Seacë dëgjimore në KPA - foto arkive | BIRN/Nensi Bogdani
KPA Lajme

KPA njihet me qëndrimet e palëve në çështjen e ish-këshilltarit Periand Teta

Komisionerja Publike, Irena Nino parashtroi të martën më 25 qershor në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA shkaqet e ngritura ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për deklarimin e përfundimit të procesit të vetingut ndaj ish-këshilltarit ligjor në Gjykatën e Lartë, Periand Teta, pa një vendim përfundimtar. Ajo tha se u qëndron gjithë shkaqeve të ankimit dhe kërkoi që në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Kolegji të vendosi t’i ndalojë Tetës emërimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Teta e konsideroi të pabazuar ankimin e Komisioneres, duke pretenduar se nuk ishte i bazuar në prova, në ligj dhe as në jurispudencën e KPA.

Periand Teta ka ushtruar funksionin e ndihmësit ligjor në Gjykatën e Lartë, prej shkurtit 2014 deri në korrik të 2017-ës, kur është liruar nga detyra me me urdhër të ish-kryetarit të atëhershëm. Urdhëri lirimit ka ardhur një pasi Teta ka kërkuar të ijë për vijueshmërinë e punës së tij, në kushtet që gjyqtares pranë të cilës punonte si këshilltar, i kishte përfunduar mandate në qershor të vitit 2016.

KPK ka konstatuar se Teta ka dhënë pëlqimin në mënyrë të heshtur për ndërprerjen e kontratës së tij të punës si ndihmës ligjor, pasi nuk e ka ankimuar atë në gjykatë.

Megjithatë Teta i është drejtuar ILDKPKI-së, duke parashtruar kërkesën për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit vullnetarisht si ish-këshilltar, pasi plotësonte kriterin trevjeçar të punësimit që i jepte statusin si ndihmës ligjor.

Pas fillimit të hetimit administrativ për Tetën, Komisioni i ka kërkuar Gjykatës së Lartë informacion për pagesat e tij, prej nga ka rezultuar se periudha efektive e punësimit kur është trajtuar me rrogë, rezultonte nga data 3 shkurt 2014, deri më 18 korrik 2016.

Për shkak se nuk provohej që ai të kishte punuar si ndihmës ligjor për tre vjet, Komisioni çmoi se Teta nuk bën pjesë në kategorinë e subjekteve të rivlerësimit ex officio dhe as nuk mund të trajtohet si ish-këshilltar ligjor, duke arritur në konkluzionin se ai nuk ishte objekt i ligjit të vetingut.për rrjedhojë, më 28 prill 2023 u vendos deklarimi i përfundimit të procesit të rivlerësimit, pa një vendim përfundimtar.

Komisionerja Nino vlerëson se vendimi i Komisionit nuk është i drejtë dhe i bazuar, pasi arsyetimi i fakteve dhe rrethanave ligjore është jo i qartë dhe i pamjaftueshëm për shmangien e zbatimit të nenit G të aneksit të Kushtetuës, ku përcaktohet se në rastet e dorëheqjeve të subjekteve të rivlerësimit, vendoset dhe sanksioni që u ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Nino vëren se nga aktet e përcjella nga KLGj, nuk konfirmohet një kërkesë formale me shkrim e subjektit për dorëheqje nga funksioni i ndihmësit ligjor, por një shkresë e tij e korrikut 2017, drejtuar punëdhënësit mbi vijueshmërinë e marrëdhënieve të tij të punës. Në vijim të saj, po në korrik të vitit 2017, ka dalë urdhëri i Kryetarit të Gjykatës së Lartë për përfundimin e kontratës së punës të Periand Tetës dhe lirimin e tij nga detyra.

Komisionerja Publike vlerëson se urdhëri për lirimin e Tetës nga detyra, për shkak të ndryshimeve ligjore, nuk përbën arsye për përfundimin e marrëdhënies së punës së tij. sipas saj, akti për lirimin e subjektit nga detyra është nxjerrë në mungesë të kompetencës së kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe nuk ka sjellë asnjë pasojë juridike dhe për rrjedhojë Teta nuk e ka humbur statusin e ndihmësit ligjor dhe ndërprerë marrëdhënien e punës për shkak të këtij urdhri.

Ajo solli në vëmendje të Kolegjit, se pas largimit nga kjo detyrë, Teta është emëruar me pëlqimin e tij në pozicionin e ri të Inspektorit pranë Drejtorisë së Inspektimit Gjyqësor, në Ministrinë e Drejtësisë.

Duke iu referuar jurisprudencës së KPA, Nino tha se vlerësimi i urdhrit të kryetarit të Gjykatës së Lartë lidhur me marrëdhënien e punësimit të subjektit, si ndihmës ligjor është paralel dhe, për pasojë, pa asnjë peshë mbi faktin që Teta e kishte fituar këtë cilësi në mënyrë të shprehur në parashikimet kushtetuese.

Sipas saj, Komisioni kishte kompetencën për të konstatuar se efektet e urdhrit për lirimin e Tetës nga detyra, nuk ndikonin në ecurinë e procesit të rivlerësimit të tij. Ajo theksoi se vendimi i KPK nuk gjen mbështetje në qëllimin e legjislatorit që ndihmësit ligjorë të Gjykatës së Lartë t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit.

“Legjislacioni që normon procesin e rivlerësimit parashikon qartësisht se institucionet e rivlerësimit duhet të rivlerësojnë subjektet e përcaktuara shprehimisht në nenin 179/b, të Kushtetutës. Në rast se këto subjekte vendosin të mos i nënshtrohen këtij procesi, atëherë ata përjashtohen nga mundësia e emërimit në disa prej organeve të drejtësisë, për një periudhë 15-vjeçare, sipas përcaktimeve në pikën 2, të nenit G, të aneksit të Kushtetutës”, pohoi Nino.

Ndryshe nga KPK, Komisionerja vlerëson se mungesa e një akti formal të shprehjes së vullnetit për dorëheqje nga detyra, nuk mund ta përjashtojnë Tetën nga përcaktimi i nenit G të Aneksit të Kushtetutës. Ajo vlerëson se subjekti e ka shprehur vullnetin e tij për dorëheqje nga detyra e ndihmësit ligjor në Gjykatën e Lartë, pasi nuk e ka kundërshtuar ligjërisht urdhërin e kryetarit të Gjykatës së Lartë për lirimin nga detyra, si dhe për arsye se ka shfaqur vullnetin duke pranuar detyrën e inspektorit në Ministrinë e Drejtësisë.

Në përfundim, Nino argumentoi se Teta ka ushtruar të drejtat e tij, duke bërë një zgjedhje personale e shprehur vullnetin e pavesur për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit, që në këtë rast është dhe zgjedhje për të pasur ndalimin ligjor që parashikon neni G i Aneksit të Kushtetutës.

Ajo i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit të KPK dhe veç ndëprerjes së vetingut për Tetën, të vendoset edhe ndalimi i tij për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Perian Teta deklaroi në seancë se pasi është njohur me ankimin e Ninos, vlerëson se është i pambështetur në prova dhe në ligj, se është ngritur mbi shkaqe apriori. Sipas tij, në ankim mungon arsyetimi dhe analiza ligjore. Po ashtu, këmbënguli se shkaqet janë të pambështetura në jurispudencën e KPA.

Ai shpjegoi se kur gjyqtares për të cilën punonte si këshilltar i kishte përfunduar mandati në qershor të 2016-ës, nuk kishte patur ndonjë reagim për vijimësinë e punës së tij dhe për këtë arsye kishte bërë një shkresë drejtuar kryetarit, duke këkruar të dinte se çfarë do të bëhej me të.

Sipas Tetës, pas kësaj shkrese kishte dalë urdhëri për lirimin e tij nga detyra dhe në këto kushte u ishte drejtuar institucioneve përkatëse se si do të veprohej në kushtet kur kontrata e punës kishte përfunduar në mënyrë natyrale, pasi ishte përfunduar mandati anëtares së Gjykatës së Lartë.

Teta deklaroi se kishte kërkuar që të vijohej procesi i vetingut ndaj tij si subjekti rivlerësimi ose si ish subjekt. Ai vërejti s ndryshe nga sa pretendonte Nino, kishte bërë kërkesë padi për largimin nga puna në Gjykatën Administrative, e cila e kishte kaluar për kompetencë në Gjykatën e Tiranës, Dhoma Civile. Teta tha se kjo gjykatë e kishte rrëzuar kërkesëpadinë e tij dhe se vijonte të priste gjykimin në Apel.

Në vijim, ai pohoi se për arsye se puna kishte përfunduar për shkaqe të natyrshme, kishte filluar punë në inistrinë e Drejtësisë.

Teta e kundërshtoi qëndrimin e Ninos se vendimi i KPK ishte i paarsyetuar. Ai argumentoi se KPK e ka kryer arsyetimin formalisht, për shkak të mungesës së statusit të rivlerësimit. Teta këmbënguli se nuk e gëzonte statusin ex officio dhe për rrjedhojë, në këtë rast gjendej para një vendimarrje pa vendim pëfundimtar.

Ai theksoi se në këtë situatë, institucionet e vetingut nuk mund të vijojnë me kërkime të tjera për të aplikuar sanksionin e përcaktuar në nenin G të Aneksit të Kushtetutës.

Teta solli në vëmendje jurispudencën e KPA dhe se ishte shprehur për vijimin e procesit të vetingut ndaj tij. Sipas subjektit, në dy raste të ngjashme, Komisoneri nuk kishte kryer ankim. Ai shtoi se KPK kishte kryer një analizë të plotë për marrdhënien e tij të punës dhe njëkohësisht kishte qenë e kujdesshme që të mos hynte në juridiksionin e gjykatave të zakonshme gjatë shqyrtimit të çështjes së tij.

Ai kërkoi që të respektohen përcaktimet e nenit G të Aneksit të Kushtetutës, sipas të cilave ndalimi 15-vjeçar vendoset në rast të shprehjes së vullnetit të subjektit për të mos iu nënshtruar vetingut. “Që nuk ka lidhje me rastin tim”, theksoi Teta dhe kërkoi që të administrohen provat e dorëzuara prej tij.

Në përfundim, Periand Teta kërkoi që të vendoset në mënyrë alternative, ose lënia në fuqi e vendimit të KPK, ose të urdhërohet shkalla e parë e vetingut që të vijojë kryerjen e procesit të rivlerësimit ndaj tij.

Trupi gjykues çeli KPA shqyrtimin gjyqësor, administroi aktet, si dhe vendosi mbylljen e hetimit administrativ, duke ftuar palët për konkluzionet përfundimtare.

Pasi Komisionerja Irena Nino kërkoi më shumë kohë, Kolegji shtyu seancën për më datë 28 qershor, në orën 09:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *