Foto arkive - seancë gjyqësore në KPA.
KP Lajme

Komisionerja Publike kërkon mbylljen e vetingut për Sofia Zhillën

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të martën më 10 dhjetor me parashtrimet dhe kërkimet përfundimtare të Komisioneres Publike, Irena Nino lidhur me ankimin e kryer ndaj vendimarjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për ndërprerjen e vetingut të ish-inspektores Sofia Zhilla pa një vendim përfundimtar.

KPK konkludoi më 29 maj me shumicë votash se Zhilla e ka humbur statusin e subjektit të rivlerësimit për shkak të dorëheqjes së saj. Ndërsa pakica çmoi se nuk e kishte humbur statusin, pasi kishte qenë e emëruar nga kategoria e inspektorëve jomagjistratë; se nuk ka shprehur vullnetin për t’u dorëhequr nga procesi vetingut; si dhe ka shprehur vullnetin të qëndrojë në detyrë nëpërmjet proceseve gjyqësore që ishin ende në shqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Komisionerja Nino vërejti në ankimin e dorëzuar në KPA, se Zhilla ishte emëruar në mars 2013 në Këshillin e Lartë të Drejtësisë me një mandat 5-vjeçar dhe në vitin 2018 i është zgjatur mandati i inspektorit deri në krijimin e zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Duke qenë në cilësinë e subjektit të rivlerësimit, ajo ka plotësuar deklaratat përkatëse në kuadër të procesit të vetingut.

Me vendim të tetorit të vitit 2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ ka deklaruar mospasjen e statusit “Magjistrat” për Zhillën, por kjo vendimmarrje është ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit nga subjekti. Në vitin 2020, Apeli Administrativ e rrëzoi këtë kërkesë dhe Zhilla ju drejtua Gjykatës së Lartë me rekurs.

Nino vlerësoi atëherë se nuk qëndronte arsyetimi përmbyllës i Komisionit se askujt prej atyre që mund ta kenë humbur statusin e subjektit të rivlerësimit jo për vullnetin e tyre, nuk mund t’i aplikohet ndalimi i parashikuar nga neni G, pika 2 e aneksit të Kushtetutës, që ndalon riemërimin e këtyre subjekteve në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Por, gjatë parashtrimeve të martën, Nino konstatoi se Zhilla ka mbushur moshën e pensionit të pleqërisë dhe për rrjedhojë shqyrtimi gjyqësor është bërë i pamundur. Ajo kërkoi që të lihet në fuqi vendimarrja e Komisionit për përfundimin e vetingut të Zhillës pa një vendim përfundimtar.

Subjekti i rivlerësimit kalimtar, Sofia Zhilla nuk ishte e pranishme në seancë. KPA u tërhoq për vendimarrje që do të shpallet më datë 12 dhjetor, në orën 14:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *