Skeda e pasurisë së deklaruar –Rezarta Aliu–Gjykata Administrative Durrës
Korrupsioni KPK Skeda Vendi

Skeda e pasurisë së deklaruar –Rezarta Aliu–Gjykata Administrative Durrës

Gjyqtarja Rezarta Aliu e Gjykatës Administrative të Durrësit do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Skeda grafike tregon ndryshimin e pasurisë së saj familjare ndër vite.Rezarta Aliu, gjyqtare në Gjykatën Administrative të Durrësit do të përballet të mërkurën më 21 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e saj të vetingut përbëhet nga Brunilda Bekteshi, Suela Zhegu dhe Firdes Shuli.

Rezarta Aliu përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe punoi fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 2011, ajo u emërua gjyqtare në Gjykatën e Përmetit dhe aktualisht e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Durrësit.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar nga gjyqtarja Rezarta Aliu nga viti 2009 deri në fund të vitit 2016. [Kliko për skedën në PDF]

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2009, gjyqtarja Rezarta Aliu (Paja) nuk zotëronte asnjë pasuri, ndërsa në fund të vitit 2016 ajo deklaron pasuri familjare me vlerë 9.1 milionë lekë.

Subjekti zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 7.6 milionë lekë, automjet me vlerë 680 mijë lekë, likujditete bankare prej 223 mijë lekësh dhe kursime në cash prej 600 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 11.1 milionë lekë, nga të cilat gati 73% e totalit burojnë nga paga e Znj. Aliu si gjyqtare dhe 27% nga paga e bashkëshortit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 8 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi disa “flamuj të kuq”, të cilat lidhen me deklarimin e një apartamenti, pronat e përfituara nga trashëgimia si dhe huatë.

Në vitin 2012, subjekti Rezarta Aliu deklaron marrje kredi bankare të lehtësuar në shumën 4,950,000 lekë për blerje apartamenti në Yzberisht, por ky aset nuk deklarohet më vete në rubrikën e aseteve dhe për të mungojnë të dhënat lidhur me sipërfaqen dhe çmimin e plotë të blerjes.

Në vitin 2016, subjekti deklaron të ketë përfituar nga trashëgimia sipas VKM numër 89 datë 03.02.2016, pasuri të paluajtshme tokë arë, kopësht dhe truall në vlerë totale 7,645,040 lekë, nga e cila ajo zotëron si pjesë takuese 1/7 e pronave.

Në vitet 2012 dhe 2014, subjekti ka marrë dy hua me vlerë totale prej 600 mijë lekësh, nga të cilat 450 mijë kanë shërbyer për shlyerjen totale të një kredie konsumatore. Huatë shlyhen rregullisht në vitet në vijim.

Deklarata Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

 

*Kjo skedë pasurie është ndryshuar duke i zbritur nga kategoria e aseteve vlerën e një apartamenti në Yzberisht, pronësia e të cilit është qartësuar gjatë seancës dëgjimore në KPK.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *