Ndihmësja ligjore, Jurida Bajraktari (djathtas) dhe avokatja e saj pas seancës në KPK. Foto: Vladimir Karaj.
KPK Lajme Veting

KPK ngre pikëpyetje mbi karrierën e ndihmëses ligjore

Veç relatimit dhe shpjegimeve me shkrim të dhëna në seancë, ndihmësja ligjore e Gjykatës Administrative të Apelit, Jurida Bajraktari u përball të hënën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK,  me një sërë pyetjesh dhe komentesh në fund të seancës mbi pasaktësitë në deklarimin e pasurisë dhe mungesës në dukje të kualifikimit të saj për të qenë ndihmëse në gjykatë.

Trupa e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Valbona Sanxhaktari dhe anëtar Lulzim Hamitaj*, vuri në dukje se Bajraktarit i ishte kaluar barrë prove mbi mundësitë financiare për blerjen e një makine, mosdeklarimin e mënyrës së përdorimit të dy kredive dhe mosdeklarimi e një banese në posedim dhe një kontrate qiraje të bashkëshortit.

Komisioni po ashtu vuri në dukje si gjetje se Këshilli i Lartë Gjyqësor kishte arsyetuar se subjektit nuk mund t’i bëhej një vlerësim profesional, pasi kishte mungesë të dokumenteve ligjore të përpiluara prej saj. Po ashtu, KPK theksoi se në dukje Bajraktari, e cila ishte emëruar si ndihmëse në korrik 2016 nga kryetari i atëhershëm i Gjykatës Administrative të Apelit, nuk plotësonte formalisht kriterin e vjetërsisë në punë për të pasur këtë pozicion.

Avokatja Romina Zano, që përfaqësoi Bajraktarin në seancë dhe vetë subjekti i kundërshtuan gjetjet e Komisionit. Zano që lexoi mbrojtjen i tha KPK-së se pasuria për të cilën ishte kaluar barrë prove ishte venë 10 vjet para fillimit të detyrës. Zano po ashtu këmbënguli se pasaktësitë nuk ishin të qëllimshme dhe se deklarimet e subjektit u jepnin shpjegim atyre.

Bajraktari ndërhyri vetëm pas këmbënguljes së kryesueses së trupës që kërkoi shpjegime prej saj sa i përket profesionalizmit. Ajo pretendoi se kishte eksperiencën e duhur për pozicionin e punës.

Siç doli në relatim, periudha e rivlerësimit për Bajraktarin ishte rreth 7 muaj. Ajo kishte filluar punë në Gjykatës Administrative të Apelit në korrik 2016 dhe kishte plotësuar deklaratat për efekt të vetingut në janar 2017. Më herët, Bajraktari kishte punuar si juriste në një kompani private dhe prej vitit 2012 deri në emërim deklaronte si punë ndihmën juridike vullnetare në një shoqatë të basketbollit për femra.

Barra e provës mbi pasurinë

Nga relatimi i Sanxhaktarit dhe përgjigjet e avokates Zano rezultoi se Bajraktari dhe bashkëshorti si person i lidhur i saj, kishin vetëm një makinë si pasuri të tyren. Makina ishte blerë në vitin 2007 dhe ishte deklaruar në deklaratën veting nga ndihmësja ligjore me burime nga puna e bashkëshortit në Kosovë.

Sanxhaktari tha se pretendimet për të ardhura nga biznesi i bashkëshortit në Kosovë ishin deklarative dhe se nuk ishin provuar me dokumente. Ajo tha se subjektit i ishte kërkuar të dokumentonte këtë pasuri.

Zano nga ana e saj tha se bëhej fjalë për një makinë të blerë 10 vjet para se Bajraktari të fillonte detyrën dhe i kërkoi KPK-së të mbante në konsideratë një përgjigje nga administrata tatimore në Kosovë sipas të cilës dokumentet e kësaj natyre të kohës kur vendi administrohej nga UNMIK nuk ishin ruajtur. Avokatja këmbënguli se subjekti ishte treguar e sinqertë, pasi mund të kishte deklaruar si burim të pasurisë edhe aktivitetin e vjehrrit dhe vjehrrës dhe ata kishin të ardhura të mjaftueshme.

Por Sanxhaktari në një ndërhyrje në fund të seancës tha se KPK e kishte marrë në konsideratë kohën e vënies së pasurisë dhe subjektit i ishte kërkuar vetëm të provonte vërtetësinë e deklarimeve të saj në veting.

Ndërkohë, në relatim u vu në dukje se Bajraktarit i ishte kaluar barrë prove edhe në lidhje me mosdeklarimin e plotë të dy kredive konsumatore marrë prej saj dhe bashkëshortit. Sipas Sanxhaktarit, nuk ishte e qartë përse ishin përdorur kreditë dhe nuk ishte e qartë se sa ishte shuma cash e mbetur prej tyre dhe e përdorur më pas për të paguar këstet e kredive.

Zano tha se kreditë ishin përdorur për ristrukturim e riparim të shtëpisë me qira në të cilën jetonte subjekti. Ajo tha se ishte e pamundur të llogaritej e deklarohej cashi në kohën e bërjes së deklaratës veting.

Sa i përket një kontrate qiraje për një lokal mes bashkëshortit dhe një personi të tretë, e cila nuk ishte deklaruar, Zano pretendoi se kontrata ishte prishur me gojë disa ditë pas nënshkrimit. Ajo solli si provë edhe dëshminë e qiradhënësit. Zano tha se kontrata nuk kishte dhënë asnjë efekt dhe për këtë nuk ishte deklaruar.

Zano pretendoi edhe se nuk duheshin marrë në konsideratë mosdeklarimi i të qenit të bashkëshortit si solidarë në një kredi të marrë nga e ëma e tij dhe mosdeklarimi i një siguracioni në emër të tij për një makinë të babait, të cilën ai nuk e kishte përdorur.

Debati mbi profesionalizmin

Ndërsa nuk iu gjetën probleme të figurës, Bajraktari u përball me një sërë pikëpyetjesh që u ngritën sa i përket kriterit të aftësive profesionale. Sanxhaktari tha se formulari i vetëdeklarimit nuk ishte plotësuar formalisht saktë dhe nuk ishte firmosur në të gjitha faqet.

Ajo tha se Këshilli i Lartë Gjyqësor kishte bërë me dije se për shkak se mungonin dokumentet ligjore dhe arsyetimet e subjektit në çështje, nuk ishte i mundur të bëhej vlerësimi profesional. Sipas Sanxhaktarit për periudhën e rivlerësimit nuk kishte dokumente që të tregonin nëse subjekti ishte e aftë të arsyetonte apo nëse kishte njohuritë e duhura ligjore.

Avokatja Zano pretendoi se e përfaqësuara prej saj kishte pasur një ngarkesë të plotë pune. Ajo tha se KPK-së i ishin vënë në dispozicion materiale të përgatitura prej saj, ndërsa e cilësoi materialin e vetëdeklarimit formalisht të plotë, deri sa ishte nënshkruar në fund nga subjekti.

Nga ana e saj, relatorja po ashtu vuri në dukje se edhe testimi në Shkollën e Magjistraturës kishte prodhurar të dhëna mikse. Sipas saj, Bajraktari kishte marrë vetëm 40 pikë në testimin e parë nga 100 të mundshme dhe 132 në testimin e dytë. Ajo tha se nga pikët e mara rezultonte se ajo nuk kishte marrë 60 për qind të pikëve të kërkuara.

Vetë Bajraktari pretendoi se testimi i parë e kishte skualifikuar atë vetëm nga mundësia për të qenë gjyqtare, ndërsa pretendoi se në testimin e dytë kishte marrë pikë të mjaftueshme.

Por Sanxhaktari tha se nga shqyrtimi i dokumentacionit, KPK-së i rezultonte se në dukje Bajraktari nuk kishte pasur vitet e duhura të eksperiencës për të marrë postin e ndihmëses ligjore. Sanxhaktari shpjegoi se ndër kriteret ishte kërkesa për të pasur 7 vjet eksperiencë si juriste në disa institucione apo si avokate.

Zano në mbrojtje të subjektit përmendi faktin se veç punës në kompaninë private, Bajraktari kishte licensën e avokates dhe po ashtu kishte dhënë vullnetarisht ndihmë juridike për një shoqatë të basketbollit për femra.

Kryesuesja e trupës, Genta Tafa nuk u duk e kënaqur me këtë shpjegim. Në ndërhyrjen e saj, Tafa i kërkoi Zanos të lejonte Bajraktarin të shpjegonte vetë situatën profesionale, duke këmbëngulur se trupa kërkonte të dëgjonte arsyetimin e saj ligjor. “Nëse avokatja nuk e konsideron këtë shkelje të të drejtave të njeriut, do donim të dëgjonim subjektin,” tha Tafa.

Pasi Zano miratoi, kryesuesja u përfshi në një diskutim me Bajraktarin në lidhje me eksperiencën në punë, edhe pse pranoi në seancë se KPK nuk mund të vinte në diskutim vendimin e komisionit Ad-Hoc që e kishte kualifikuar atë.

Tafa i kërkoi subjektit të sqarohej nëse ajo mendonte që e kishte pasur eksperiencën për të marrë vendin e punës dhe pse kishte aplikuar për një vend pune për të cilin në dukje nuk i plotësonte kriteret formale. “Unë nuk aplikoj dot në NASA, sepse nuk jam astronome,” tha Tafa, që shtoi se subjekti kishte refuzuar t’i jepte Komisionit një CV për karrierën e saj.

Bajraktari këmbënguli se kishte pasur eksperiencë dhe se kishte menduar që i plotësonte kriteret.

Pas kësaj, Tafa kërkoi sqarime nëse licensa e avokatit, pa e ushtruar profesionin, konsiderohej si eksperiencë pune. Ajo i tha Bajraktarit se kërkonte mendimin e saj si ndihmëse ligjore në këtë rast, duke ngritur një situatë hipotetike në të cilën përfshiu edhe veten. “Unë kam licensën e avokatit prej 20 vjetësh, por nuk kam shkuar asnjëherë në gjykatë. A më konsiderohet kjo si eksperiencë pune?”, tha Tafa.

Bajraktari këmbënguli se situata nuk ishte hipotetike dhe nuk ishte ky rasti.

Në fund të seancës, Bajraktari kërkoi konfirmimin në detyrë. Vendimi pritet të njoftohet nga KPK në datën 20 korrik në orën 9.45.

 

Shënim: Shkrimi u korrigjua për të saktësuar se anëtar i trupës së KPK në seancë ishte Lulzim Hamitaj dhe jo Pamela Qirko. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *