Gjyqtarja e Durrësit, Besjana Garxenaj pas seancës së KPK.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gjyqtarja Besjana Garxenaj përballet me pikëpyetje për pasurinë dhe figurën

Besjana Garxenaj kishte kërkuar të përjashtohej nga procesi i rivlerësimit dhe pas rrëzimit të kërkesës, u ballafaqua në seancë me mungesë burimesh dhe një raport negativ të DSIK- të cilat ajo i kundërshtoi si të pasakta.

Gjyqtarja e Durrësit, Besjana Garxenaj pas seancës së KPK.

Gjyqtarja Besjana Garxenaj e Gjykatës së Durrësit u përball të martën më 20 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore u eidentuan gjetjet për të tre kriteret e rivlerësimit.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Garxenaj po kryhet nga trupi gjykues i kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Pamela Qirko. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Relatorja Bekteshi tha në fillim të seancës se gjyqtarja Garxenaj kishte depozituar në fillim të procesit të rivlerësimit një kërkesë, nëpërmjet së cilët pretendonte se nuk ishte subjekt rivlerësimi, me argumentin se kur ligji i vetingut kishte hyrë në fuqi, nuk e gëzonte statusin e magjistratit.

Por trupi gjykues ka vlerësuar se Garxenaj është subjekt rivlerësimi dhe është përfunduar hetimi administrativ në të tri kriteret.

Bekteshi tha se Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI kishte konstatuar e deklarimi për pasurinë nuk ishte i saktë dhe se subjekti nuk kishte depozituar dokumente të mjaftueshme për të ardhurat.

Në seancë u theksua se gjyqtarja Besjana Garxenaj, para fillimit të detyrës si gjyqtare kishte blerë dy automjeteve dhe nga vlera e përfituar nga shitja e një automjeti me çmim 15 mijë euro kishte blerë një automjet tjetër të markës “Benz”.

Si burim për krijimin e këtyre pasurive, ajo ka deklaruar edhe të ardhurat nga familja dhe nga bursa e Shkollës së Magjistraturës.

Sipas Bekteshit, subjekti ka shpjeguar se njërin prej automjeteve e ka blerë nga një person i njohur, ndërsa mjetin tjetër e ka blerë me çmim më të ulët nga ai që e ka shitur, pasi ka dhënë në këmbim edhe një makinë që zotëronte.

“Subjekti i rivlerësimit ka deklaruar se këto transaksione janë kryer para fillimit të detyrës dhe se nuk ka pasur qëllim për kryerjen e veprimeve fiktive,” pohoi Bekteshi.

Relatorja shtoi se nga analiza financiare e kryer gjatë periudhës para detyrës kur janë kryer blerjet dhe shitjet e këtyre mjeteve ka rezultuar me balancë negative në shumën 2.7 milionë lekë.

Në deklaratën para fillimit të detyrës, Garxenaj ka deklaruar edhe një gjendje cash në shumën 6 mijë euro që, së bashku me shtesat në vite, është pasqyruar në shumën 9 mijë euro në deklaratën veting.

Relatorja tha se nga analiza financiare është konstatuar mungesë burimesh për krijimin e gjendjes cash dhe shtesave deri në momentin e deklaratës veting në shumën 555 mijë lekë.

Sipas Bekteshit, Garxenaj ka deklaruar se ajo ka jetuar me prindërit, të cilët e kanë ndihmuar jo vetëm për shpenzimet e jetesës, por edhe për blerjen e automjeteve. Ajo shtoi se subjekti ka dorëzuar dokumentacion për të ardhurat e prindërve nga pagat dhe pronat që ata zotërojnë.

Gjyqtarja Garxenaj deklaroi në seancë se kishte dorëzuar të gjitha provat e domosdoshme që bindin se të ardhurat e prindërve dhe të saj janë të mjaftueshme për krijimin e pasurive dhe shpenzimet e kryera.

“Prindërit kanë burime të ligjshme nga dyqanet dhe pagat, kanë mundur të kursejnë për mua, që jam fëmija e tyre i vetme,” pohoi ajo.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar dy raporte të ndryshme në Komision. Në të parin ka konstatuar se gjyqtarja Garxenaj duhej të vazhdonte detyrën, ndërsa në të dytin ka vlerësuar se është e papërshtatshme. Sipas DSIK, Garxenaj gjatë kryerjes së stazhit kishte kryer veprime të kundërligjshme në shqyrtimin e dy çështjeve.

Bekteshi tha se dy çështjet në fjalë janë të viteve 2017 dhe 2018. Ajo shtoi se subjekti e ka quajtur të pabazuar dhe të pasaktë informacionin e DSIK, pasi gjatë këtyre viteve ajo nuk ka qenë në periudhën e stazhit dhe se në vitin 2018 nuk shqyrtonte çështje penale.

Garxenaj deklaroi se nuk ishte dakord me raportin e DSIK. “Nuk përfaqëson personin tim,” tha ajo.

Gjyqtarja Garxenaj ka marrë vlerësim pozitiv nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGj lidhur me gjykimin e çështjeve, arsyetimin e vendimeve dhe etikën.

Për një konstatim të KPK se, gjatë periudhës së stazhit seancat ishin zhvilluar pa regjistrim audio, subjekti ka shpjeguar se kjo kishte ndodhur pasi nuk kishte mjaftueshëm salla gjyqësore dhe se nuk ishin përfshirë në kalendarin e seancave që do të zhvilloheshin në sallat ku mundësohej regjistrimi audio.

Ndaj subjektit janë depozituar gjithsej 4 denoncime nga publiku. Bekteshi tha se dy nga çështjet e verifikuara ka rezultuar se janë lënë në fuqi nga Apeli, njëra është ende në proces dhe një tjetër kishte të bënte me themelin.

Në fund të seancës, Garxenaj u pyet nga anëtarja e trupit gjykues, Pamela Qirko se përse kishte qenë kundër kryerjes së procedurës së rivlerësimit.

Garxenaj argumentoi se të gjithë kandidatët për magjistratë të brezit të Shkollës së Magjistraturës ku ajo kishte bërë pjesë, kishin vlerësuar se nuk ishin subjekte rivlerësimi. Ajo deklaroi se nuk mund të ishin subjekte të dy ligjeve të ndryshme, të atij për procesin e rivlerësimit dhe të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Pyetjet se përse kishte dorëzuar deklaratën “veting” kur nuk çmonte se ishte subjekt rivlerësimi, Garxenaj ju përgjigj se ajo dhe kolegët e saj kishin menduar ta linin në dorë të institucioneve më të larta për ta vlerësuar.

Në përfundim të fjalës së saj, Garxenaj theksoi se provat që kishte dorëzuar kishin provueshmëri maksimale dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK do të shpallë vendimin më datë 22 prill, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *