Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të enjten më 13 mars me parashtrimet në çështjen e juridiksionit të rivlerësimit kalimtar për gjyqtaren e Vlorës, Mirela Mishgjoni. Pas dorëzimit të akteve nga subjekti, Kolegji vendosi të çelë shqyrtimin gjyqësor dhe i administroi ato si prova.
Konfirmimi i Mishgjonit u vendos me shumicë votash nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 5 prill 2024, pasi u vlerësua se të gjitha rrethanat e konstatuara lidheshin me të ardhurat e bashkëshortit të subjektit në Itali dhe shitjen e një aktiviteti të tij vitin 2004.
Në përfundim të hetimeve paraprake, Komisioni konstatoi pamundësi në vlera të mëdha të familjes së Mishgjonit për mbulimin e shpenzimeve, investimeve dhe krijimin e pasurive para detyrës, për shkak të mosnjohjes së të ardhurave të bashkëshortit nga shitja e pjesës takuese në një fabrikë vaji në Vlorë në vitin 1997, shitja e një restoranti në Itali në 2004-ën, si dhe nga puna si shef kuzhine në Shqipëri, pasi nuk ishin paguar në kohë detyrimet tatimore.
Pas shpjegimeve të subjektit, shumica vlerësoi se nuk kishte ndonjë të dhënë prej nga mund të ngriheshin dyshime se Mishgjoni, me deklarimin e të ardhurave, ka synuar të mashtrojë organet e vetingut. Duke çmuar se pasuria e deklaruar ka si burim të ardhurat e bashkëshortit, të krijuara kohë më parë se ata të fillonin bashkëjetesën ligjore, si dhe bazuar në parimin e proporcionalitetit, shumica nuk gjeti shkaqe penalizuese. Pakica çmoi se të ardhurat e deklaruara nga aktiviteti bashkëshortit, janë jo vetëm të paprovuara se janë përfituar lidhur me kohën e shumën, por edhe të panënshtruara pagimit të detyrimeve tatimore.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM rekomandoi ankimin e kësaj vendimarrjeje duke çmuar se vendimi i shumicës tregon keqinterpretim të provave dhe arsyetim të pamjaftueshëm.
Mirela Mishgjoni ka punuar si gjyqtare në vitet 1995-2002. Ajo u shkarkua në detyra dhe punoi si avokate deri në 2009-ën, vit kur u rikthye në detyrë pasi fitoi çështjen gjyqësisht. Prej 2009-ës ajo punon si gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
Shkaqet e ankimit u parashtruan të enjten nga prokurori Adnand Xholi, i autorizuar nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i cili ka marrë kompetencat e Komisionerëve Publikë, pas përfundimit të mandatit të tyre.
Duke iu referuar rekomandimit të ONM-së, Xholi tha se u qëndronin shkaqeve për pasurinë, duke kërkuar që të mos konsiderohen si burime të ligjshme të ardhurat e bashkëshortit të subjektit nga shitja e aktivitetit në Itali, nga shitja e një fabrike vaji në Shqipëri në vitin 1997, si dhe ato të përfituara po prej bashkëshortit nga puna si shef kuzhine në Vlorë, pasi nuk janë paguar detyrimet tatimore. Lidhur me të ardhurat nga shitja e fabrikës, Xholi vërejti se ato as nuk janë deklaruar si burime në vite dhe në deklaratën veting.
Për rjedhojë, ai theksoi se subjekti nuk mund të provojë të kundërtën e barrës së provës për bilancin negativ të konstatuar për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 111.6 m2 në Vlorë, në vitin 2006.
Ai solli në vëmendje se megjithëse kjo pasuri është blerë përpara lidhjet së martesës ligjore, vetë gjyqtarja Mishgjoni ka deklaruar se ka nisur bashkëjetesën me bashkëshortin prej vitit 2005. Po ashtu, ai nënvizoi dhe faktin se Mishgjoni, edhe pse në kohën e blerjes së kësaj pasurie punonte si avokate, ajo kishte ushtruar më parë funksionin e gjyqtares.
Sipas Xholit, pamundësia financiare afekton dhe cashin e likujditetet e deklaruara nga subjekti si dhe dhënien e dy huave të pretenduara. Vlerat e kthyera të huave janë deklaruar më vonë si burime për krijimin e pasurive, pas rifillimit të detyrës. Xholi konstatoi se subjekti nuk e ka deklaruar dhënien e një huaje motrës në vitin 2008 dhe shlyerjen nga ana e familjares një vit më vonë, por e ka pretenduar këtë rrethanë kur ka dhënë shpjegime pranë ILDKPKI në vitin 2015, kur është pyetur për burimet financiare të një automjeti. Xholi tha se bazuar në aktet e administruara, vlerësohet se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm për burimet e makinës.
Rrethanë e ngjashme ëhstë konstatuar dhe për dhënien e një tjetër huaje në vlerën 3 milion lekë. Sipas Xholit, rezulton pamundësi financiare për dhënien e kësaj huaje, vlera e kthyer e së cilës është deklaruar si burim për blerjen e një apartamenti në vitin 2020.
Në ankim trajtohet dhe blerja e një sipërfaqe toke nga bashkëshorti i subjektit në vlerë disa herë më të ulët nga çmimi i referencës, shuma që janë shënuara të dyja në aktet e tjetërsimit të pasurisë. Çmimi i referencës është shënuar në vlerën 6.3 milionë lekë, ndërsa ai i blerjes 1 milion e 60 mijë lekë, duke u pretenduar në ankim se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm.
Ndërkohë, subjekti rezulton të ketë shqyrtuar një çështje për lëshim të menjëhershëm urdhëri mbrojtjeje, ku palë ka qenë një nga shitësit e tokës. Sipas pretendimeve në ankim, subjekti kur ka paraqitur kërkesën për dorëheqje, ka argumentuar se çështja nuk duhet të gjykohet nga ana e saj që i përket seksionit familjar, por të gjykohet nga të gjithë gjyqtarët e juridiksionit të përgjithshëm të shkallës së parë dhe duhet t’i nënshtrohen shortit elektronik. Nga SPAK u konstatua se nuk rezulton të jetë parashtruar si shkak për dorëheqjen marrëdhënia kontraktuale e bashkëshortit me një nga palët, duke e bërë të pamundur vlerësimin e drejtë të titullarit lidhur me situatën e mundshme të konfliktit të interesit.
Në përfundim, Xholi u shpreh se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë dhe për rrjedhojë duhet të shkarkohet nga detyra.
Gjyqtarja Mishgjoni i kundërshtoi shkaqet e ankimit duke e cilësuar të drejtë vlerësimin e kryer nga shumica e trupit gjykues të KPK. Lidhur me të ardhurat e përfituara prej bashkëshortit nga shitja e aktivitetit në Itali, subjekti tha se ai ishte kthyer në Shqipëri në vitin 2005, ndërsa detyrimet tatimore i ishin caktuar 2008-ën dhe për rrjedhojë nuk kishte nga ta mësonte një gjë të tillë. Duke ju referuar legjislacionit italian, ajo tha se detyrimet tatimore në atë shtet nuk shuhen asnjëherë dhe për rrjedhojë bashkëshorti nuk ka pasur asnjë arsye për t’i shmangur. Sipas Migjonit, kjo tregon se ai nuk ka pasur dijeni për detyrimet në fjalë, për të cilat shpjegoi se bashkëshorti kishte nënshkruar një marrëveshje me institucionin kompetent në Itali, për ti shlyer me këste.
Mishgjoni theksoi se krijimi këtyre të ardhurave nga bashkëshorti është provuar bindshëm. Ajo kërkoi që të pranoheshin në analizën financiare dhe të ardhurat nga punësimi i bashkëshortit në Itali për periudhën 1998-2004, si dhe ato nga punësimi në Shqipëri si shef kuzhine.
Për mospagimin e detyrimeve lidhur me të ardhurat e bashkëshortit në Shqipëri, subjekti shpjegoi se ai kishte hapur çështje gjyqësore duke fituar të drejtën e kontributeve. Po ashtu, ishte mundësuar ekzekutimi i vendimit gjyqësor. Sipas Mishgjonit, pagesa e këtyre kontributeve ka qenë detyrim i punëdhënësit. Ajo këmbënguli se janë provuar punësimet dhe se të ardhurat e përfituara janë të ligjshme.
Po ashtu, kërkoi që të konsideroheshin në analizë dhe të ardhurat nga shitja e fabrikës së vajit në vitin 1997. Subjekti shpjegoi se këto të ardhura janë përfituar prej bashkëshortit shumë kohë para martesës. Ajo shtoi se aktiviteti kishte qenë i paregjistruar dhe për këtë arsye nuk ishin paguar detyrimet tatimore.
Lidhur me çmimin e tokës së blerë nga bashkëshorti, subjekti shpjegoi se ka qenë praktikë e noterit që të shënonte edhe referencën. Sipas saj, toka është blerë me çmimin e përcaktuar në kontratë, pasi dhe aktualisht vlera e saj është më e ulët se çmimi i referencës, për arsye të vendodhjes. Mishgjoni tha se nuk ka asnjë investim të kryer në tokën e blerë dhe se nuk përdoret për biznes.
Subjekti pretendoi se nuk qëndronte as dyshimi për konflikt interesi, pasi ajo e kishte kërkuar dorëheqjen nga çështja, por nuk i ishte pranuar nga kryetari.
Në vijim, Mishgjoni këmbënguli se kanë pasur të ardhura të mjaftueshme për krijimin e likujditeteve, pasi sipas saj, në çdo mënyrë të kryerjes së analizës financiare, rezultojnë me bilanc pozitiv. Për mosdeklarimin e dhënies së huasë në vitin 2008 dhe kthimin e vlerës 17 mijë euro nga e motra në 2009-ën, subjekti pretendoi se e kishte korrigjuar këtë pasaktësi në 2015-ën, kur ishte pyetur në ILDKPKI.
Për huanë 3 milion lekë, Mishgjoni tha se e ka deklaruar saktësisht dhe se rezulton me burime të ligjshme për krijimin e saj.
Për konstatimin e Komisionerit Publik, se KPK nuk ka hetuar lidhur me një shoqatë të bashkëshortit, subjekti pretendoi se është kryer verifikim në shkallën e parë të vetingut prej nga ka rezultuar se ai nuk ka pasur aktivitet pasi nuk është regjistruar, si dhe nuk ka pasur ndonjë fitim.
Në përfundim, gjyqtarja Mishgjoni kërkoi konfirmimin në detyrë.
Kolegji administroi provat e depozituara nga subjekti dhe çeli hetimin gjyqësor, duke ftuar palët që të përgatisin dhe paraqesin konkluzionet përfundimtare më datë 19 mars, në orën 08:30.




