Drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella, e cila kandidon për një vend në Prokurorinë e Posaçme, SPAK do të përballet të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.Drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella, e cila është njëherazi edhe kandidate për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK do të përballet të premten më 4 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i rivlerësimit për prokuroren Jella po kryhet nga trupa gjyqësore e përbërë nga Xhensila Pine, Etleda Çiftja dhe Valbona Sanxhaktari.
Anita Jella ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1999 dhe Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002. Ajo e ka filluar karrierën si prokurore në Elbasan në vitet 2001-2003 dhe më pas ka punuar si drejtuese e Prokurorisë së Librazhdit deri në vitin 2007.
Pas rikthimit për një vit në Prokurorinë e Elbasanit, Jella u emërua prokurore në Prokurorinë e Durrësit, ku e ushtron funksionin prej 10 vitesh. Më 9 maj 2018, Anita Jella u caktua përkohësisht drejtuese e Prokurorisë së Durrësit.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurores Anita Jella nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se prokurorja Jella nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2003, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria e saj familjare kap vlerën e 9.9 milionë lekëve, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej rreth 713 mijë lekësh.
Në fund të vitit 2017, pasuria e patundshme përbën pjesën kryesore të aseteve me vlerë 9.3 milionë lekë, ndërkohë që subjekti deklaron familjarisht kursime në cash prej 450 mijë lekësh dhe një automjet me vlerë 150 mijë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 25.7 milionë lekë. Rreth 57% e të ardhurave burojnë nga paga për shkak të funksionit të prokurorit, ndërsa rreth 40% kanë si burim pagën e bashkëshortit.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 14 deklaratat që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” hapjen e llogarive bankare në vitin 2010 nga subjekti dhe bashkëshorti i saj me qëllim aplikimin për vizë. Shumat e depozituara janë përkatësisht 400 mijë dhe 500 mijë lekë, me burim nga llogaria rrjedhëse e nënës së bashkëshortit.
Gjithashtu në vitin 2016, subjekti deklaron një apartament banimi me sipërfaqe 113 m2 dhe vlerë 67 900 euro, e përfituar nga ana e bashkëshortit të subjektit në këmbim të heqjes dorë nga një apartament i mëparshëm i blerë në vitin 2011 në të njëjtën godinë. Në fund të vitit 2017, detyrimi ndaj firmës ndërtuese për këtë apartament është 12 900 euro.
Deklarata e pasurisë së vitit 2003
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë për vitin 2007
Deklarata e pasurisë për vitin 2008
Deklarata e pasurisë për vitin 2009
Deklarata e pasurisë për vitin 2010
Deklarata e pasurisë për vitin 2011
Deklarata e pasurisë për vitin 2012
Deklarata e pasurisë për vitin 2013
Deklarata e pasurisë për vitin 2014
Deklarata e pasurisë për vitin 2015
Deklarata e pasurisë për vitin 2016
Deklarata e pasurisë për vitin 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al