Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Vendimi i zbardhur, Binaj rrëzoi gjetjet e hetimit administrativ të KPK-së

Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Vlorës Altin Binaj u konfirmua nga KPK, ndërsa në vendimin e zbardhur rezulton se ai ia doli të rrëzoi gjetjet e hetimit administrativ.

Kreu i Prokurorisë së Apelit tëVlorës, Altin Binaj, | Foto : LSA

Dyshimet për sipërfaqen reale të një pasurie të blerë nga bashkëshortja në vitin 2008 dhe analiza financiare për tre vite, ishin problemet me të cilat u përball prokurori Altin Binaj gjatë procesit të rivlerësimit.

Binaj, drejtues i Prokurorisë së Apelit në Vlorë, u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 23 janar. Në vendimin e zbardhur Komisioni arsyetoi se prokurori arriti të bindte për të kundërtën e barrës së provës, për disa nga çështjet që u gjetën prej hetimit administrativ.

Çështjet për të cilat Binaj dha shpjegime përfshinë ndër të tjera dyshimet se një apartament 56 metra katror ishte  dubleks, por ky pretendim u rrëzua. Po ashtu atij iu kalua barra e provës për të justifikuar të ardhurat dhe shpenzimet në tre vite. Komisioni i kryesuar nga Genta Tafa (Bungo) me anëtare Pamela Qirko e relatore Xhensila Pine, i kërkoi Binajt të justifikonte burimin e 600 mijë lekëve të përdorura për mobilimin e një apartamenti në Orikum.

Komisioni në vendimin e zbardhur bën me dije se Binajt nuk iu gjetën probleme as në kriteri profesional dhe as në atë të pastërtisë së figurës. Dy denoncime ndaj tij u cilësuan pa indicie dhe të pabazuara prej KPK-së.

Binaj e ka filluar karrierën në institucionin e Prokurorisë në Shqipëri në mesin e viteve ‘90. Ai ka mbajtur postin e zv.drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës si dhe ka drejtuar prokuroritë e Fierit dhe të Durrësit gjatë viteve 2008-2013. Në vitin 2013, prokurori Altin Binaj u emërua në Prokurorinë e Përgjithshme, ku kryesoi drejtorinë e hetimit të korrupsionit. Prej vitit 2016, Binaj drejton Prokurorinë e Apelit të Vlorë.

Barra e provës

Nga vendimi i zbardhur i KPK-së rezulton se Binajt iu kalua fillimisht barra e provës, pasi KPK gjetur të dyshimtë shënimin e veçantë në kartelën e një pasurie të blerë në vitin 2008

“Nga formulimi i shkresës kthim përgjigje, nr. *** prot., datë 24.10.2018, të ZVRPP-së Vlorë, ku në shënimin e veçantë në kartelën e pasurisë përshkruhet se “….kati bazë me sipërfaqe 56 m2 dhe kati shtesë me sipërfaqe 56 m2”,është e paqartë nëse apartamenti është një apo dy kate”, thuhet në vendimin e zbardhur. KPK po ashtu kërkoi sqarime për mënyrën se si ishte bërë pagesa për këtë pasuri.

Sipas vendimit rezulton se Binaj ka mohuar që të kishte një dupleks, madje ai i tha KPK-së se “asnjë pjesëtar tjetër i familjes sime nuk ka pasur ndonjëherë në pronësi, apo në posedim, dhe as ka banuar ndonjëherë në apartament të tillë”. KPK tha se ai solli prova të mjaftueshme për të përmbysur këto dyshime.

Komisioni madje vendosi të mos bënte verifikim të apartamentit në vend, pasi gjeti të mjaftueshme shpjegimet e Binajt, sipas të cilave bëhej fjalë vetëm për një sipërfaqe 56 metra katrorë dhe jo për dy të tilla.

Binaj po ashtu qe në gjendje të provonte sipas Komisionit se për këtë apartament ishin paguar të gjitha tatimet dhe detyrimet financiare.

Atij iu kalua barra e provës edhe “në lidhje me pamjaftueshmërinë financiare në vitin 2008 për krijimin e pasurisë në likuiditete prej 15.000 (pesëmbëdhjetëmijë) eurosh për prenotimin e zyrës së avokatisë për bashkëshorten, si dhe për përballimin e shpenzimeve të kryera në atë vit, me burime të ligjshme të ardhurash”.

Binaj siç del nga vendimi i zbardhur solli një sërë dokumentesh për të provuar të ardhurat e bashkëshortes. Bazuar në vendim rezulton se problemi për këtë vit u krijua prej një gabimi të Drejtorisë së Tatimeve Vlorë. Prokurori i tha Komisionit se ai nuk mund të mbante përgjegjësi për këtë gabim, ndërsa solli dokumente nga bashkia për pagimin e detyrimeve për 2 milion lekë të ardhura.

Pas këtyre dokumeneteve analiza financiare ndryshoi dhe megjithëse diferenca rezultoi negative, për KPK shuma nuk qe e tillë që të cënonte besimin e publikut të drejtësia. Sipas vendimit të zbardhur nga hetimi i Komisionit Binaj rezultoi me një mungesë prej 698 mijë lekë, por pas rivlerësimit dhe marrjes në konsideratë të të ardhurave të bashkëshortes diferenca rezultoi vetëm 18 mijë lekë.

E ngjashme rezultoi situata për dy vitet të tjera në të cilat Binaj kishte sipas KPK diferencë negative në burime të ligjshme. Për vitin 2011 Binaj justifikoi shpenzimet e kryera me një shumë parash që ishte tërhequr nga sistemi bankar në fund të vitit 2010.

Në vendim rezulton se Binaj i provoi KPK-së se këto para nuk ishin përdorur për asgjë tjetër dhe ishin shpenzuar në vijim për shkollimin e fëmijëve dhe shpenzime jetese. Ndërkohë për vitin 2013 Binaj u justifikua se një shpenzim prej 600 mijë lekësh për mobilimin e një apartamenti në Orikum ishte ndarë në vite dhe nuk ishte bërë i gjithi në këtë vit.

Nga vendimi i zbardhur rezulton se KPK pranoi këtë justifikim dhe e ndau këtë shpezim në tre vite. “Në përgjigje të barrës së provës, subjekti i rivlerësimit shpjegoi se shpenzimet për arredimin e apartamentit në Orikum në shumën fikse prej 600.000 lekësh nuk janë vetëm për vitin 2013”, thuhet në vendim. Në fund KPK vendosi të konfirmonte Binajn. Sipas Komisionit ai kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret e vettingut.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *