Prokurori Elsion Sadiku gjatë seancës dëgjimore | Foto nga : LSA
Analiza Artikull kryesor Analiza KPA Në Fokus

Ligjshmëria e të ardhurave dhe dorëheqja nga një hetim rrëzuan Elsion Sadikun në KPA

Ankimi i ish-prokurorit u rrëzua nga shumica në KPA, e cila e gjeti atë me deklarim të pamjaftueshëm pasurie dhe cënim të besimit të publikut te drejtësia. Në pakicë relatorja Ina Rama kërkoi konfirmimin në detyrë e Sadikut, duke kundërshtuar qëndrimin e shumicës si për pasurinë dhe për profesionalizmin.  

Prokurori Elsion Sadiku gjatë seancës dëgjimore | Foto nga : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit la në fuqi në prill të këtij viti me shumicë votash shkarkimin nga detyra të prokurorit të Rrethit Gjyqësor Korçë, Elsion Sadiku, duke arsyetuar se ai kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë dhe kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Kjo vendimmarrje për Sadikun, siç del edhe nga vendimi i zbardhur nga KPA, u bazua kryesisht në mosmarrjen në konsideratë si burim i ligjshëm pasurie të kursimeve të bashkëshortes para martesës në shumën 1 milion lekë. Po ashtu nuk u konsiderua si i provuar pretendimi i Sadikut se kishte shpenzuar 200 mijë lekë kursime në pagesën e një kësti për shtëpinë dhe mangësi të tjera në deklarimin e pasurisë. Bazuar në këto argumente KPA me shumicë votash, ripohoi qëndrimin e KPK që vendosi se Sadiku kishte bërë  “deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë”.

KPA në shumicë po ashtu la në fuqi vlerësimin në kriterin profesional. Edhe pse shumica e trupës gjykuese rrëzoi një nga argumentet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe vlerësoi se edhe argumenti tjetër nuk qe i mjaftueshëm për tu cilësuar mangësi profesionale, arriti në një përfundim të njëjtë me KPK duke u shprehur se Sadiku vetë kishte dëshmuar se dorëheqja nga çështjet “është një sjellje e vazhdueshme”.

Bazuar mbi këto arsyetime shumica e përbërë nga Ardian Hajdari kryesues dhe Albana Shtylla, Luan Daci dhe Sokol Çomo anëtarë, arsyetuan se vendimi i shkarkimit ishte i drejtë.

Ndërkohë relatorja Ina Rama, ndërsa pranon në arsyetimin e saj se Sadiku nuk kishte provuar dot plotësisht pasurinë e ligjshme, nënvizon se problemet e tij nuk ishin të mëdha dhe “nuk duhej konsideruar si një deklarim i pamjaftueshëm”.

Rama, duke iu referuar dorëheqjes së Sadikut nga një çështje pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të hetuar, shprehet se ajo  “nuk meriton të ngrihet në nivelin e një shkeljeje që ka cenuar besimin e publikut”.

Vendimi për shkarkimin e Sadikut u mor më 27 korrik nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, prej treshes së kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relator Olsi Komici dhe anëtar Lulzim Hamitaj. KPK pretendon se ndërsa analiza e pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit dhe ajo profesionale nga Prokuroria e Përgjithshme, nuk gjetën probleme, hetimi i Komisionit e gjeti Sadikun të papërshtatshëm në kriterin e pasurisë dhe atë të profesionalizmit.

Sadiku, prokuror në Prokurorinë e Korçës ishte përfshirë në listën prioritare për shkak të kandidimit për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Ankimi i subjektit

Elsion Sadiku e kundërshtoi vendimin e KPK-së duke pretenduar në Kolegj se ai ishte “i pa bazuar në prova, në referim të gabuar të ligjit, në vlerësim të gabuar të fakteve”.

Sipas ish-prokurorit KPK kishte vendosur për pasurinë e tij ndryshe nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) pa pasur prova të reja të ndryshme nga ato të institucionit ndihmës.

Po ashtu subjekti kërkoi KPA të cilësonte si referim të gabuar në ligj, argumentimin e KPK për shkarkimin e tij.

“Duke qenë se subjekti nuk është as në kushtet e mosdorëzimit të deklaratës së pasurisë vetting dhe as nga Komisioni nuk është konkluduar se subjekti ka fshehur pasurinë”, thuhet në ankimin e cituar nga Kolegji.

Sadiku po ashtu mbështeti ankesën në faktin që nuk kishte “deklaruar dhe as dispononte” dyfishin e pasurisë së ligjshme. Ai pretendoi se kishte prova se bashkëshortja kishte qenë në marrëdhënie pune para datës 1 korrik 2009 dhe se KPK në këtë rast kishte bërë vlerësim të gabuar të fakteve.

Subjekti rivlerësimit argumentoi se kishte deklaruar me saktësi të ardhurat dhe se kishte qenë detyrim i punëdhënësit për të deklaruar pagën reale dhe “shlyer detyrimet tatimore përkatëse të përllogaritura sipas kësaj page”.

Nisur nga qëndrimi i KPK-së për mosdeklarimin e një shume prej 400 mijë lekësh në vitin 2009 të përfituar nga shitja e një makine, Sadiku pretendoi se ajo shumë ishte shpenzuar në të njëjtin vit për blerje të një makine tjetër.

Po ashtu ai nënvizoi se deklarimi dy herë brenda vitit 2006 i të ardhurave nga Shkolla e Magjistraturës  është “një gabim minimal njerëzor, tërësisht i paqëllimtë”. Sadiku kundërshtoi rezultatet e analizës financiare dhe pretendoi se KPK “ka krijuar standarde të dyfishta në trajtimin e diferencave të rezultuara të pambuluara me burime të ligjshme nga analiza financiare”

Ai po ashtu kërkoi rrëzim të pjesës së dytë të vendimit të KPK sa i përket kriterit profesional, duke pretenduar “se hetimi i kryer prej tij (në çështjen e denoncuar), lidhur me këtë procedim penal ka qenë i thelluar”. Po ashtu ai referoi se deri sa çështja e dytë për të cilën ishte denoncuar ishte në hetim nuk mund të përdorej për masë ndëshkimore ndaj tij.

Subjekti e cilësoi vlerësimin profesional të bërë nga KPK të “vetëm mbi bazën e dy denoncimeve, si të pambështetur në ligj dhe në prova”.

Qëndrimi i shumicës

Shumica e trupës gjykuese të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, e përbërë nga kryesuesi, Ardian Hajdari dhe anëtarët Albana Shtylla, Luan Daci dhe Sokol Çomo, rrëzoi shumicën e pretendimeve të ngritura në ankim Sadikut.

KPA në shumicë e cilësoi të pabazuar pretendimin e prokurorit Elsion Sadiku se vendimi i KPK-së është krejtësisht i ndryshëm nga ai i ILDKPKI, dhe se nuk është i bazuar “në prova të tjera apo të reja”, duke argumentuar se Komisioni “mund të kryejë hetime dhe të ketë qëndrimet e konkluzionet e tij të pavarura e të pandikuara nga institucionet ndihmëse”.

Shumica po ashtu çmoi ndryshe nga sa pretendon ish-prokurori, se Komisioni është referuar saktësisht në ligj dhe se nuk e ka shkarkuar atë për fshehje të pasurisë, por sepse “ai nuk ka arritur nivel të besueshëm, si pasojë e pasaktësive në deklarimin e burimeve financiare, deklarimit të pamjaftueshëm të të ardhurave, burimeve financiare të paligjshme, si edhe balancës financiare negative për vitet 2011, 2013”.

Kolegji po ashtu arriti në përfundimin se Komisioni ka konstatuar në mënyrë të drejtë situatën faktike në lidhje me punësimin e bashkëshortes së ish-prokurorit “duke arritur në konkluzionin se nuk provohet nga asnjë dokumentacion ligjor ekzistenca e një marrëdhënieje punësimi”.

Kolegji rrëzoi edhe pretendimin se deklarimi i të ardhurave të bashkëshortes për vitin 2009 në shumën 488.896 lekë ishte i saktë. Në arsyetimin e shumicës thuhet se nuk është dhënë ndonjë shpjegim ‘logjik’ se përse paga e bashkëshortes është zvogëluar tre herë në vitet 2010 dhe 2011 nga shuma që ka marrë gjatë periudhës 2007-2009, ndërkohë që eksperienca e saj profesionale me kalimin e viteve është rritur.

Shumica arrin në përfundimin se Sadiku nuk provoi burimin e ligjshëm të krijimit të pasurisë së deklaruar në formën e likuiditetit cash, në vlerën e 1 milionë lekëve, të deklaruar nga personi i lidhur në vitin 2008.

Po ashtu Kolegji e ka gjetur të drejtë konkluzionin e KPK se subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm të të ardhurave në deklaratën e vitit 2009, duke mos pasqyruar vlerën prej 400 mijë lekësh, të përfituar nga shitja e automjetit “Mercedes Benz” në pronësi të tij.

Por KPA ka gjetur të pabazuar konkluzionin e KPK-së lidhur me pasaktësinë e deklarimit të të ardhurave të përfituara prej Sadikut nga bursa si student pranë Shkollës së Magjistraturës. KPA ka mbajtur qëndrim ndryshe edhe për analizat financiare të viteve 2011 dhe 2013 të kryer nga KPK, por edhe pse i ka zbritur disa prej shpenzimeve të konsumit familjar, analiza sipas Kolegjit ka rezultuar sërish negative edhe pse në shumat respektive prej rreth 100 mijë dhe 130 mijë lekësh.

Shumica në Kolegj ka arsyetuar se në analizë nuk mund të konsideroheshin 200 mijë lekë kursime që Sadiku pretendonte se i kishte shpenzuar në vitin 2011 për të paguar këstin e shtëpisë, pasi ato nuk ishin deklaruar shprehimisht si të shpenzuara.

KPA ka gjetur të drejtë mospërfshirjen e vlerës 1 milion lekë në analizën e vitit 2013, pasi nuk është arritur të provohet burimi i ligjshëm i krijimit, duke krijuar kështu një “hendek” në bilancin e Sadikut. Ndërkohë në këtë vendim Kolegji i ka kërkuar KPK të mos konsiderojë më si kursime dietat që prokurorët dhe gjyqtarët kanë marrë.

“Kolegji orienton Komisionin që për zgjidhjen e çështjeve të ngjashme në të ardhmen të mos konsiderojë si të ardhura të subjekteve të rivlerësimit dhe personave të lidhur me ta, vlerat monetare të përfituara në formën e dietës për rimbursimin e shpenzimeve nga organizatorët e aktiviteteve të ndryshme profesionale ku ata kanë qenë pjesëmarrës…”, thuhet në vendimin e KPA-së.

Ndërkohë, Kolegji nuk e ka marrë për bazë as ankimin e subjektit për zbatim të standardeve të dyfishta nga Komisioni në vendimmarrjet e tij dhe vlerësimit “jo të njëjtë të diferencave të pambuluara me burime të ligjshme të evidentuara nga analiza financiare e subjekteve të rivlerësimit”. Sipas KPA vendimet janë individuale. “Çdo vendimmarrje e Komisionit vlerësohet në mënyrë individuale, bazuar në specifikat e gjendjes faktike të provuara nga gjykimi dhe zbatimit të duhur të ligjit për situatën konkrete faktike dhe jo nga mënyra se si mund të jenë rivlerësuar subjektet e tjera të rivlerësimit nga Komisioni”, thuhet në vendim.

Ndërkohë sa i përket profesionalizmit KPA ka rrëzuar tërësisht një nga argumentet e KPK-së. Pretendimi se Sadiku nuk kishte kryer hetime të plota sa i përket padisë ndaj dy pedagogëve të Universitetit të Korçës për falsifikim dokumentesh, u rrëzua nga Kolegji. “Për sa analizuar më sipër, trupi gjykues e vlerëson të pabazuar konkluzionin e arritur nga Komisioni lidhur me këtë çështje”, thuhet në arsyetim.

Në anën tjetër ndërsa ka pranuar pjesërisht argumentet e Sadikut se nuk mund të cilësohej si “mangësi profesionale” vendimi i tij për të mos filluar  hetimet për një çështje, KPA arsyetoi se ai kishte “cënuar besimin e publikut te drejtësia”.

Kolegji arsyetoi se ky “nuk është një rast i vetëm, i izoluar në karrierën e tij si prokuror, por sikundër ka pohuar vetë subjekti para Komisionit në seancën dëgjimore, është një sjellje e vazhdueshme, e provuar edhe nëpërmjet akteve të paraqitura prej tij si provë, e çon trupin gjykues në konkluzionin se kjo sjellje e subjektit cenon besimin e publikut”.

Mendimi i pakicës

Ndryshe nga kolegët e saj, relatorja e çështjes, Ina Rama, ka votuar kundër shkarkimit të prokurorit Elsion Sadiku, duke i cilësuar të drejta shkaqet e ankimit të tij në pjesën më të madhe të tyre.

Ajo ndan të njëjtin qëndrim me shumicën e trupës gjykuese se prokurori Sadiku nuk ka provuar dot ligjshmërinë burimit të shumës prej 1 milionë lekësh, të pasqyruar në deklaratën periodike të vitit 2008 si të ardhura të bashkëshortes.

Por, pavarësisht këtij konkluzioni gjyqtarja e vlerëson ndryshe nga shumica, duke theksuar se të dhënat që vijnë në dijeni të trupës rreth ekzistencës së kësaj marrëdhënieje “kanë indikatorë të rëndësishëm, që të bëjnë të besosh se ka ekzistuar një marrëdhënie e shkëmbimit të shërbimeve profesionale kundrejt pagesës në periudhën 2007-2009”.

Për ankimin kundër qëndrimit të Komisionit për deklarim të pasaktë të të ardhurave të personit të lidhur për vitin 2009, relatorja Ina Rama ka ndarë qëndrim të ndryshëm me shumicën e trupit gjykues, duke mos e konsideruar si një pasaktësi që mund të ngrihet në nivel të një shkaku për shkarkim.

Në lidhje me shkaqet e ankimit që i drejtohen analizës financiare të kryer në Komision, relatorja del në përfundime të ndryshme. Ajo thotë se shuma prej 200 mijë lekësh duhej konsideruar si e shpenzuar dhe se kjo ndryshonte bilancin në favor të Sadikut.

“Në deklaratën periodike të vitit 2011, subjekti vërtet nuk ka deklaruar pakësimin e gjendjes cash për pagimin e këstit të parë për blerjen e një shtëpie, por ka deklaruar si burim për pagimin e kësaj shume, kursimet në vite të tij dhe të bashkëshortes së tij”, thuhet në arsyetimin e Ramës.

Lidhur me qëndrimin e shumicës për konsiderimin ose jo të dietave si e ardhur, Rama shprehet se përveç zbatimit të legjislacionit tatimor për përcaktimin e tyre, do të duhej të trajtohej edhe situata faktike që përcakton përftimin e tyre.

Relatorja Rama i cilëson të rregullta dy prej gjetjeve të Komisionit për pasurinë: mosprovueshmërinë e faktit të ekzistencës së marrëdhënies së punës së bashkëshortes së prokurorit Sadiku në klinikën dentare dhe, për pasojë dhe mungesën e burimeve financiar të ligjshme për të krijuar pasuritë në vitin 2013, në vlerën 328.947 lekë.

Por, ajo shpreh mendimin se prokurori Elsion Sadiku duhet të konfirmohet në detyrë përsa i përket kriterit të pasurisë duke arsyetuar se Kolegji dhe Komisioni duhet të vlerësonin edhe rrethanat, por edhe shumën e pajustifikuar ligjërisht.

”Analiza e tij financiare nuk demonstron defekte të rënda në drejtim të burimeve të ligjshme, për të justifikuar të gjitha pasuritë e të gjitha shpenzimet e tij për jetesë”, arsyeton Rama.

Rama kundërshton shumicën edhe në argumentet që lidhen me dorëheqjen e Sadikut nga çështja për të cilën ai është kallëzuar. Ajo e cilëson dorëheqjen si “institut i së drejtës procedurale penale, i sanksionuar për të shmangur, ndër të tjera, çdo paragjykim apo njëanshmëri në trajtimin e një çështjeje”.

Gjyqtarja Rama shprehet se dorëheqja në këtë rast vlerësohej nga eprori dhe nuk ishim para faktit se ishte refuzuar zbatimi i një vendimi gjykate.

“Gjithashtu, në çfarëdo rasti, vetëm një situatë e tillë si ajo që lidhet me subjektin e rivlerësimit, nuk meriton të ngrihet në nivelin e një shkeljeje që ka cenuar besimin e publikut”, shprehet Ina Rama.

Ajo në pakicë ka kërkuar ndryshimin e vendimit të KPK dhe konfirmimin e Sadikut në detyrë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *