Prokurori i Krimeve të Rënda, Edvin Kondili, njëherëzi kandidat për Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017.Prokurori i Krimeve të Rënda, Edvin Kondili, i cili kandidon për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, do të përballet të enjten më 6 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për Kondilin përbëhet nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe Xhensila Pine.
Edvin Kondili e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004. Ai ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe punon prej vitit 2004 pranë Prokurorisë për Krimeve të Rënda. Paralelisht me punën si prokuror, Kondili është angazhuar si lektor në Shkollën e Magjistraturës dhe si ekspert për organizatat ndërkombëtare. Ai është një ndër 25 kandidatët për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Edvin Kondili nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Edvin Kondili nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2004, kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private pranë ILDKPKI. Në fund të vitit 2017, pasuria e tij familjare kap vlerën e 14 milionë lekëve, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 1 milion lekësh.
Pasuria e paluajtshme përbën zërin kryesor me 9.7 milionë lekë. Z.Kondili deklaron gjithashtu 1.9 milionë lekë likujditete bankare, 1.4 milionë lekë kursime të akumuluara në cash dhe një automjet me vlerë 920 mijë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 29.5 milionë lekë. Rreth 62% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni i prokurorit, ndërsa rreth 37% vijnë nga pagat e familjarëve.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 14 deklaratat që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave, vlen për t’u shënuar një hua prej 10 mijë eurosh që bashkëshortja e subjektit ka marrë nga vëllai i saj, emigrant në Spanjë në vitin 2014. Huaja nuk është përdorur për qëllimin e marrë dhe është shlyer e gjitha në vitin 2016.
Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.
Deklarata e pasurise për vitit 2004
Deklarata e pasurisë për vitit 2005
Deklarata e pasurise për vitit 2006
Deklarata e pasurisë për vitit 2007
Deklarata e pasurisë për vitit 2008
Deklarata e pasurisë për vitin 2009
Deklarata e pasurisë për vitin 2010
Deklarata e pasurisë për vitin 2011
Deklarata e pasurisë për vitin 2012
Deklarata e pasurisë për vitin 2013
Deklarata e pasurisë për vitin 2014
Deklarata e pasurisë për vitin 2015
Deklarata e pasurisë për vitin 2016
Deklarata e pasurisë për vitin 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al