Prokurori i Lezhës, Bardhok Lleshi pas seancës së parë dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Kërkesat për ‘procedurë’ shtyjnë vetingun e prokurorit Bardhok Lleshi

I hetuar vetëm për kriterin e pasurisë, prokurori Bardhok Lleshi pretendoi njëanshmëri dhe kërkoi përjashtimin e trupës së KPK-së, duke shtyrë seancën dëgjimore.

Prokurori i Lezhës, Bardhok Lleshi pas seancës së parë në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Prokurori Bardhok Lleshi i Prokurorisë së Lezhës e nisi me një kërkesë për përjashtimin e trupës gjykuese, seancën dëgjimore përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të hënën. Sipas subjektit, trupa kishte qenë e njëanshme, pasi kishte rrëzuar më parë një kërkesë të tij për riçeljen e hetimit pasuror dhe hapjen e hetimit administrative për dy kriteret e tjera.

Bardhok Lleshi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe u emërua si prokuror në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në vitin 2009, ai u transferua në Prokurorinë e Lezhës ku vazhdon ta ushtrojë funksionin edhe aktualisht.

Në vitin 2014, Lleshi u kallëzua penalisht nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit për fshehje pasurie në vlera të mëdha dhe mosdeklarim të pasurive, por çështja u pushua nga prokuroria.

Procesi i vetingut për Lleshin po kryhet nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Valbona Sanxhaktari dhe anëtare Xhensila Pine. Gjatë seancës së të hënës, prokurori Bardhok Lleshi u paraqit me përfaqësues ligjor, avokatin Gedeon Dudushi.

Avokati Dudushi pretendoi në fillim të seancës se hetimi pasuror i KPK-së për klientin e tij ishte i pasaktë.

“Në hetimin e pasurisë ka pasaktësi, gabime të rënda dhe lajthitje,” pretendoi ai.

Dudushi shtoi se klienti i tij ishte verifikuar tri herë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI dhe pretendoi se në raport përmendeshin të dhëna për pasurinë dhe udhëtimet jashtë shtetit të një personi tjetër me të njëjtin identitet me prokurorin Lleshi.

“Personi që quhet Bardhok Lleshi i cili ka pasuri në Fier dhe që në një rast ka udhëtuar në Maqedoninë e Veriut nuk është subjekti i rivlerësimit,” pretendoi avokati Dudushi.

Ai solli në vëmendje se në raport nuk përmendej fakti se prokurori Lleshi ishte shpallur i pafajshëm lidhur me kallëzimin e kryer nga ILDKPKI.

“Hetimi referohet në portale dhe lindin paragjykime nga ky hetim,” tha më tej avokati.

Trupi gjykues u tërhoq dhe vendosi rrëzimin e kësaj kërkese. Kur Lleshi dhe avokati i tij u njohën me rrëzimin e  kërkesës, paraqitën një kërkesë të dytë për përjashtimin e trupit gjykues.

“Konstatojmë njëanshmëri dhe paraqesim kërkesë për përjashtim të trupit gjykues,” tha avokati Dudushi dhe shpjegoi se nuk e kishin të formuluar me shkrim, pasi kjo kërkesë ishte në varësi të vendimarrjes për hapjen ose jo të hetimit.

Trupi gjykues i kërkoi prokurorit Lleshi të depozitonte kërkesën me shkrim brenda orës 12:00 të së hënës dhe u shpreh se vazhdimi i seancës do të njoftohej në faqen në internet të KPK.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *