Prokurori Altin Dumani konfirmohet dhe avancon drejt SPAK-ut
Lajme

Prokurori Altin Dumani konfirmohet dhe avancon drejt SPAK-ut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë drejtuesin e Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, Altin Dumani. I renditur i pari për t’u zgjedhur në Prokurorinë e Posaçme, Dumani pret tashmë që vendimi të marrë formën e prerë.

Prokurori Altin Dumani pas vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: Vladimir Karaj.

Kreu i Apelit për Krime të Rënda, Altin Dumani vazhdon rrugëtimin për në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, pas vendimit të konfirmimit në detyrë nga Komisioni i Pavarur të Kualifikimit.

Vendimi u shpall nga kryesuesja Firdes Shuli dhe u prit me duartrokitje në sallë.

Altin Dumani e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 1999, ndërsa në vitin 2000 është emëruar drejtues i Prokurorisë së Tropojës. Në vitin 2004, Dumani u zgjodh prokuror i Krimeve të Rënda ku ka mbajtur edhe pozicionin e zv.drejtuesit deri në vitin 2007. Po në këtë vit, u transferua në Prokurorinë e Tiranës në pozicionin e zv.drejtuesit në sektorin e krimit ekonomik.

Në vitin 2010, Altin Dumani u promovua në Prokurorinë e Apelit të Tiranës dhe prej fillimit të vitit 2019 është komanduar si drejtues i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda. Ai u rendit i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e SPAK-ut, ndërkohë që emërimi mund të kryhet vetëm pas vendimit të formës së prerë nga institucionet e vetingut.

Në seancën dëgjimore të së mërkurës, prokurori Altin Dumani mori vlerësime pozitive për pasurinë, figurën dhe profesionalizmin. I vetmi problem i ngritur nga relatori Roland Ilia lidhej me pagesën e tatimit të të ardhurave të përfituara nga dhënia me qira e dy apartamenteve dhe një zyre, por Dumani e kundërshtoi këtë pretendim dhe deklaroi se kishte dorëzuar prova shterruese që vërtetonin shlyerjen e detyrimeve.

“Lidhur me pagesën e tatimeve mendoj se kam sjellë dokumente shteruese. Kam qenë i kujdesshëm për çdo kontratë që tatimet të paguheshin. Kur qiramarrësi ka qenë në cilësinë e personit fizik, i kam paguar unë tatimet. Kur ka qenë në cilësinë e personit juridik, ligji përcakton se tatimin në burim e paguan qiramarrësi. Këtë detyrim e kam vendosur në kontratë, kam qenë i kujdesshëm edhe për shkak të punës”, pohoi Dumani.

“Kështu që bie poshtë çdo hije dyshimi”, theksoi ai.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *