Prokurori i Apelit të Vlorës, Pelivan Malaj pas seancës së dytë dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

KPA përfundon pa vendim vetingun e prokurorit Pelivan Malaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të martën më 14 maj vendimin për ndëprerjen e vetingut të ish-prokurorit Pelivan Malaj pa një vendim përfundimtar, me argumentin se objekti dhe qëllimi i këtij procesi ëshë bërë i pamundur. Kjo vendimarrje vjen pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP vendosi më 17 prill që të nxirrte në pension prokurorin Malaj, pak ditë para se ankimi i tij të shqyrtohej në Kolegj.

Prokurori Pelivan Malaj u shkarkua në vitin 2021 nga KPK për mungesë të burimeve financiare, deklarim të rremë dhe dy raste të konfliktit të interesit. Malaj e ankimoi vendimin në KPA dhe njëkohësisht i kërkoi KLP-së që t’i zgjatej mosha e pensionit – çka i mundësoi marrjen e 70% të rrogës edhe për tre vjet, ndërkohë që ishte i pezulluar nga detyra. Zgjatjen e moshës së pensionimit me tre vjet ai e përfitoi në shtator 2022, kur mbushi moshën 67 vjeç.

Pasi KPA shpalli datën e seancës për t’u zhvilluar më 22 prill, KLP pranoi me urgjencë një kërkesë tjetër të Malajt për daljen e tij në pension, vendimarrje që u mor në kapërcim të procedurave. Për rrjedhojë, u deklarua edhe mbarimi i statusit të magjistratit për këtë prokuror. Procedura e nxjerrjes në pension të Malajt u debatua në mbledhjen e 17 prillit mes anëtarëve të KLP.

Më 22 prill, kur duhej që të shqyrtohej ankimi i Malajt, trupi gjykues i KPA-së i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relator Sokol Çomo dhe anëtare Albana Shtylla, Ina Rama e Natasha Mulaj, vendosi me shumicë votash që të pranojë kërkesën e tij për shtyrjen e seancës.  Edhe vendimi për përfundimin e procesit të rivlerësimit për Malajn pa një vendim përfundimtar, është marrë me shumicë votash nga trupi gjykues i KPA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *