Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Prokurorja e proceduar penalisht u përpoq pa sukses të zvarriste vetingun

Rovena Gashi i drejtoi 14 kërkesa procedurale Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, një ONM-së dhe një Gjykatës së Strasburgut, në një përpjekje të dëshpëruar për të zvarritur procesin e vetingut, i cili i zbuloi pasuri të fshehura, mungesë burimesh financiare dhe deklarime të rreme.

Lulzim Hamitaj, Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK | Foto : LSA

Prokurorja Rovena Gashi nuk ishte prezent të premten në mëngjes në seancën e saj dëgjimore të mbajtur nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit si pjesë së procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Megjithatë, mungesa në seancën dëgjimore nuk do të thotë që Gashi ka qenë pasive në këtë proces, pasi ka tentuar pa sukses ta pezullojë ose të zvarrisë vetingun pas përzgjedhjes në nëntor si pjese e listës prioritare.

Pas fillimit të hetimit administrativ Gashi ka bërë të paktën 15 këkesa procedurale, ku përfshihen dhe 4 kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues, të cilat sipas KPK-së kanë pasur qëllimin ‘zvarritjen’ e procesit të vetingut. Përveç ankesave në KPK për përjashtimin e trupit gjykuese, Gashi ka bërë një kërkesë për përjashtimin e përfaqësuesit e  Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit  dhe një apelim në Gjykatën Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasbug.

Megjithatë, përpjekjet e prokurores së Prokurorisë së Përgjithshme nuk ka dhënë rezultatin e kërkuar, pasi KPK ka vazhduar me procesin e rivlerësimit për kriterin e pasurisë duke zbuluar pasuri të fshehura, deklarimeve të rreme dhe mungesë burimesh financiare nga Gashi dhe personat e lidhur.

Rovena Gashi e ka filluar karrierën në Prokurori në vitin 2004. Ajo ka punuar si prokurore në Tiranë nga viti 2004 deri në vitin 2013, kur u emërua në krye të Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme. Gashi e mbajti këtë detyrë deri në fund të dhjetorit 2017, kur kryeprokurorja e re Arta Marku e uli në detyrë.

Ndërsa në maj 2018, Prokuroria regjistroi procedimin penal ndaj saj dhe bashkëshortit Dritan Gina, të cilët po hetohen për pasurinë e tyre, ndërkohë që Marku i pezulloi të dy nga detyra. Çifti i prokurorëve Gashi-Gina iu drejtuan Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të kontestuar vendimin e pezullimit të tyre nga kryeprokurorja e përkohshme, Marku, por kjo kërkesë u rrëzua nga Kolegji.

Trupa gjykuese e KPK-së që ndërmori procesin administrativ ndaj Rovena Gashit përbëhej nga kryesuesja Genta Tafa Bungo, anëtarja Pemela Qirko dhe relatori Lulzim Hamitaj. Kërkesa e fundit procedurale e prokurores, e përbërë nga 27 faqe, i drejtua KPK-së mëngjesin e së premtes, me anë të së cilës ajo shyprehej se rezultatet e hetimit ishin paragjykuar por megjithatë ajo kërkonte konfirmimin në detyrë.

“Kjo trupë gjykuese e ka marrë vendimin në 30 nëntor 2017, data e shortit për listën prioritare,” shprehej Gashi në deklaratën e saj të shkruar që u lexua në sëancë nga kryesuesja Genta Tafa Bungo. “Gjithësesi kërkon konfirmimin në detyrë,” shtoi Tafa Bungo.

Mungesa e Gashit apo e një përfaqësuesi ligjor në seancë nuk ndikoi mbarëvajtjen e procesit, i cili vazhdoi me leximin e relacionit të hetimit administrativ nga relatori Lulzim Hamitaj. Ky i fundit shpjegoi se fillimisht relator i çështjes kishte qenë Suela Zhegu, por kjo e fundi ishte dorëhequr në fillim të procesit pas një kërkese të subjektit.

Gashi u bë pjesë e listës prioritare të vetingut përpara regjistrimit të procedimit penal, për shkak të kandidimit të saj për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Si pjesë e hetimit administrativ të pasurisë së subjetit, KPK ka administruar raportin e Inspektoriatit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Konfiltit të Interesit, ILDKPKI, sipas të cilit deklarimi i pasurisë së subjektit nuk është i saktë, ka mungesë burimesh financiare, ka kryer deklarim të rremë, por nuk ka fshehje pasurie apo konflikt interesi.

Pasi ka administruar raportin e ILDKPKI, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka ndërmarrë një hetim të pavarur për pasurinë, të ardhura dhe shpenzimet e subjektit dhe personave të lidhur – bashkëshortit Dritan Gina dhe të atit Nuredin Gashi. KPK ka marrë në shqyrtim një apartament 105 m2 në plazhin e Shkëmbit të Kavajës në Durrës të blerë nga kompania Balkan Investment Group Sh.a [BIG], një apartament 137.5 m2 në rrugën Qemal Stafa në Tiranë të blerë nga ENI Sh.p.k, analizën financiare të subjektit, si dhe pasuritë e paluajtshme dhe të ardhurat dhe investimet e personit të lidhur Nuredin Gashi.

Sipas KPK-së në vitin 2011, çifti Gina dhe Gashi ka deklaruar blerjen e një apartamentit tek Shkëmbi i Kavajës me sipërfaqe 105 m2 dhe vlerë 80,000 euro. Sipas kontratës të lidhur me kompaninë Balkan Investiment Group më datë 30 nëntor 2011, apartamenti do të paguhej me 2 këste – 30,000 euro dhe 50,000 euro. Sipas deklarimeve të dhëna nga çifti Gina dhe Gashi në KPK, burimi i të ardhurave për pagesën e apartamentit ka qenë një kredi prej 45,000 euro nga Raiffeisen Bank dhe trajtimi preferencial me faljen e 35,000 eurove nga Oliver Ushina – aksioner i kompanisë së ndërtimit dhe njëherazi kunat i subjektit. Nga hetimi i KPK-së ka rezultuar se për këtë apartament subjekti ka mospërputhje të kohës së posedimit dhe pagesave, ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për dy këstet 30,000 euro dhe 50,000 sipas deklaratës noteriale, ndërkohë që ka mospërputhje midis deklarimeve të Znj. Gashi dhe personit të lidhur Oliver Ushina. Gjithashtu, sipas KPK-së për këtë apartament subjekti ka bërë deklarata noteriale fiktive dhe ka dhënë përgjigje të pasakta në deklaratën veting.

Më tej relatori Luan Hamiti u ndal tek një tjetër pronë e familjes Gashi – Gina, një apartament 137 m2 në rrugën Qemal Stafa në Tiranë të deklaruar në ILDKPKI në vitin 2013, si dhuratë nga personi i lidhur Nuredin Gashi. KPK ka zbuluar një kontratë shitje për këtë apartament midis investitorit dhe çifti Gina-Gashi me vlerë 38,800 USD, ndërkohë që akti noterial me personin e lidhur Nuredin Gashi nuk përbënte kontratë dhurimi por heqje dorë nga ky i fundit nga e drejta për një kontratë sipërmarrje të lidhur më parë për të njejtin apartament. Subjekti Rovena Gashi ka pranuar në deklaratën veting se ka jetuar në Tiranë që nga vitit 2006 në apartamentin në rrugën Q.Stafa, por KPK pretendon se efektivisht ka jetur tek kjo adresë që nga viti 2004 – një e dhënë që nuk është deklaruar në ILDKPKI. Në përfundim mbi këtë pronë KPK konstaton se subjekti nu e ka deklaruar në ILDKPKI në vitet 2005-2013 këtë pronë dhe ka bërë deklarim të rremë për posedimin/përdorimin e apartamentit. Si çifti Gina- Gashi dhe personi i lidhur Nuredin Gashi kanë pasur mungesë burimesh financiare në vitin 2004 për blerjen e apartamentit.

Relatori Luan Hamiti është ndaluur edhe tek analiza financiare e shpënzimeve dhe të ardhura të subjektit, duke zbuluar vlera negative në vitet 2010, 2011, 2012, 2013 dhe 2015 që variojnë nga 103 mijë lekë në 2012 e deri në 4.1 milionë lekë në 2011 , për një total mungesë burimesh financiare prej 7.9 milionë lekë.

“Në vitiet e sipërcituara familja Gashi –Gina ka psur mungesë burimesh financiare për shpenzimet jetike dhe investimet në pasuri të paluajtshme,” deklaroi relatori.

Hetimi administrativ i KPK është shtrirë gjitashtu te personi i lidhur Nuredin Gashi për të cilin KPK ka ndërmarre një analizë financiare dhe ka zbuluar se ka një vlerë negative për të ardhurat dhe shpenzimet në periudhën 1990-2004, dhe nuk justifikon dot blerjen e apartamentit ne Tirane prej 38,800 USD. Gjithashtu sipas KPK-së ne vitet 2004- 2016, Nuredin Gashi ka investuar në pasuri të paluajtshme 8 herë më shumë se ka pasur të ardhura. Blianci negativ financiar i tij për vitet 1990-2016 kap vlerën 85 milionë lekë.

Për sa i përket personit të lidhur Nuredin Gashi, KPK ka zbuluar dhe 15 kontrata me OSHEE, Subjekti ka kthyer përgjigje se në fakt janë 16 kontrata të lidhura nga Gashi me OSHEE-në. Nga të cilat 2 kontrata i përkasin një magazine dhe një banese në Durrës, 2 kontrata i përkasin 2 apartamenteve të blera nga BIG Sh.a, dhe 12 apartamente janë në pronësi të BIG Sh.a. Gashi e ka shpjeguar lidhjen e kontratave të OSHEE-së për apartamentet e BIG Sh.a me punën e tij si administrator i pallatit ku ato ndodhen. Edhe pse u shpreh se ka dyshime të arsyeshme mbim lidhjen e subjektit me këto prona, Komisioni nuk ka qenë i aftë të arrijë në një konkluzion mbi ato.

Në përfundim të relacionit, Hamiti u shpreh se sjellja e subjektit nuk kishte qenë bashkëpunuese dhe madje nëpërmjet kërkesave të shumta për përjashtimin e trupit gjykues ose pezullimin e vetingut, ajo kishte qenë ‘tendencioze.’

Në përmbyllje të seancës kryesuesja Genta Tafa Bungo, njoftoi se vendimi për prokuroren Rovena Gashin do të shpallet me datë 25 korrik 2018 në orën 9:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *