KPK duke shpallur një vendim | Foto : LSA
KPK Lajme Vendi

KPK përfundon vetingun pa vendim për inspektoren e KLD Dashurije Gjunkshi

Komisioni vlerëson se pas vendimeve të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë për deklarimin e mospasjes së statusit të magjistratit për këtë subjekt dhe për lirimin e saj nga detyra, është bërë i pamundur qëllimi i nisjes së procesit të rivlerësimit për ish-inspektoren Dashurije Gjunkshi.

KPK duke shpallur një vendim | Foto : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka vendosur më 20 tetor të përfundojë procesin e rivlerësimit për inspektoren e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD Dashurije Gjunkshi pa një vendim përfundimtar duke konsideruar se objekti për të cilin ka nisur vetingu është bërë i pamundur pasi është liruar nga detyra në tetor të 2019-ës.

Në vendimin e arsyetuar të trupit gjykues të KPK të kryesuar nga Alma Faskaj dhe me anëtare Suela Zhegun e Firdes Shulin sqarohet se, menjëherë me hyrjen në fuqi të ligjit për vetingun, Gjunkshi ka plotësuar dhe dërguar deklaratën e pasurisë në ILDKPKI, brenda afatit ligjor. Gjithashtu, ajo ka plotësuar dhe dërguar deklaratën për kontrollin e figurës dhe formularin e vetëvlerësimit profesional.

Në janar të vitit 2020, Komisionit i është njoftuar urdhri i ish-KLD i vitit 2019 për lirimin nga detyra të inspektores Dashurije Gjunkshi.

KPK konstaton se më datë 31 tetor 2019 është përcjellë vendimi i datës 22 tetor 2019 “Për vlerësimin e statusit individual dhe karrierën për znj. Dashurije Gjunkshi”, në të cilin është vendosur “deklarimi i mospasjes së statusit ‘Magjistrat’[…]”, për këtë subjekt. Me një vendim të pak ditëve më vonë është vendosur edhe lirimi nga detyra e Gjunkshit.

Komisioni i ka kërkuar informacion Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ nëse Gjunkshi e ka ankimuar vendimin e ish-KLD-së, por ka rezultuar se ajo nuk ka kryer ankim.

“Trupi gjykues çmon se objekti për të cilin kishte nisur procedura e rivlerësimit apo qëllimi i këtij procesi është bërë i pamundur”, vlerëson Komisioni dhe duke iu referuar Kodit të Procedurave Administrative ka vendosur ta deklarojë të përfunduar procesin e vetingut për këtë subjekt pa një vendim përfundimtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *