Gjyqtarja Nafije Hasko pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Gjyqtarja Nafije Hasko përballet pa probleme me vetingun

Gjyqtarja Nafije Hasko e Gjykatës Administrative të Tiranës u përball pa probleme të enjten më 27 prill 2023 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore u relatuan raporte pozitive për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, si dhe nuk u evidentuan probleme domethënëse në kriterin profesional.

Procesi i vetingut për Haskon po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Alma Faskaj dhe anëtare Pamela Qirko.

Nafije Hasko përfundoi studimet e Shkollës së Magjistraturës në vitin 2002 dhe punoi për gati një dekadë si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Fier. Prej vitit 2013, ajo e ushtron funksionin e gjyqtares pranë Gjykatës Administrative të Tiranës.

Relatorja Alma Faskaj sqaroi se Komisioni ka hetuar burimet e një apartamenti dhe nje garazhi të blerë nga bashkëshorti i subjektit përpara lidhjes së martesës. Megjithëse ka rezultuar pamundësi financiare për shlyerjen e një pjese të çmimit të këtyre pasurive, Komisioni nuk i ka kaluar subjektit barrë prove më argumentin se është pasuri e krijuar prej bashkëshortit përpara martesës.

Nga hetimi ka rezultuar se Hasko ka gjykuar pesë çështje të shoqërisë shitëse, por për shkak se këto çështje janë shqyrtuar nga subjekti disa vite pas blerjes së apartamentit, është vlerësuar se nuk ka konflikt interesi.

Komisioni nuk ka gjetur probleme as për një automjet të blerë nga vëllai i subjektit në vlerën 18 mijë euro, për të cilën janë lëshuar policia sigurimi edhe në emër të gjyqtares Hasko dhe bashkëshortit të saj. Sipas KPK, vëllai ka pasur burime të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie me të ardhura nga puna në emigracion.

Relatorja pohoi se me burime të ligjshme ka rezultuar të jetë ndërtuar edhe nje banesë me dy kate nga prindërit dhe vëllai i subjektit, pasuri në të cilën subjekti zotëron 1/6-ën pjesë takuese. Faksaj konstatoi se subjekti ka qenë studente në periudhën kur është krijuar kjo pasuri dhe nuk ka pasur të ardhura për të kontribuar.

Edhe për disa vlera të konsideruesyme të depozituara në llogaritë bankarë të prindërve të subjektit nuk janë gjetur probleme. Relatorja sqaroi se ato shuma janë përdorur për blerjen e mjetit nga vëllai dhe hapjen e aktivitetit nga ana e tij. Sipas Faskajt, subjekti as ka kontribuar dhe as ka përfituar prej këtyre transaksioneve.

Në seancë u tha se bashkëshorti ka pasur burime të ligjshme për krijimin e dy depozitave me të ardhura nga puna e tij. Komisioni ka hetuar edhe për burimet e blerjes së një apartamenti për çmimin 109 mijë euro, megjithëse ky transaksion është kryer pas plotësimit të deklaratës “veting”. Faskaj tha se ka rezultuar se subjekti dhe bashkëshorti kanë pasur burime financiare të mjaftueshme me blerjen e kësaj pasurie dhe se nuk janë gjetur probleme që lidhen me procesin e rivlerësimit.

Hasko mori vleresim pozitiv për pastërtinë e figurës, ndërkohë që u evidentuan gjetje për dy çështje të shqyrtuara nga subjekti. Në një rast është konstatuar se procesverbali i seancës nuk është nënshkruar në çdo faqe nga sekretarja gjyqësore ashtu si kërkohet nga ligji.

Hasko deklaroi se nënshkrimi është detyrë funksionale e sekretares gjyqësore dhe se është përgjegjësi e saj individuale.

Lidhur me pretendimin e ngritur në njërin prej 12 denoncimeve nga publiku, se nuk është njohur me vendimin pasi nuk ka qenë në seancën e shpalljes e për pasojë ka humbur të drejtën e ankimit, Hasko sqaroi se në vendim ishte shorehur se afati fillonte me njohjen e tij.

Në përfundim, gjyqtarja Nafije Hasko shprehu vlerësim për hetimin e Komisionit dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Komisioni njoftoi se vendimi do të shpallet më 28 prill, në orën 09:50.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *