Gjyqtarja Iliba Bezati pas seancës në KPA. Foto| BIRN
KPA Lajme

Debati në Kolegj për analizën financiare të gjyqtares Iliba Bezati

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të premten më 19 korrik me kundërshtimet e Komisionerit Publik, Florian Ballhysa ndaj analizës financiare të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtaren e Apelit, Iliba Bezati, e cila paraqiti edhe ajo qëndrimin e saj.

Seancën e kaluar, Kolegji i la si detyrë Komisionerit që të përcaktonte se me cilat konkluzione konkrete të KPK-së nuk ishte dakord, si dhe të paraqiste efektin financiar që ato japin në vlerësimin përfundimtar të analizës.

Ballhysa vërejti se dhe në ankim ka kërkuar rivlerësim nga ana e Kolegjit për kursimet cash të padepozituara në bankë; të ardhurat e subjektit dhe të bashkëshortit të saj; shpenzimet e jetesës për vitin 2007 si dhe shpenzimet e udhëtimit.

Lidhur me një hua 30 mijë euro të marrë nga Bezati dhe bashkëshorti i saj për blerjen e një apartamenti në Tiranë, Komisioneri ngriti në ankim pikëpyetje mbi analizën e ligjshmërisë së burimeve që kanë shërbyer për këtë hua.

Në seancën e të premtes, ai tha se pas vlerësimit të prapësimeve të subjektit dhe akteve të depozituara, si dhe bazuar në jurisprudencën e Kolegjit, vlerëson se në rastin në fjalë, mangësitë e konstatuara nuk ngarkojnë me përgjegjësi Bezatin.

Lidhur me kursimet e deklaruara në vitet 2010- 2016, Ballhysa vlerëson se pretendimi i subjektit dhe analiza financiare e kryer nga KPK, nuk mbështetet dhe nuk përputhet me mënyrën e deklarimeve të Bezatit për vitet 2005-2009. Sipas tij, gjatë periudhës 2005-2009, Bezati ka deklaruar saktësisht shumat e kursyera dhe vendndodhjen e tyre në bankë.

Ballhysa vërejti se subjekti, në deklaratat periodike vjetore të viteve 2006- 2008, ka deklaruar dhe saktësuar shumën e kursimeve vjetore të shtuara dhe të pakësuara, ndërsa në deklarimin e vitit 2010 deri në 2013-ën, ka deklaruar shuma të kursimeve, përtej atyre të deklaruara në formën e depozitave bankare, por pa i specifikuar ato nëse janë kursime në cash apo llogari rrjedhëse.

Në vijim ai theksoi se Bezati në vitin 2013 ka deklaruar se shuma e kursimeve është në formën cash, e padepozituar në asnjë bankë. “Në rastin e deklarimit të kursimeve për vitin 2013, duket se subjekti, ndryshe nga vitet e tjera, ka saktësuar mënyrën dhe vendndodhjen e këtyre kursimeve, duke i specifikuar ato”, konstatoi Komisioneri dhe kërkoi që së paku për 2013-ën, kursimet të llogariten sipas deklarimit të atij viti.

Sipas Ballhysës, edhe nëse do të konsideroheshin pretendimet e Bezatit, sërish do të rezultonte pamundësi për të mbuluar shpenzimet dhe kursimet gjatë vitit 2013, rrethanë që e cilësoi me ndikim dhe në burimet e një depozite me vlerë 2.5 milionë lekë në emër të bashkëshortit të çelur në vitin 2014 me burim kursimet e vitit të mëparshëm.

Gjyqtarja Bezati i kundërshtoi qëndrimet e Komisionerit, duke i cilësuar të drejta konkluzionet e KPK në analizën e saj financiare. Lidhur me kursimet në vite, ajo u shpreh se duket qartë se ka deklaruar të ndarë cash-in në banesë dhe likujditetet në bankë më vete, duke konceptuar si kursime likujditetet e lira në shtëpi. Subjekti shpjegoi se vlera që mbetej në fund të muajit dhjetor, ishte ajo që deklarohej.

Ajo e cilësoi jologjike që vetëm në vitin 2013 të mos gjendet i rregullt deklarimi i kursimeve. “Togfjalëshi për cash-in i përmendur vetëm njëherë, nuk mund të ç’bëjë gjithë deklarimet e mia. Edhe për vitin 2013 nuk ndryshon deklarimi, është i njëjtë si në vitet e tjerë”, pohoi Bezati ndër të tjera.

Subjekti këmbënguli se rezultonte të kishin pasur burime të ligjshme për depozitën. Ajo sqaroi se gjendja e cash-it kishte qenë e papërfillshme në vitet 2005-2009, ndërsa më vonë kishte pasur shuma të konsiderueshme në shtëpi dhe në bankë.

Bezati e cilësoi të drejtë analizën e zërit të kursimeve të kryer nga ana e KPK dhe kërkoi të mos ndryshohet.

Ballhysa tha se nga verifikimi i akteve në dosje rezulton të ketë mospërputhje. Ai kërkoi që të mos përfshihen në analizën financiare të ardhurat nga disa dieta për udhëtime jashtë shtetit, të deklaruara si honorare, që sipas tij ndikojnë në rezultatin financiar. Sipas tij, me rezervë duhet të konsiderohen edhe të ardhurat e konfirmuara në formën e honorareve për vitin 2005.

Për të ardhurat nga qiradhënia e apartamentit të banimit në Tiranë gjatë viteve 2011- 2015 dhe të ardhurat nga shitja e librit të bashkëshortit në 2011-ën, Ballhysa solli në vëmendje se detyrimet tatimore janë paguar në datën 24 janar 2017. Sipas tij, mospagimi i detyrimeve tatimore në kohën e realizimit të tyre, por vetëm gjashtë vjet me vonë, në janar të vitit 2017 dhe pak ditë përpara dorëzimit të deklaratës “veting”, nuk i legjitimon këto të ardhura.

Bezati deklaroi se bashkëshorti i kishte përfituar më vonë honoraret e vitit 2005 nga universiteti ku punonte. Sipas saj, deri në 2005-ën, honoraret ishin marrë cash, ndërsa më vonë nëpërmjet bankës. Suke sjellë në vëmendje praktikën e KPA, subjekti pohoi se pasaktësitë e pashoqëruara me probleme të tjera, nuk mund të sjellin penalizim.

Lidhur me të ardhurat nga qiraja e apartamentit në Tiranë dhe të ardhurat e bashkëshortit nga shitja e librit, Bezati kërkoi të pranohen pasi janë paguar përpara plotësimit të deklaratës “veting”.  Ajo tha se nuk kishte qenë në dijeni të mospagimit të tatimit dhe sapo e kishte konstatuar, bashkëshorti i kishte shlyer detyrimet.

Komisioneri pretendoi se shpenzimet e jetesës për vitin 2007 nuk janë konsideruar në përputhje me standardin e përdorur nga Kolegji dhe se kjo ndikon në rezultarin e analizës financiare. Ai shtoi se nëse përllogaritja e shpenzimeve të udhëtimeve për vitet 2006, 2007, 2009 dhe 2013 do të kryhet bazuar në metodologjinë e Kolegjit dhe deklarimet e subjektit, do të sillte ndryshim të shpenzimeve të përllogaritura në KPK.

Ballhysa u shpreh në përfundim të fjalës së tij, se bashkëngjitur vendoste në dispozicion të Kolegjit vlerësimin përfundimtar të analizës së subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur me të, për periudhën 2003-2016.

Për shpenzimet e jetesës, Bezati tha se nuk ndryshonte bilanci i konstatuar. Lidhur me shpenzimet e udhëtimeve, ajo evidentoi se në KPK nuk ishin konsideruar ato që kanë qenë për punë e trajnime, pasi kanë qenë të mbuluar nga organizatorët.

Në përfundim, gjyqtarja Iliba Bezati deklaroi se u qëndronte parashtrimeve dhe se analiza e Komisionit është e saktë e duhet të lihet në fuqi.

Lidhur me disa denoncime të reja të mbërritur pas ankimit, Komisioneri Publik u shpreh se nuk përmbajnë shkaqe për t’u trajtuar. Kolegji vendosi të mos i hetojë më tej denoncimet dhe shtyu seancën për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare nga ana e Komisionerit Publik, Florian Ballhysa për më datë 25 korrik, në orën 09:00.

KPK vendosi më 1 mars 2021 të konfirmojë në detyrë gjyqtaren e Apelit Vlorë, Iliba Bezati, pasi rrëzoi dy raporte negative të institucioneve ndihmëse ndaj saj për pasurinë dhe figurën. Komisioni vlerësoi se Bezati nuk mbante përgjegjësi mbi ligjshmërinë e burimit të të ardhurave të vjehrrës që kishin shërbyer si burim kryesor i pasurisë së saj.

KPK po ashtu vlerësoi se në 32 denoncime nga publiku dhe nga mediet për shpalljen të pafajshëm apo lehtësimin e pozitave të zyrtarëve të akuzuar apo të pandehurve për vrasje, nuk gjendeshin probleme ose ato nuk ishin objekt i vetingut.

Komisioneri Ballhysa vlerësoi se konkluzionet e Komisionit nuk bazoheshin në një hetim të plotë. Ai i kërkoi Kolegjit që të vlerësojë ligjshmërinë e dhurimeve në vlera të konsiderueshme që kanë shërbyer për krijimin e pasurive dhe të një vendimi të Apelit Vlorë të rrëzuar nga Gjykata e Lartë, si dhe të vendoste në mënyrë alternative, lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të KPK për Bezatin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *