Seanca ndaj ish-prokurorit Besnik Cengu në KPA
Analiza KPA Veting

KPA i gjeti të drejtë konkluzionet e Komisionit për shkarkimin e gjyqtarit Olsi Xhavella

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i ka gjetur të pabazuar në prova dhe në ligj argumentet e paraqitura në ankim prej ish-gjyqtarit të Apelit Korçë, Olsi Xhavella, duke e lënë në fuqi vendimmarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e tij nga detyra për shkak të bilanceve negative të konstatuara në krijimin e pasurive.

Komisioni konkludoi se Xhevlla ka bërë deklarim të pasaktë për një apartament me sipërfaqe 85 m2 në qytetin e Korçës, të blerë në vitin 2004 për çmimin 2.9 milionë lekë. Po ashtu, është konstatuar pamundësi financiare për blerjen e kësaj pasurie. Sipas KPK, subjekti nuk ka arritur të provojë se një kredi 15 mijë euro e deklaruar si burim, ishte përdorur për pagesat e këtij apartamenti, pasi ishte tërhequr rreth katër muaj pas lidhjes së kontratës së shitblerjes dhe pas regjistrimit të kësaj pasurie në emër të Xhavellës – kohë kur rezulton të jetë shlyer e gjithë vlera. Tjetër konstatim i KPK është dhe fakti se në kontratën e kredisë nuk është përcaktuar qëllimi dhe destinacioni i saj, ndërkohë që vlera 15 mijë euro është tërhequr cash nga subjekti.

Komisioni ka konkluduar gjithashtu, se subjekti nuk ka arritur të vërtetojë burimin e ligjshëm as për të ardhurat e nënës dhe të vëllait nga emigracioni, për kontributin e saj në shumën prej 700 mijë lekë për blerjen e apartamentit dhe 1200 euro, që janë deklaruar se kanë shërbyer për shlyerjen e dy kësteve të kredisë.

Xhavella ka kundërshtuar në Kolegj konkluzionin e KPK për mosnjohjen e shumës së kredisë si burim i ligjshëm për blerjen e apartamentit, duke pretenduar se mungon çfarëdo indicie mbi ndonjë qëllim të ndryshëm të marrjes apo përdorimit të kredisë apo kryerjes së ndonjë veprimi me qëllim fshehjen e fakteve apo rrethanave lidhur me deklarimin e pasurisë.

Lidhur me dokumentacionin zyrtar për të ardhurat e familjarëve nga puna në emigracion nga viti 1992, subjekti ka pretenduar se është objektivisht i pamundur për t’i siguruar. Ai ka argumentuar se të paktën deri në vitin 2000, me daljen e kuadrit ligjor për rregullimin e statusit të emigrantëve në Greqi, kategoritë e punëve të lidhura kryesisht me pastrimin apo përkujdesjen ndaj të moshuarve nuk janë formalizuar me kontrata pune apo deklarim të punëdhënësit pranë organeve tatimore dhe sigurimeve shoqërore.

Pretendimet e ngritura nga Xhavella në ankim janë gjetur të pabazuara në ligj e në prova. KPA vëren se në kontratën e shitblerjes së kësaj pasurie, të vitit 2004, përcaktohet se është shitur për vlerën 2.9 milionë lekë, që është marrë plotësisht jashtë zyrës noteriale. Trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se kontrata e shitblerjes ka forcën e ligjit për palët dhe përbën provë të plotë të deklarimeve të ligjshme të palëve përpara noterit.

Duke analizuar dhe pretendimin e subjektit për marrëveshje verbale në mirëbesim për shkak të njohjeve të vjetra të nënës së tij me përfaqësuesen e shitësve, KPA vlerëson se, më së paku, palët do të kishin formalizuar këtë marrëveshje qoftë edhe me një shkresë të thjeshtë nënshkruar prej tyre. Nga ana tjetër Kolegji vëren se për shitësit, shlyerja e çmimit të pasurisë me kredi bankare mbarte paqartësi nëse kjo hua bankare do të përfitohej nga blerësi, nëse shuma e saj do të ishte e mjaftueshme për shlyerjen e çmimit të pasurisë, si dhe për kohën kur do të mund të miratohej dhe disbursohej – pasi këto të dhëna nuk pasqyroheshin në kontratën e shitjes.

“Fakti që subjekti ka dështuar të provojë se kjo shumë është përdorur për blerjen e apartamentit nuk përbën shkak për të pretenduar se përdorimi i saj për çdo qëllim tjetër është i përjashtuar”, shprehet Kolegji dhe thekson se, përdorimi i shumës së kredisë për shpenzime të tjera nuk mund të pretendohet i përjashtuar.

Lidhur me pretendimet e subjektit për ligjshmërinë e të ardhurave të nënës nga emigracioni, deklaruar si burim krijimi i pasurisë, shuma prej 700 mijë lekësh në vitin 2004 dhe 1200 euro për shlyerjen e kësteve të kredisë bankare në vitin 2007, Kolegji sjell në vëmendje se nuk është paraqitur asnjë dokument për të provuar krijimin e kursimeve, depozitimin e kursimeve në ndonjë bankë greke apo dërgimin si remitanca përmes transfertave bankare.

Në vijim, Kolegji analizon situatën e blerjes së apartamentit si nevojë për strehimin e familjes, e deklaruar me burim krijimi edhe me të ardhura të familjarëve nga puna në emigracion, kryesisht të nënës, me të cilët ka qenë pjesë e një ekonomie familjare duke ndihmuar dhe mbështetur reciprokisht njeri-tjetrin, sipas mundësisë dhe nevojave deri në vitin 2010 ku subjekti ka lidhur martesë. Sipas KPA, Xhavella nuk jep asnjë shpjegim përse kjo pasuri vijon të jetë e regjistruar vetëm në emër të tij, ndërkohë që prej vitit 2014 banon më vete me bashkëshorten dhe fëmijët në një apartament tjetër.

Kolegji ka rrëzuar si të pabazuar edhe pretendimin tjetër të Xhavellës se pamundësia financiare e vitit 2004 në shumën 350 mijë lekë, duke konsideruar parimin e proporcionalitetit, nuk mund të ngrihet në nivelin e një shkaku shkarkimi. KPA vëren se balanca negative për vitin 2004 lidhet me analizën e vitit kalendarik dhe jo me analizën e burimeve për krijimin e apartamentit, që është fokusuar në kohën e lidhjes së kontratës.

Në përfundim, ashtu si dhe KPK, Kolegji vlerëson se Xhavella nuk provoi që kredia të jetë përdorur për blerjen e apartamentit, si dhe nuk u vërtetua ekzistenca e të ardhurave nga puna e familjarëve në emigracion. Për rrjedhojë, subjekti ka reuzultuar në pamundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie.

KPK ka konkluduar se Xhavella nuk ka arritur të provojë dy prej burimeve financiare të deklaruara se kanë shërbyer për pagesën e çmimit të një apartamenti tjetër me sipërfaqe 111.51 m2 në Korçë, pasuri e blerë në vitin vitin 2014, kundrejt çmimi 51 mijë e 600 euro. Sipas KPK, subjekti ka qenë në pamundësi për kursimin e një shume 2000 euro në momentin e nënshkrimit të kontratës, si dhe se nuk ka arritur të provojë mundësinë e prindërve të bashkëshortes për krijimin e një shume 1 milion lekë, të dhuruara së bijës si prikë në vitin 2010.

Xhavella ka parashtruar në ankim, se pamundësia rrjedh si pasojë e një analize jo plotësisht të saktë, të kufizuar në terma të ngushtë matematikorë, duke anashkaluar dinamikën dhe fleksibilitetin e marrëdhënieve familjare në kuptim të organizimit të jetës ekonomike, si dhe për shkak të disa pakujdesive të tij lidhur me deklarimet ndër vite për të pasqyruar kursimet modeste.

Për pamundësinë financiare të prindërve të bashkëshortes për dhurimin e shumës 1 milion lekë , ai ka pretenduar se Komisioni nuk ka bërë një vlerësim të drejtë të përgjigjeve, fakteve dhe provave të administruara.

Kolegji vlerëson se pretendimet e subjektit synojnë vlerësimin e rrethanave faktike, sipas një këndvështrimi, i cili bie ndesh me normat e kuadrit kushtetues dhe ligjor të rivlerësimit.

Lidhur me pamundësinë e krijimit të shumës 2000 euro, KPA vëren se Xhavella në deklaratat e pasurisë të viteve pararendëse, nuk kishte deklaruar vlerë të likuiditeteve, gjendje në cash apo në llogari bankare. “[…]Së paku në përgjigje të pyetësorit, subjekti mund të kishte shpjeguar ‘pasaktësitë’ e deklaratave vjetore për mosdeklarimin e shumës prej 2.000 eurosh, si të krijuar nga kursimet në vite. Fakti që as në këtë moment procedural nuk ka deklaruar se kursimet ishin krijuar në vite, bëjnë që pretendimi se për nëntë vite rezulton me bilanc pozitiv dhe diferencat që bartin një marzh të caktuar dhe të pranueshëm gabimi, të vlerësohen në raport me parimin e proporcionalitetit, të jetë i pabazuar”, arsyeton KPA dhe e cilëson pretendimin e subjektit në kundërshtim me legjislacionin për deklarimin e pasurive.

Sipas Kolegjit, ekzistenca e kursimeve nuk mund të prezumohet mbështetur vetëm në pretendimin për balanca pozitive të disa viteve të periudhës objekt kontrollit, por duhet të jetë evidentuar në deklaratat periodike të interesave që shërbejnë si provë për procesin e rivlerësimit.

Lidhur me mundësitë e familjes së bashkëshortes për të dhuruar shumën prej 1 milion lekësh në vitin 2010, KPA konstaton se analiza financiare e kryer në Komision nuk është thjesht matematikore, siç pretendon subjekti, por merr në konsideratë të ardhurat e ligjshme të anëtarëve të familjes. Pretendimet e Xhavellës për të konsideruar të ardhurat që vjehrri kishte siguruar nga puna në emigracion në Greqi në vitet 1991-1994 dhe në vijim duke ushtruar profesionin e saldatorit, ndërsa vjehrra si e punësuar në subjekte private e pasiguruar, konsiderohet haptazi i pabazuar. Kolegji sjell në vëmendje se norma kushtetuese përcakton qartë se subjekti i rivlerësimit duhet të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave.

“Mungesa e burimeve të ligjshme financiare nuk ‘përkthehet’ në mungesë të burimeve financiare të familjes e, për rrjedhojë, pretendimet e subjektit se pranimi i mungesës së burimeve financiare do të çonte në alogjizëm se familja do të kishte pushuar ekzistencën për shkak të skamjes, vlerësohet jorelevant përkundrejt përmbushjes së detyrimit për të provuar ligjshmërinë e shumës prej 1.000.000 lekësh”, citohet në vendim.

Edhe Kolegji vlerëson se Xhavella nuk provoi mundësinë e tij dhe të bashkëshortes për pagesën e këstit të parë prej 2000 eurosh, si dhe burimin e ligjshëm të shumës prej 1 milion lekësh të deklaruar si dhuratë nga prindërit e bashkëshortes, dhënë kësaj të fundit në formën e prikës.

Komisioni ka konstatuar pamundësi dhe për blerjen e një automjeti në vitin 2003 për çmimin 250 mijë lekë, me burim të ardhurat e nënës dhe vëllait nga emigracioni. Xhavella ka kundërshtuar në ankim duke u shprehur se lidhur me këto të ardhura u qëndron argumenteve si për apartamentin me sipërfaqe 85 m2 në Korçë. Ai ka shtuar se analiza financiare e vitit 2003 i rezulton me bilanc pozitiv  dhe jo vetëm që mund ta përballonte blerjen e makinës, por duhet të kishte akumuluar edhe kursime.

Trupi gjykues i Kolegjit i vlerëson edhe këto pretendime të subjektit të pabazuara, ndërkohë që shton se ky konkluzion nuk i ka dhënë pasojë Xhavellës në vlerësimin tërësor të kryer prej Komisionit, e për rrjedhojë nuk do të kishte peshë në shqyrtimin e vendimit, cilido që të ishte rezultati.

Nga kontrolli i analizës financiare të Komisionit të kryer në Kolegj, për periudhën 2003-2016, balanca negative është thelluar duke shkuar në vlerën rreth 1.8 milion lekë, përkundrejt vlerës prej rreth 1.3 milionë lekë të konstatuar në shkallën e parë. Në përfundim, Kolegji konkludon se Xhavella gjendet në pamundësi financiare për krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve, duke e lënë në fuqi shkarkimin e tij.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *