Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjatë një seance dëgjimore.
KP Lajme Veting

Vendimi KPK për ish-inspektoren e ish-KLD-së Sofia Zhilla ankimohet në Kolegj

Komisionerja Publike, Irena Nino ankimoi të premten më 14 qershor vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për ndërprerjen e vetingut pa vendim përfundimtar të ish-inspektores pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Sofia Zhilla.

Vendimi i KPK për Zhillën u mor me shumicë votash nga relatori Lulzim Hamitaj dhe anëtarja Firdes Shuli, që konkluduan se Zhilla e ka humbur statusin e subjektit të rivlerësimit për shkak të dorëheqjes së saj. Kryesuesja Etleda Çiftja doli në pakicë duke çmuar se Zhilla nuk e kishte humbur statusin e subjektit të rivlerësimit, pasi kishte qenë e emëruar nga kategoria e inspektorëve jomagjistratë; se nuk ka shprehur vullnetin për t’u dorëhequr nga procesi vetingut; si dhe ka shprehur vullnetin të qëndrojë në detyrë nëpërmjet proceseve gjyqësore që janë ende në shqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Komisionerja Nino vëren se Zhilla është emëruar në ish-KLD në mars të vitit 2013, me mandate 5-vjeçar dhe në 2018-ën i është zgjatur mandati i inspektorit deri në krijimin e zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Duke qenë në cilësinë e subjektit të rivlerësimit, ajo ka plotësuar deklaratat përkatëse në kuadër të procesit të vetingut.

Me vendim të tetorit të vitit 2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ ka deklaruar mospasjen e statusit “Magjistrat” nga Zhilla, por kjo vendimmarrje është ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit nga subjekti. në vitin 2020, Apeli Administrativ e ka rrëzuar këtë kërkesë që pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë pasi Zhilla ka ushtruar rekurs.

Gjithashtu, ka rezultuar se KLGJ-ja, në nëntor të vitit 2019 e ka liruar Zhillën nga detyra e inspektores mospasjes së statusit të magjistratit. Zhilla e ka ankimuar dhe Gjykata e Administrative e Shkallës së Parë, Tiranë, ka pranuar kërkesën e saj duke shfuqizuar urdhrin për lirimin nga detyra. Ky vendim është apeluar nga KLGJ-ja dhe është në pritje për t’u shqyrtuar në Gjykatën e Apelit Administrativ.

Komisionerja Nino vlerëson se nuk qëndron arsyetimi përmbyllës i Komisionit se askujt prej atyre që mund ta kenë humbur statusin e subjektit të rivlerësimit jo për vullnetin e tyre, nuk mund t’i aplikohet ndalimi i parashikuar nga neni G, pika 2 e aneksit të Kushtetutës, që ndalon riemërimin e këtyre subjekteve në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Nino vëren se nga aktet rezulton se vullneti i Zhillës për qëndrimin e saj në detyrë, i shprehur nëpërmjet padive, paralelisht përkon me shprehjen e vullnetit të saj të pavesuar për mos t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit. Komisionerja parashtron në ankim kërkesën e subjektit, e cila ka shpjeguar për Komisionin se është liruar padrejtësisht nga detyra që prej vitit 2019 dhe se ka kërkuar ndërprerjen e vetingut dhe pushimin e çështjes. Po ashtu, është shprehur se nuk do të merrte pjesë në seancën dëgjimore.

“Komisioneri Publik, bazuar në aktet në dosje, konstaton se subjekti i rivlerësimit, znj. Zhilla, ka shprehur një vullnet të plotë, të pavesuar, të shkruar dhe të formalizuar për të pasur statusin e magjistratit apo/dhe inspektorit dhe kthimin në vendin e mëparshëm të punës, duke kundërshtuar në rrugë gjyqësore deri në Gjykatën e Lartë vendimet e KLGJ-së. Ndërkohë, në kushtet kur sipas legjislacionit të zbatueshëm, në të dyja rastet, pasja e statusit të magjistratit dhe qëndrimi në detyrë si inspektor, shoqërohet ngushtësisht me kalimin e procesit të rivlerësimit, ka kërkuar në Komision ndërprerjen e procedurave të hetimit administrativ, për subjektin Sofia Zhilla dhe pushimin e çështjes, duke e bazuar kërkesën e saj në faktin se është liruar nga kjo detyrë”, konstaton Nino dhe thekson se Zhilla ka kërkuar të mos i nënshtrohet procesit të rivlerësimit, edhe ndërsa ajo vetë ka pretenduar gjyqësisht se e gëzonte statusin e magjistratit apo të inspektorit që e bënte atë subjekt rivlerësimi.

Nino thekson se zbatimi i nenit G, pika 2 e aneksit të Kushtetutës është pasojë ligjore e drejtpërdrejtë e ndërprerjes së procesit të rivlerësimit për të gjithë subjektet e rivlerësimit, të cilët me vullnetin e tyre nuk i nënshtrohen vetingut për pasurinë, kontrollin e figurës dhe vlerësimit të aftësive profesionale.

Në përfundim, Komsionerja Nino i kërkon Kolegjit që të ndryshojë vendimin e Komisionit për Zillën dhe veç ndërprerjes së vetingut për këtë subjekt rivlerësimi, të ndalojë emërimin e saj si gjyqtare ose prokurore e çdo niveli, anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor ose e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektore e Lartë të Drejtësisë ose Prokurore e Përgjithshëm për një periudhë 15-vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *