Gjyqtarja Marjana Velçani në KPA
KPA Lajme Veting

Marjana Velçani kundërshton si të pabazuar vendimin e Komisionit dhe kërkon konfirmimin në KPA

Ish-kryetarja e Gjykatës Administrative të Durrësit, Marjana Velçani paraqiti të hënën më 3 maj parashtrimet dhe konkluzionet përfundimtare lidhur me ankimin që ajo ka kryer kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK që e shkarkoi nga detyra për mungesë burimesh dhe deklarim të pamjaftueshëm të pasurive.

Marjana Velçani u shkarkua nga detyra me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 12 dhjetor 2019. Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, ajo rezultoi me mungesë burimesh të ligjshme për blerjen e një apartamenti, një makine si dhe për shpenzimet familjare.

Velçani paraqiti parashtrime të gjata në seancën e të hënës që vijoi për më shumë se pesë orë e gjysmë, duke lexuar gjatë gjithë kohës me ritëm shumë të shpejtë dhe më së shumti në mënyrë të pakuptueshme – megjithëse iu tërhoq disa herë vëmendja nga trupi gjykues që të përmblidhte qëndrimin e saj dhe të fliste më ngadalë për të bërë të mundur përkthimin simultant në funksion të vëzhguesit ndërkombëtar.

Velçani kërkoi të administroheshin një sërë dokumentesh në cilësinë e provës me të cilat tha se provohej e vërteta e procedurës së marrjes së një kredie që kishte shërbyer për blerjen e një apartamenti në Berat në vitin 2003. Si në parashtrime ashtu dhe në konkluziuonet përfundimtare, subjekti i rivlerësimit kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe konfirmimin e saj në detyrë.

Në fund të seancës ajo dha shpjegime për një sërë pyetjesh të drejtuara nga relatorja e çështjes, gjyqtarja Albana Shtylla, që kishin të bënin me mardhënien që subjekti dhe bashkëshorti kishin pasur me administratorin e shoqërisë ndërtuese nga kishin blerë apartamentin në Berat. Velçani deklaroi se marrdhënia kishte qenë njerëzore dhe korrekte.

Kolegji administroi një pjesë të provave dhe pasi mbylli hetimin gjyqësor vendosi të shpalli vendimin më datë 26 maj, në orën 09:30.

Kundërshtimet

Problemi kryesor i evidentuar prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimiit, KPK në vlerësimin e pasurisë së Velçanit ishte blerja e një apartamenti me sipërfaqe 111 m2 në Berat në vlerën e 3 milionë lekëve. Sipas Komisionit, gjyqtarja Mariana Velçani ka pasur mungesë burimesh të ligjshme prej 1.5 milionë lekësh si dhe ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm.

Për këtë pasuri të rivlerësuar në nëntor të vitit 2011 në vlerën 6.3 milionë lekë, Velçani ka deklaruar si burim krijimi të ardhura nga paga në shumën 300 mijë lekë dhe një kredi në vlerën 20 mijë euro në Alpha Bank, që është disbursuar më datë 2 korrik 2003, rreth tre muaj pas blerjes së apartamentit.

Sipas KPK, në kontratën e kredimarrjes nuk është parashikuar qëllimi i përfitimit të kësaj vlere dhe nuk rezulton që kredia të ketë kaluar me transaksion bankar në favor të shoqërisë ndërtuese, ndërkohë që kredia është përfituar bazuar në këtë pasuri që është lënë si kolateral.

Tjetër problem që evidenton Komisioni është diferenca e madhe e vlerës së deklaruar nga subjekti për arredimin e apartamentit në Berat, me atë të përshkruar në kontratën e marjes së një kredie në vitin 2009. Sipas Velçanit, shpenzimet për arredimin kanë qenë në shumën 321 mijë lekë, ndërsa në dokumentacionin e kredisë përcaktohen në vlerën 2 milionë e 30 mijë lekë.

Gjyqtarja Velçani falënderoi Kolegjin për çeljen e hetimit dhe deklaroi se kredia e marrë në vitin 2003 për banesën, nuk rezultonte të ishte disbursuar 3 muaj pas blerjes së apartamentit ashtu si konstaton Komisioni, por për rreth 35 ditë.

Sipas saj, para nënshkrimit të kontratës së shit-blerjes së apartamentit ishte paguar vetëm shuma 2500 USD, ndërsa pjesa tjetër e çmimit pas marrjes së kredisë. Subjekti deklaroi se për tjetërsimin e pasurive në atë periudhë, nuk kishte detyrim që të verifikohej kalimi i shumës nga noteri. “Qëllimi i kredisë për blerje apartamenti është i përcaktuar në kontratën e marrjes së kredisë”, pohoi Velçani dhe theksoi se nxjerrja e certifikatës së pronësisë për këtë apartament për llogari të saj e të bashkëshortit lidhej pikërisht me marrjen e kredisë, pasi nevojitej kolateral.

Velçani këmbënguli se, megjithëse në kontratën e shit-blerjes përcaktohej se çmimi ishte shlyer jashtë zyrës noteriale, pagesa ishte kryer pas disbursimit të kredisë. Për të vërtetuar këtë fakt ajo tha se ka dorëzuar në Komision mandat-pagesat dhe se aksionerët e shoqërisë ishin të gatshëm të dëshmonin për një fakt të tillë.

Relatorja Shtylla solli në vëmendje se subjekti kishte deklaruar se mandat-pagesat për llogari të shoqërisë pas nënshkrimit të kontratës së shit-blerjes, ishin ruajtur aksidentalisht. “I keni ruajtur ju?”, pyeti Shtylla, por subjekti tha se mandat-pagesat i kishte mbajtur bashkëshorti.

Velçani kërkoi që të thirreshin si dëshmitarë administratori i shoqërisë nga ka blerë apartamentin në 2003-in në Berat; ekspertët që kanë kryer vlerësimet e apartamenteve në Berat dhe në Tiranë dhe për arredimin e tyre; si dhe të kryhet ekspertim i arredimit.

Për të konkluduar mbi vlerën e arredimit, subjekti kërkoi të merren si prova rreth 28 foto të apartamentit në Berat. Ajo theksoi se nuk ishte i vërtetë konkluzioni i KPK-së për vlerën e arredimit dhe se një ekspertim i tanishëm do të konkludonte atë që ajo pretendonte, se mobiljet ishin të vjetra dhe pa vlerë.

Velçani këmbënguli se kredia e marrë në vitin 2009 nuk kishte shërbyer për arredimin e apartamentit në Berat. Bazuar në këto argumente, subjekti pretendoi se kishte pasur burime të ligjshme edhe për blerjen e automjetit tip “Ford Fiesta”. Po ashtu, Velçani kërkoi kryerjen e analizës financiare bazuar në pretendimet e saj.

“Dokumentet e dorëzuara dhe deklarimet e mia janë në nivel provash”, pohoi subjekti. Ajo theksoi se kishte deklaruar në vitin 2003 se apartamenti në Berat ishte blerë me kursimet ndër vite dhe me kredinë e marrë në atë vit. “Nuk qëndron pretendimi i Komisionit se kam mungesë burimesh në shumën 1.5 milion lekë për blerjen e apartamentit në Berat. Pasaktësitë nuk mund të shërbejnë për shkarkim”, pohoi Velçani.

Edhe përfaqësuesja ligjore e Velçanit e cilësoi të pabazuar vendimin e Komisionit. Sipas saj, KPK ka pasur një shkallë të lartë paragjykimi në vlerësimin e subjektit. “Duhet që vendimi të mos jetë subjektiv, por i bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit”, pohoi avokatja e Velçanit dhe i kërkoi KPA-së që të mbante në vëmendje se pasaktësitë e subjektit ishin të paqëllimshme dhe pa pasoja.

Kolegji vendosi të mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe pasi gjyqtarja Velçani konfirmoi se i qëndronte kërkimit për ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe konfirmimit të saj, seanca për shpalljen e vendimit u shty për të enjten, më 26 maj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *