacione ku ngriheshin dyshime për veprime korruptive në procese penale e civile.

Qirko sqaroi se subjekti e kishte kundërshtuar raportin e dytë të DSIK-së. Edhe gjatë seancës dëgjimore, gjyqtari Banushi deklaroi se pretendimet e ngritura nga DSIK nuk gjenin asnjë reflektim në rezulatet e hetimit të KPK.

“Në rastin më të mirë është perceptim i gabuar i atij që ka dhënë informacionin dhe në rastin më të keq është shpifje nga ndonjë person i pakënaqur nga vendimarrjet e mia,” deklaroi Banushi.

Konstatimet për profesionalizmin

Relatorja Qirko vërejti se Këshilli i Lartë Gjyqësor kishte depozituar raport pozitiv për gjyqtarin Banushi, ndërkohë që nga 16 denoncime nga publiku që janë depozituar në KPK, subjektit i janë kërkuar shpjegime për tre prej tyre.

Denoncuesi S.B. pretendon se gjyqtari Banushi nuk ka dhënë vendim të drejtë, pasi vendimarrja e tij është prishur dhe nga Apeli. Sipas Qirkos, Apeli ka prishur vendimin me argumentin se vendimarrja e subjektit është në mosrespektim të normave proceduriale, në mungesë të një hetimi të plotë gjyqësor, si dhe duket se mungon arsyetimi ligjor.

Banushi deklaroi se vetë denoncuesi S.B. referon në denoncim se ka 25 vite që bënë gjyqe dhe se i ka humbur të gjitha. Sipas subjektit, kërkesë padinë e S.B. e ka rrëzuar pasi përbënte gjë të gjykuar.

Gjyqtari Banushi shpjegoi se paditësi ka paditur motrat dhe vëllezërit për përpjestimin e një prone pas vdekjes së babait dhe të nënës, duke pretenduar se kjo e fundit me anën e një kontrate dhurimi i kishte lënë atij një pjesë që ishte ndarë me vendim gjyqësor në mënyrë të barabartë për secilin.

“Gjykata e ka zgjidhur dhe prandaj e kam thënë se është gjë e gjykuar. Jam lënduar nga apeli se gjyqtari apelit nuk mund të sulmojë një të shkallës së parë”, tha Banushi dhe pretendoi se nga faktet rezulton e kundërta nga sa ka arsyetuar apeli.

Sipas subjektit, Apeli nuk e ka zgjidhur çështjen dhe as nuk thotë se ku është gabuar. “Kam marrë gjithë provat e ngritura dhe kam zgjidhur çështjen. Vendimi i ka gjithë elementet”, këmbënguli Banushi.

Një tjetër çështje të denoncuar nga L.Z., rezulton se Apeli e ka prishur vendimin e Banushit po për shkelje procedurale. Sipas Apelit, subjekti nuk ka mundësuar sigurimin e mbrojtjes efektive të një të pandehuri, si dhe nuk ka evidentuar problemet e shëndetit mendor që kishte personi që po gjykohej për kryerjen e veprës penale. “Duket se ka shkelje të rënda procedurale”, pohoi Qirko.

Banushi shpjegoi se denoncuesja është nëna e një të pandehuri për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”. Ai vërejti se trupa përbëhej nga tre gjyqtarë dhe asnjëherë nuk ishin konstatuar probleme të shëndetit mendor tek i pandehuri.

“I pandehuri paraqiste alibi për t’u shfajësuar. Nuk kemi konstatuar një gjë të tillë. Apeli e thotë këtë. Madje është kryer ekseprtim dhe nuk rezulton të ketë vuajtur nga shëndeti mendor. Nuk e di se nga i ka dalë Apelit se kishte probleme mendore”, sqaroi Banushi.

“Si ka mundësi që apeli konstaton se ka probleme të shëndetit mendor dhe e mban në arrest në burg të zakonshëm dhe nuk e transferon në spitalin e burgut? Duket se nuk e ka marrë seriozisht atë që ka shkruar”, vërejti Banushi për kolegun e Apelit.

Subjekti deklaroi se i pandehuri është përfaqësuar gjithmonë me avokatë të zgjedhur prej tij ose të caktuar kryesisht. Lidhur me konstatimin për mosregjistrimin e seancave audio, ai shpjegoi se sistemi në Gjykatën e Fierit ishte mundësuar në tetor të vitit 2013, ndërsa procesi gjyqësor kishte filluar 10 muaj më parë.

Për konstatimin për mosshoqërimin e një dëshmitari, Banushi sqaroi se e kishin thirrur tre herë dhe në përfundim kishin udhëzuar shoqërimin e detyrueshëm.

Banushi është denoncuar pranë KPK dhe nga një përmbarues gjyqësor. Sipas subjektit, përmbaruesi përfaqësonte të dyja shoqëritë që i kishin borxhe njëra -tjetrës, ku njëra në vlerë shumë të madhe, ndërsa tjetra në një shumë më të vogël.

Lidhur me një kërkesë padi të kryer nga një prej palëve, Banushi shpjegoi se i plotësonte kushtet për t’u shqyrtuar, ndryshe nga sa pretendonte përmbaruesi. Sipas subjektit, kjo kërkesë padi është trajtuar si ankim pasi ishte e tillë. “Përmbaruesi gjyqësor thotë se është ndryshuar shkaku ligjor i padisë. Përcaktimin e faktit e bënë gjykata dhe jo pala”, deklaroi Banushi.

Banushi dha shpjegime dhe për një tjetër çështje civile pronësie të denoncuar nga shtetasi A.Y, i cili pretendonte se njohjen e bashkëpronësisë në një objekt në proces legalizimi, që sipas tij e kishte ndërtuar me të vëllanë, por bashkëshortja e këtij të fundit kishte kryer e vetme kërkesën për legalizim duke pretenudar se ishte pasur e krijuar prej saj.

Dhe në këtë rast, apeli ka konstatuar se Banushi nuk ka kryer hetim gjyqësor të plotë dhe shkelje procedurale. Banushi e kundërshtoi vendimin e apelit duke arugmentuar se i kishte marrë të gjitha provat e nevojshme.

Qirko e pyeti subjektoin nëse kishte pasur ndonjëherë ndërhyrje për përshpejtimin e këtij procesi apo në vendimarrje, por Banushi e mohoi një gjë të tillë. “Jo asnjë ndërhyrje. Apeli e ka prishur për aspekte procedurale”, deklaroi ai.

Banushi dha shpjegime dhe për zgjatjen e gjykimit tej afateve të disa çështjeve, për të cilat tha se nuk ishin kryer si duhet përllogaritjet pasi ishin përfshirë dhe muaji gusht kur kishte qenë me leje. Ai këmbënguli se në asnjë rast nuk kishte qenë ai shkak për shtyrjen e seancave për proceset për të cilat ishte tejkaluar afati, por palët ose kolegët që kishin munguar në rastet kur trupa përbëhej nga tre gjyqtarë.

Në përfundim të fjalës së tij gjyqtari Taulant Banushi deklaroi se konsideronte se kishte arritur nivel të besueshëm dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 30 mars, në orën 09:50.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *