Prokurorja Françeskina Lekani pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK

Prokurorja Françeskina Lekani u shkarkua për deklarim të pamjaftueshëm dhe cënim të besimit

Prokurorja e Shkodrës, Françeskina Lekani u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 6 dhjetor 2023 për probleme në kriterin e pasurisë dhe atë të profesionalizmit. Sipas KPK, subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe se me shkeljet në ushtrimin e detyrës ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia. Për figurën Lekani mori vlerësim pozitiv.

Trupa e KPK e kryesuar Lulzim Hamitaj, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Brunilda Bekteshin është dakordësuar për shkarkimin e subjektit për problemet në kriterin pasuror. Ndërkohë, kryesuesi Hamitaj ka dalë me mendim paralel përsa i përket profesionalizmit, duke çmuar se nuk mjafton konstatimi i problematikave në një çështje profesionale të izoluar për të mbërritur në konkluzionin e cenimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

Françeskina Lekani e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 si prokurore ushtarakje dhe prej vitit 2004 e deri në shkarkimin nga detyra punoi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, ku së fundmi ushtroi dhe rolin e zëvendësdrejtueses.

Problemet për pasurinë

Komisioni konkludon se Lekani ka deklaruar në mënyrë të pasaktë bashkëpronësinë në dy apartamente me sipërfaqe 74 m2 dhe 47 m2, me 1/3 pjesë nga trashëgimia ligjore e babait të saj, duke u përpjekur të fshehë nga kontrolli apo verifikimi marrëdhënien e plotë të pronësisë mbi këto pasuri e, për pasojë, edhe burimet e krijimit të tyre.

Lidhur me këto pasuri, subjekti ka deklaruar se pjesët e saj takuese 1/3-at i ka trashëguar nga babai I ndjerë. Ajo ka shpjeguar se pasuritë janë blerë në vitet 2002 dhe 2004 nga babai, me paratë e dërguara nga djali emigrant në Itali.

Komisioni ka konstatuar se subjekti ka banuar në këtë apartament nga momenti i blerjes, kur ajo ka qenë në kushtet e jetesës së përbashkët faktike me babain e saj. Ndërkohë, vëllai i subjektit është me banim në Itali që prej vitit 1992 dhe pasuritë nuk kanë kaluar asnjëherë në pronësi të tij, megjithëse ishte kontribuues i vetëm i krijimit të saj. Lekani rezulton bashkëpronare e 1/3-ve pjesë takuese, megjithëse sipas dispozitave ligjore, ajo duhej të kishte përfituar nga trashëgimia vetëm 1/6-ën e apartamenteve. Sipas KPK, çmimet e pasqyruara në kontratat e shitblerjes të vitet 2001 e 2004 në shumat 150 mijë lekë dhe 600 mijë lekë, nuk janë reale pasi sipas vlerës së tregut duhej të ishin në vlerat 2.8 milionë lekë dhe 2.1 milionë lekë.

“Komisioni arsyeton se çmimet e pasqyruara në kontratat e shitblerjes jo vetëm që nuk përputhen me vlerën mesatare në tregun e lirë të banesave, por janë jo-logjike, pasi apartamenti me sip. 74 m2 është blerë në vitin 2001 në shumën 150.000 lekë, ndërsa apartamenti me sip. 47 m2 , pas 3 viteve nga blerja e apartamentit të parë, duke pasur një sipërfaqe më të vogël, në të njëjtin pallat, është blerë në shumën 600.000 lekë, ndërkohë që sipas të dhënave të EKB-së82 nuk rezulton që çmimet në tregun e lirë të banesave në qytetin e Shkodrës të kenë pësuar ndryshime thelbësore gjatë viteve 2001 – 2004”, citohet në vendim dhe shtohet fakti se Lekani ka jetuar në këto apartamente dhe se ajo vetë ka deklaruar se ka bashkëjetuar me prindërit prej 2001-it dhe se kanë pasur ekonomi të përbashkët.

Bazuar në këto konstatime, për të shteruar çdo dyshim lidhur me krijimin e këtyre pasurive, është analizuar mundësia financiare e vëllait të subjektit, i cili ka rezultuar me bilanc negativ.

Komisionit shprehet se krijohen dyshime të arsyeshme se pasqyrimi në kontratat e shitblerjes së apartamenteve në cilësinë e blerësit të babait të Lekanit, e më pas deklarimi i saj në vitin 2016 dhe në deklaratën “veting”, se këto pasuri janë blerë me paratë e dërguara nga vëllai i saj, janë deklarime të pabesueshme dhe të bëra me qëllim që të shmangej kontrolli i burimit të krijimit të tyre.

Situatë e ngjashme konkludohet dhe për dy apartamente me sipërfaqe 88 m2 dhe 69 m2, të porositura nga babai i sbujektit në vitin 2011 në Shkodër, për çmimin total 113 mijë euro. Komisioni konkludon se Lekani është përpjekur të fshehë nga kontrolli apo verifikimi marrëdhënien e plotë të pronësisë mbi këto pasuri e, për pasojë dhe burimet e krijimit të tyre.

Këtë konkluzion, KPK e mbështet në gjetjet se subekti ka kryer deklarime kontradiktore lidhur me porositjen e apartamenteve nё vitin 2011; se nuk ka deklaruar pjesёn e saj takuese nё kёto apartamente, duke qenё se ka marrё dhe kredi pёr pagimin e një kёsti nё shumёn 3.5 milionë lekë; se nuk ka provuar bindshёm ekzistencёn e tё ardhurave tё ligjshme tё babait tё saj pёr pagesёn e kryer nё vitin 2011 dhe burimet për një pagesë 5000 euro në 2012-ën; se ka poseduar apartamentin nё vitin 2017, edhe pse nuk kishte shlyer mё shume se 50% tё vlerёs sё kontratёs; si dhe ka rezultuar se pushuar një hetim nё ngarkim tё investitorit tё apartamentit nё kushtet e njё marrёdhёnieje detyrimi ende tё pashlyer, duke u gjendur në nё kushtet e konfliktit tё interesit.

“Nё vlerёsimin tёrёsor tё kёtyre rrethanave arrihet nё pёrfundimin se kёto pasuri janё tё subjektit tё rivlerёsimit dhe nuk janё deklaruar me vёrtetёsi nё deklaratёn Vetting 2017 dhe ato periodike”, konkludon KPK.

Dyshime për fshehje janë ngritur dhe mbi një depozitim cash në shumën 990 mijë lekë nga nëna e subjektit.

Në vijim, Komisioni konstaton mungesë të burimeve financiare të ligjshme në shumën 2.6 milionë lekë të subjektit dhe babait të saj për depozitimet e kryera në një llogari dyemërore. Bilanc negativ rezulton dhe për një hua 2600 euro të dhënë nga mbesa në vitin 2004.

Profesionalizmi

Në katër çështje të verifikuara prej Komisionit, konstatohen mangësi në aspektin e njohurive ligjore. Po ashtu, humica e trupës e përbërë nga komisioneret Etleda Çiftja dhe Brundilda Bekteshi, kanë gjetur shkaqe shkarkuese në vendimarrjen e pushimit të çështjes ndaj investitorit të apartamenteve të porositur nga babai në 2011-ën, duke konkluduar se subjekti ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Lidhur me këtë çështje të vitit 2022, KPK i ka kaluar subjektit barrë prove se me vendimarjen e pushimit të këtij procedimi ka cënuar parimin e paanësisë, pasi mes saj dhe të kallëzuarve ekzistonte marrëdhënia juridikocivile me karakter pasuror që nuk kishte përfunduar për arsye të një detyrimi të pashlyer. Po ashtu, është konstatuar se subjekti me veprimet dhe mosveprimet e saj ka favorizuar të kallëzuarit dhe ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit, duke cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Në vijim, KPK konstaton se subjekti ka marrë masë disiplinore “Vërejtje” nga Prokurori i përgjithshëm për periudhën e rivlerësimit 2013-2016; si dhe se nuk ka kryer veprimet e nevojshme hetimore dhe ka interpretuar ligjin në mënyrë të gabuar në një procedim të vitit 2020, duke sjellë pasoja të rënda të interesave hstetërorë.

Në përfundim të vlerësimit të këtij kriteri, shumica e trupës së KPK ka çmuar se shkeljet e konstatuara nuk përshihen në kategorinë e atyre që plotësohen nëpërmjet programit të trajnimit pranë Shkollës së Magjistraturës, por se kanë cenuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.

Hamitaj në pakicë, nuk bie dakord me këtë qëndrim, duke i cilësuar të pamjaftueshme gjetjet që lidhen me kriterin e aftësive profesionale për të konkluduar se Lekani ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

“[…]Nuk mjafton konstatimi i problematikave në një çështje profesionale të izoluar për të mbërritur në konkluzionin e cenimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë, për sa kohë do të duhej një numër më i lartë dhe më i qartë shkeljesh etiko-profesionale – me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme me peshë specifike domethënëse, ku mund të jenë konsumuar shkelje tejet të rënda dhe qartazi të papërputhshme me funksionin e magjistratit”, arsyeton Hamitaj

Sipas tij, bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe të objektivitetit, përmbajtja e fakteve të evidentuara nuk mjafton për të përbërë një shkak shkarkimi në vetvete. Gjithashtu, ai vlerëson se edhe nëse do të ishin gjetur probleme në një seri çështjesh profesionale atëherë do të duhej të ishte konstatuar papërshtatshmëri profesionale dhe jo cënim i besimit të publikut. Hamitaj shton se në këtë kriter Komisioni do të duhej të shprehej nëse subjekti mbërrin ose jo në një nivel kualifikues.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *