Prokurori Pali Decolli pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Prokurori Pali Deçolli përballet pa probleme me vetingun

Prokurori Pali Deçolli i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës u përball pa probleme të enjten më 27 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore u relatuan raporte pozitive në të tre kriteret e rivlerësimit. Procesi i vetingut për Deçollin po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Pali Deçolli e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 2012 dhe e ka ushtruar funksionin për gati një dekadë si prokuror i Prokurorisë së Rrethit Durrës. Ai ka qenë gjithashtu si drejtues i komanduar i Prokurorisë së Rrethit Fier.

Komisioni ka hetuar mbi një apartament me sipërfaqe 110 m2 të blerë nga Deçolli në qytetin e Durrësit para fillimit të detyrës, në vitin 2003, kundrejt çmimit 2 milion lekë.

Pine u shpreh se dukej se çmimi i blerjes ishte më i ulët nga ai i referencës. Për rrjedhojë janë verifikuar edhe kontrata të tjera të shitjes së apartamenteve në atë pallat, prej nga janë konstatuar të njëjtat çmime prej Komisionit.

Prokurori Deçolli vërejti se në atë periudhë nuk kishte çmim reference. Ai theksoi faktin se dhe nga vetë hetimi i KPK kishte rezultuar se edhe apartamentet e tjera ishin shitur me të njëjtin çmim, duke këmbëngulur se nuk ka asnjë të dhënë për të ngritur dyshime për trajtim preferencial. Po ashtu, shtoi se nga verifikimet e Komisionit nuk rezultonte që të kishte hetuar ndonjë çështje të palës shitëse.

Si burim të kësaj pasurie subjekti ka deklaruar të ardhurat e tij nga pagat si jurist dhe oficer i policisë gjyqësore. Ai ka shpjeguar se pjesa më e madhe e shpenzimeve të jetesës përpara blerjes së apartamentit, është mbuluar nga nëna dhe vëllai në emigrim në Itali. Pine pohoi se rezultonte se familjarët e prokurorit kanë pasur mundësi financiare për ta ndihmuar për të mbuluar shpenzimet e jetesës, por sipas saj mbetet e paqartë mënyra dhe koha e dhënies së ndihmës.

Gjatë seancës dëgjimore, Deçolli shpjegoi se deri në vitin 2003, nëna dhe vëllai kishin mbuluar pjesën më të madhe të shpenzimeve të tij jetike, prej dhe nga kishte mundur të kursente 2 milionë lekë nga të ardhurat nga pagat. Ai tha se të ardhurat e tij nga pagat deri në vitin 2003 ishin në vlerën 2.5 milionë lekë.

Sipas Pines, prokurori Deçolli dhe bashkëshortja e tij kanë rezultuar me burime të ligjshme për blerjen e një njësie 29 m2 në vitin 2015, për vlerën 30 mijë euro. Relatorja tha se subjekti ka pasur mundësi të krijonte likujditetet që kanë shërbyer për pagesën e njësisë.

Po ashtu, ka rezultuar se Deçolli ka pasur mundësi për blerjen e dy automjeteve tip Benz, një në vitin 2012 kundrejt shumës 500 mijë lekë dhe tjetrin në 2015-ën për çmimin 120 mijë lekë. Me bilanc pozitiv ka rezultuar dhe krijimi i një depozite që në momentin e deklaratës “veting” ka qenë në shumën 15 mijë euro dhe i një gjendje cash 100 mijë lekë.

Nga hetimi Komisionit ka rezultuar se dhe prindërit e bashkëshortes kanë pasur mundësi për t’i dhuruar kësaj të fundit dhe vajzës shumën 5000 euro në vitin 2007. Nga analiza financiare e përgjithshme, prokurori Deçolli ka rezultuar me bilanc pozitiv.

Pine vërejti se, prej hetimit ka rezultuar se subjekti rezulton përfitues si bashkëpronar në një sipërfaqe toke në Berat, që është në proces shpronësimi. Prokurori Deçolli shpjegoi se bëhej fjalë për një pronë të trashëguar nga gjyshi dhe se ai është trashëgimtar ligjor së bashku me gjithë pasardhësit e tjerë. Subjekti pohoi se nuk mund të ketë kthim të kësaj toke, pasi është e zënë. Ai sqaroi se i kishin dhënë prokurorë të posaçme hallës së tij që të ndiqte gjithë procedurat ligjore për kompesimin e kësaj prone për të gjithë trashgimtarët ligjorë.

Prokurori Deçolli mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës. Po ashtu, nuk janë gjetur probleme në tre dosjet e përzgjedhura prej tij për t’iu nënshtruar rivlerësimit, si dhe as në pesë të shortuarat.

Pine tha se subjektit i janë kërkuar shpjegime për tre prej denoncimeve nga publiku. Një denoncim është kryer prej një të proceduari që pretendon se prokurorët kanë ngritur një akuzë që nuk qëndron.

Deçolli shpjegoi se bëhet fjalë për çështjen penale për pasojat e tërmetit të vitit 2019 ku humbën jetën 23 persona. Ai sqaroi se ishin konsultuar me Prokurorinë e Përgjithshme dhe me prokurorë italianë, duke arritur në konkluzionin që hetimet të kryheshin edhe për veprën penale të vrasjes. Subjekti pohoi se kjo akuzë ishte konfirmuar dhe nga gjykata.

Për një denoncim ku ngrihen pretendime për zhdukje të produktit të veprës penale, Deçolli shpjegoi se kishte vendosur mosfillimin për çështjet e kallëzuara nga denoncuesi, pasi kishte rezultuar që objekti të ishte gjë e gjykuar.

Në përfundim, prokurori Deçolli deklaroi se vlerësonte se kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet të premten, më 28 prill, në orën 09:55.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *