Prokurorja Englantina Shehu pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Prokurorja Englantina Shehu përballet pa probleme me vetingun

Prokurorja Englantina Shehu e Prokurorisë së Durrësit u përball të martën më 28 mars 2023 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku dha shpjegime për burimet financiare për blerjen e një automjeti nga bashkëshorti si dhe për dy çështje profesionale. Shehu mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.

Procesi i vetingut për prokuoren Shehu po kryhet nga trupa e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Alma Faskajn. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Englantina Shehu përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 dhe u emërua prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier. Prej vitit 2021, ajo e ushtron detyrën në Prokurorinë e Durrësit.

Komisioni nuk ka gjetur probleme për burimet e krijimit të një apartamenti në Tiranë, të blerë në vitin 2015 për çmimin 52 mijë euro. Si burime krijimi të kësaj pasurie, subjekti ka deklaruar një kredi në vlerën 4.2 milionë lekë të marrë në 2015-ën; shumën 20 mijë euro të dhuruar si ndihmë nga prindërit e bashkëshortit që e kanë krijuar me të ardhurat nga puna dhe prej ekzekutimit të një vendimi gjyqësor; si dhe kursime të bashkëshortit në masën 2000 euro.

Zhegu konstatoi se deklarimet e subjektit për shlyerjen e dy kësteve në vitet 2014 dhe 2015 kanë rezultuar të sakta. Nga hetimi administrativ është konstatuar se prindërit e bashkëshortit dhe ky i fundit kanë pasur burime financiare të ligjshme për krijimin e shumave 20 mijë euro dhe 2000 euro. Po ashtu ka rezultuar se pas disbursimit të kredisë, është kryer pagesa e këstit të dytë në vlerën 30 mijë euro në favor të palës shitëse.

Sipas Komisionit, subjekti ka pasur mundësi për krijimin e një depozite në vitin 2014 në shumën 462 mijë lekë, me burim të ardhurat nga pagat.

Ndërkohë, nga analiza financiare ka rezultuar bilanc negativ në vlerën 424 mijë lekë për blerjen e një automjeti tip “Benz” nga bashkëshorti në vitin 2015, kundrejt çmimit 6500 euro. Si burime krijimi të kësaj pasurie të luajtshme, subjekti ka deklaruar të ardhurat e bashkëshortit si gazetar dhe pedagog.

Pasi falënderoi Komisionin për hetimin administrativ të kryer, Shehu u ndal në barrën e provës për balancën negative në blerjen e automjetit nga bashkëshorti. Ajo vërejti se nuk ishin përfshirë në analizë të ardhurat e bashkëshortit nga puna në një shoqëri mediatike gjatë periudhës 2009-2012, kur ai ndiqte studimet e larta.

Subjekti deklaroi se kishte dorëzuar prova që vërtetojnë se pagesat e bashkëshortit nga shoqëria janë kryer nëpërmjet transfertave bankare dhe me përshkrimin përkatës si pagesë kundrejt shërbimeve si punonjës i jashtëm. Sipas Shehut, bashkëshorti gjatë studimeve mund të punonte me kohë të pjesshme, ndërsa pas diplomimit në vitin 2012 kishte filluar punë me kohë të plotë.

Subjekti solli në vëmendje jurispudencën e KPA-së, që sipas saj, të ardhura të tilla janë konsideruar si burime të ligjshme dhe janë përfshirë në analizat financiare. “Me konsiderimin e këtyre të ardhurave përmbyset balanca negative”, deklaroi Shehu.

Lidhur me aspektin profesional, u evidentuan gjetje për dy çështje, një nga pesë të shortuarat për të cilën u konstatua se vendimi për zgjatjen e hetimeve nuk u është njoftuar personave në hetim; ndërsa çështja tjetër kishte lidhje me një prej 13 denoncimeve të depozituara nga publiku. Denoncuesi, një përmbarues gjyqësor, ngrinte pretendim se subjekti ishte bërë pengesë për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor, duke mos vendosur në dispozicion dosjet për të cilat kishte urdhëruar gjykata.

Lidhur me gjetjen për dosjen e shortuar, subjekti deklaroi se personat nën hetim kanë marrë njoftim për zgjatjen, pasi një gjë e tillë ishte bërë për kryerjen e veprimeve procedurale ndaj tyre. Ajo vërejti se e drejta e ankimit lind pas marrjes dijeni.

Lidhur me pretendimin e ngritur nga shoqëria përmbaruese, subjekti deklaroi se denoncuesi në këtë rast kishte përmendur vetëm vendimin e gjykatës së parë që urdhëronte vendosjen në dispozicion të dosjeve të sekuestruara, por ajo theksoi se Apeli e kishte rrëzuar, duke lejuar vijimin e sekuestrimit të dokumenteve.

Zhegu evidentoi edhe disa kallëzime penale të kryera ndaj prokurores Shehu, në të cilët janë ngitur pretendime nga palët në çështjet e verifikuara prej saj, për të cilat tha se është vendosur mosfillim hetimi nga prokuroritë që i kanë shqyrtuar.

Në përfundim të seancës, prokuorja Englantina Shehu kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 29 mars, në orën 09:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *