Seanca e Kuvendit ku u miratua rezoluta | Foto: LSA
Lajme

Kuvendi rrëzon kandidatët nga avokatia për KLGJ e KLP

Kandidatët e zgjedhur me short nga radhët e avokatisë për 4 vende vakante në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë u rrëzuan të enjtën në seancë plenare pasi nuk arritën numrin e nevojshëm të votave.

Kandidatët për anëtarë të KLGJ-së, Artan Reçi dhe Albens Tabaku morën 61 vota pro, 2 kundër dhe 10 abstenim, ndërsa lista për KLP me avokatët Samir Kola dhe Erind Mërkuri mori 62 vota pro, 4 kundër dhe 4 abstenim.

“Për shkak se lista e kandidatëve nuk arriti të marrë shumicën e votave të kërkuara procedura do të përsëritet”- njofton Kuvendi.

Zgjedhja me short erdhi pasi mazhoranca dhe opozita në Nënkomisionin e Posaçëm të Ligjeve nuk arritën të gjejnë konsesus për emrat që do t’i shkonin seancën dhe të garantohej votimi i tyre me dy të tretat siç e kërkon ligji.

Anëtarët e opozitës, Gazment Bardhi dhe Dhurata Çupi,  e kontestuan procesin e përzgjedhjes së kandidatëve nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Genc Gjonçaj, si të deformuar dhe të politizuar dhe kërkuan futjen në listën finale të emrave të skualifikuar prej tij.

Sipas mazhorancës sjellja e opozitës ishte “paragjykim i procesit ligjor”, ndërsa Gjonçaj tha se kishe kryer vetëm detyrën që i caktonte Kushtetuta për verifikimin e kritereve ligjore të kandidatëve.

Ky nënkomision ka të drejtë të rihedhë shortin dhe të dërgojë emra të tjerë në seancë. Nëse edhe lista e dytë rrëzohet, në shortin e tretë rastësia do të përcaktojë se cilët do të jenë anëtarët e rinj të dy këshillave drejtues të drejtësisë, pasi lista e tretë quhet automatikisht fituese dhe votohet me shumicë të thjeshtë në seancë plenare.

Opsioni i zgjedhjes me gogla të anëtarëve të institucioneve drejtuese të drejtësisë po kthehet tashmë në një rregull për Kuvendin edhe pse ligji e ka parashikuar shortin si mekanizëm zhbllokues, kur nuk arrihet konsensusi politik.

Procesi i plotësimit të vakancave në dy këshillat është me 6 muaj vonesë pasi mandati i 6 anëtarëve të këshillave ka përfunduar që në muajin dhjetor.

Përveç 4 kandidatëve nga radhët e avokatisë Kuvendi duhet të zgjedhë edhe dy kandidatë nga radhët e shoqërisë civile, proces që duket se do të dështojë edhe në short nëse mazhoranca dhe opozita nuk gjejnë konsensus për listën e emrave.

Lista e dorëzuar nga Sekretari i Përgjithshëm ka skualifikuar 4 nga 6 emra gjithsej duke lënë vetëm 2 kandidatë në garë për 2 vende vakante në KLGJ e KLP.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *