Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Gjyqtarja e Kushtetueses, Altina Xhoxhaj “ngel” në testin e KPK-së për pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi “mospërputhje deklarimesh, mosjustifikim dhe mungesë të ardhurash”, ndërkohë që gjyqtarja Altina Xhoxhaj i quajti llogaritë e KPK-së të gabuara dhe kërkoi rikonfirmimin në detyrë.

Nga një seancë e mëparshme e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: Besar Likmeta/BIRN

Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj u ballafaqua të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por dështoi të kalonte testin e justifikimit të pasurisë.  Sipas trupës së kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Genta Tafa Bungon, hetimi administrativ për pasurinë e gjyqtares Xhoxhaj ka zbuluar “mospërputhje deklarimesh, mosjustifikim pasurie dhe mungesë të ardhurash”.

Pavarësisht se mori dritën jeshile nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, gjyqtarja Xhoxhaj iu nënshtrua hetimit të thellë administrativ dhe rivlerësimit të pasurisë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Paralelisht me pasurinë, hetimi administrativ i KPK-së u fokusua edhe në aftësitë profesionale dhe integritetin e gjyqtares Xhoxhaj.

Hetimi administrativ i KPK-së përfshiu një apartament 101 metra katrorë në rrugën “Reshit Petrela”, i blerë në vitin 2005 për 61 mijë euro, një truall dhe një apartament 2+1 me verandë në Gjirin e Lalzit, kursimet e gjyqtares Xhoxhaj në vlerën e 6.3 milionë lekëve si dhe kursimet e bashkëjetuesit të saj në vlerën e rreth 61 mijë dollarëve dhe 15 mijë eurove.

Relatorja Brunilda Bekteshi tha në seancën dëgjimore se gjyqtarja Xhoxhaj ka qenë bashkëpunuese përgjatë gjithë procesit të rivlerësimit. “Nuk mund të themi të njëjtën gjë për dokumentacionin justifikues që ajo ka paraqitur,” shtoi Bekteshi.

Sipas relatores, hetimi administrativ ka konstatuar mospërputhje mes deklaratave periodike dhe deklaratës së kryer për efektin e vetingut sa i përket apartamentit 101 m2 në Tiranë dhe mosjustifikim të kësaj pasurie në vlerën e 4.8 milionë lekëve. Për apartamentin në Gjirin e Lalzit, KPK ka konstatuar mungesë të ardhurash në vlerën e 450 mijë lekëve si dhe përfitimin e 100 metrave truall më shumë sesa sipërfaqja që i takon.

Sa i përket kursimeve në vlerën 6.3 milionë lekë të Xhoxhajt dhe 61 mijë dollarë e 15 mijë euro të bashkëjetuesit të saj, Komisioni vlerësoi se “nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet dhe mbajtje të sasisë cash përtej limitit ligjor të lejuar”.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, e cila shqyrton integritetin apo lidhje të mundshme me krimin e organizuar raportoi përshtatshmërinë me detyrën të gjyqtares Xhoxhaj, ndërsa Këshilli i Lartë i Drejtësisë vlerësoi gjyqtaren Xhoxhaj për njohuri të gjera ligjore dhe etikë profesionale, por evidentoi gjithashtu raste të arsyetimeve me vonesë të vendimeve gjyqësore. Në shqyrtim është marrë edhe një denoncim për konflikt të mundshëm interesi.

Përfaqësuesja ligjore e gjyqtares Xhoxhaj i hodhi poshtë gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe deklaroi se “gjyqtarja Xhoxhaj pret rikonfirmimin në detyrë, pasi gjatë detyrës së saj ka paraqitur sjellje profesionale, etike dhe integritet të lartë”.

Ajo shtoi se raportet e institucioneve si ILDKPKI, DSIK dhe KLD e konfirmojnë këtë dhe se subjekti ka paraqitur të gjithë dokumentacionin që vërteton “jetën modeste dhe të ardhurat që i tejkalojnë pasuritë e deklaruara”.

Përfaqësuesja ligjore e Xhoxhajt është ndalur te shpenzimet e kryera për udhëtime jashtë vendit të gjyqtares Xhoxhaj dhe bashkëjetuesit të saj, apartamenti në Tiranë dhe apartamenti i dytë në Gjirin e Lalzit. Sipas saj, dokumentacioni i dorëzuar në KPK vërteton se udhëtimet janë kryer për shkak të detyrës dhe vetëm një numër i papërfillshëm ka qenë për arsye private, ndërsa apartamenti në rrugën “Reshit Petrela” në Tiranë është blerë sipas saj nga bashkëjetuesi i gjyqtares, të ardhurat e të cilit e mbulojnë këtë investim.

“Apartamenti në Ishëm është blerë me kontribut të përbashkët dhe është investimi i vetëm që gjyqtarja Xhoxhaj ka bërë në jetën e saj,” tha përfaqësuesja ligjore, duke vënë në dyshim llogaritë e bëra nga KPK.

“Subjekti ka pasur gjatë karrierës së saj të ardhura totale në vlerën e 25.7 milionë lekëve dhe shpenzime totale në vlerën e 9.3 milionë lekëve,” shtoi ajo, duke këmbëngulur se dokumentet vërtetojnë burimet e ligjshme.

Me tone të forta në fund të seancës dëgjimore, gjyqtarja e Kushtetueses, Altina Xhoxhaj tha se kishte besuar se procesi i rivlerësimit do të kryhej në respektim të ligjeve dhe do të bazohej në të tre shtyllat e rivlerësimit.

“Llogaritë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit janë kryer apriori. Pa e njohur ligjin për deklarimin e pasurisë, më keni ngarkuar me barrë prove nga viti 1992-2000 për bashkëjetuesin dhe kam paraqitur prova të plota,” tha Xhoxhaj.

“Kërkoj rikonfirmimin në detyrë, sepse gjatë gjithë jetës sime kam pasur burime të ligjshme pasurie,” përfundoi ajo.

Pas konkluzioneve përfundimtare të Xhoxhajt, trupa e KPK-së vendosi të shpallë vendimin më 25 prill.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *