KPA e rrëzoi si të pabazuar vendimmarrjen e KPK për shkarkimin nga detyra të prokurores Bala, duke konstatuar se hetimi në shkallën e parë të vetingut nuk kishte trajtuar në mënyrë të përshtatshme çështjet mbi pagesën e çmimit të apartamentit, që kishin sjellë penalizimin e saj.
KPK e shkarkoi prokuroren më 7 prill 2022 me shumicë votash, duke argumentuar se nuk kishte pasur mundësi financiare për blerjen e një apartamenti prej 91.09 m² në Tiranë dhe kishte bërë deklarime të rreme për burimet e krijimit. Shumica e trupës së KPK konstatoi deklarime dhe shpjegime kontradiktore për mënyrën e shlyerjes së çmimit të apartamentit, ndryshe nga pakica, e cila vlerësoi se subjekti kishte nivel të besueshëm për pasurinë, figurën dhe profesionalizmin.
Pas ankimit të Balës, KPA vendosi shqyrtimin e çështjes në seancë publike, duke konsideruar se debati gjyqësor mbi aktet e fashikullit të hetimit administrativ dhe dokumentet e paraqitura nga subjekti do të ndihmonin për një konstatim të saktë dhe të plotë të situatës faktike.
Për një automjet të tipit “Mercedes Benz”, të blerë në vitin 2009 për 11,390 euro, KPK nuk konstatoi probleme për burimet e krijimit, por konkludoi për deklarim të pasaktë të këtyre burimeve në deklaratën e vetingut. Bala e kundërshtoi këtë konstatim, duke pretenduar se nuk i është ngarkuar barrë prove në përputhje me ligjin dhe se kishte provuar ligjshmërinë e burimeve financiare për blerjen e mjetit.
KPA pranoi pasaktësitë në deklarim, por në kushtet kur rezultonte mundësi financiare për blerjen, i konsideroi pa ndikim në vlerësimin e përgjithshëm të pasurisë.
Për apartamentin në Tiranë, KPK konkludoi se Bala kishte bërë deklarime të pasakta dhe të rreme për burimet e krijimit të kësaj pasurie, duke mos deklaruar pjesën dhe burimet e bashkëshortit në vitin 2014, kur filluan bashkëjetesën. Nga analiza e deklarimeve, KPA konstatoi se çifti kishte deklaruar përkatësinë 50% për secilin dhe burimet e krijimit me kontribut të përbashkët.
KPA vërejti se në vitin 2012, as subjekti dhe as bashkëshorti nuk kishin deklaruar pjesën e këtij të fundit në pagesat për apartamentin, ndonëse në atë vit ishte paguar pjesa më e madhe e çmimit. Bala argumentoi se në atë kohë bashkëjetesa nuk ishte formalizuar dhe nuk kishte detyrim ligjor për deklarim. KPA vërtetoi se ky detyrim u përcaktua vetëm me ndryshimet ligjore të vitit 2014.
Megjithatë, KPA vlerësoi se, edhe pse modeli i formularit nuk ishte i qartë për mënyrën e deklarimit të pasurive nga bashkëjetuesit, rubrikat e formularit sugjeronin për deklarimin e burimeve të krijimit. Në këtë kontekst, mosdeklarimi i burimeve të përdorura në 2012 nuk u konsiderua si shkelje, pasi më pas u deklaruan në mënyrë të plotë në formularin e vetingut.
KPK kishte arritur në përfundimin se kishte pamundësi financiare për blerjen e apartamentit, bazuar në dy analiza për kohën e pagesave. Bala deklaroi se pagesat ishin kryer “cash” në arkën e shoqërisë ndërtuese, por nga komunikimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave rezultuan dy transaksione bankare në emër të saj në qershor 2012.
Bala mohoi të kishte lidhje me këto pagesa, duke deklaruar se ishin të falsifikuara dhe se kishte bërë kallëzim penal. KPA vlerësoi se reagimi i saj ishte i menjëhershëm dhe i arsyeshëm, si dhe në përputhje me rrugën ligjore për të kundërshtuar pagesat dhe për të kërkuar përgjegjësi. Kolegji konkludoi se pagesat nuk mund t’i atribuoheshin subjektit dhe se ishin bërë pa dijeninë dhe pa nënshkrimin e saj.
KPA analizoi gjithashtu burimet për krijimin e pasurisë, duke përfshirë dhuratat nga prindërit dhe motra, në vlerë prej 1 milion lekësh secila, që rezultuan të provuara si tërheqje nga depozita bankare të ligjshme. Edhe huaja e marrë përkohësisht nga një person i tretë u konsiderua e besueshme, duke marrë parasysh marrëdhëniet familjare dhe gjurmët bankare përkatëse.
Kolegji e konsideroi të pabazuar edhe përfundimin e KPK se subjekti kishte bërë deklarime të pasakta për huanë e marrë nga motra, pasi kjo ishte pasqyruar në deklaratën e vetingut dhe kthyer me transfertë bankare në vitin 2020.
Për sa i përket pjesës së bashkëshortit, KPA vlerësoi se analiza financiare e KPK nuk ishte e plotë dhe nuk mbulonte periudhën e krijimit të depozitave në vitet 2006–2008. Sipas Kolegjit, vlerësimi duhej të fillonte që nga viti 1993, kur prindërit kishin nisur punën dhe kishin kontribuar në ekonominë familjare.
Po ashtu, u evidentua se KPK kishte neglizhuar të merrte në konsideratë të ardhurat nga veprimtaria blegtorale e familjes së bashkëshortit, e provuar me dokumente nga institucione publike.
Në përfundim, KPA vlerësoi se prokurorja Bala kishte pasur mundësi reale financiare për të shlyer pjesën e saj dhe se kishte bërë deklarime të besueshme. Për këtë arsye, u konkludua se ajo duhet të konfirmohej në detyrë.




