Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Foto: Xhemali Moku
Lajme

Gjykata dënon organizatorët e skemave mashtruese me ‘call-center’

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë shpalli të hënën më 8 korrik vendimin për 13 të pandehurit si organizatorë dhe për përfshirje në skemën mashtruese të call-center, të cilët akuzohen se kanë shkaktuar të paktën një dëm prej rreth 7 milionë euro, qindra shtetasve të vendeve të Bashkimit Evropian. Për të akuzuarin si organizator të kësaj skeme, Erjon Kasmin, Prokuoria e Posaçme, SPAK kërkoi më 15 prill dënimin me 9 vjet heqje lirie, ndërsa për bashkëpunëtorin e tij, Xhulian Xhafa u kërkua dënimi me 8 vjet e 6 muaj burgim.

Për 11 të pandehurit e tjerë që punonin si operatorë, Anduel Gjergji, Ariol Zenuni, Denada Bardhi, Emion Orizaj, Ermir Shehu, Eris Kurila, Evis Mahmutaj, Ilir Shkurti, Indrit Tila, Klevin Molla dhe Skerdi Llupi, të akuzuar për veprën penale “Pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal” u kërkua vendosja e tyre në shërbim prove.

Ndryshe nga prokuroria, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Erjon Bani dhe Erjon Çela, vendosi t’i deklarojë të pafajshëm për krim të organizuar të 11 operatorët e call center me argumentin se nuk është provuar vepra penale. Po ashtu, u konstatua edhe shuarja e masës së sigurimit personal detyrim paraqitje të caktuar ndaj tyre.

Ndërkohë, janë deklaruar fajtorë dhe janë dënuar organizatori i kësaj skeme mashtruese dhe bashkëpunëtori i tij. Për Erjon Kasmin është dhënë dënimi përfundimtar me 11 vjet burgim për veprat penale “Mashtrimi kompjutrerik dhe “Grupi i strukturuar kriminal”. Si pasojë e gjykimit të shkurtuar, Kasmi ka përfituar uljen e 1/3-ës së dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 7 vjet e 4 muaj burgim. Për Xhulian Xhafën u caktua dënimi me 10 vjet burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar, mbetet në 6 vjet e 8 muaj heqje lirie.

Ndërkohë, gjykata ka vendosur të kthejë një pjesë të konsiderueshme të pasurive të Erjon Kasmit, të sekuestruara nga prokuroria, me argumentin se nuk është provuar se rrjedhin nga aktivitet i paligjshëm. Konkretisht, Kasmit i janë kthyer gjendjet në disa llogari me vlerë rreth 22 milionë lekë; llogari të tjera me vlerë mbi 470 mijë euro; një ndërtesë, një njësi, shtatë apartamente, tre garazhe dhe një truall, të gjitha këto në Tiranë; pesë parcela pemtore në Sarandë dhe një apartament në Kavajë.

Nga hetimet e filluara në vitin 2021 ka rezultuar se shtetas gjermanë, francezë, italianë, spanjollë dhe grekë ftoheshin nga agjentët e subjektit Bluenergycall sh.p.k., shoqëri me lidhje me Kasmin dhe Xhafën, që të investonin në bursa ndërkombëtare, duke bërë depozitimin e parave sipas udhëzimeve të agjentëve, në platformat mashtruese. Këto depozita nga viktimat bëheshin në llogari të cilat kanë rezultuar se gjenden në banka të vendeve të ndryshme si në Bullgari, Lituani, Poloni e Qipro, ku më pas zhdukeshin nëpërmjet transfertave të njëpasnjëshme ose konvertimit në kriptovalutë. Sipas prokurorisë, është provuar se një pjesë e parave të depozitave të viktimave kanë përfunduar në llogaritë e të pandehurve në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *