Foto arkive e KPA | BIRN/Nensi Bogdani
KPA Lajme Veting

Seanca në KPA për ish-gjyqtarin Besnik Maho shtyhet me kërkesë të tij

Seanca publike në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit lidhur me ankimet e kryera nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa kundër vendimit të Komisionit për ish-gjyqtarin e Pogradecit, Besnik Maho, si dhe me ankimin këtij të fundit, e planifikuar për t’u zhvilluar të martën më 16 prill, u shty me kërkesë të vetë subjektit të rivlerësimit, i cili nuk ishte i pranishëm.

Kryesuesja e trupit gjykues të KPA, Natasha Mulaj sqaroi se nuk kishin marrë përgjigje nga Maho për marrjen e njoftimit të dërguar në muajin mars lidhur me zhvillimin e seancës. Për rrjedhojë ishte dërguar një njoftim i dytë si në adresën e shtëpisë, ashtu dhe në vendin e punës pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Por ky institucion kishte informuar se Maho nuk punonte më aty. Në një tentativë të tretë, Kolegji i ka dërguar Mahos në postën elektronike parashtrimet e Komisionerit si dhe e ka ftuar për të marrë pjesë në séance për të paraqitur pretendimet e tij.

Maho është përgjigjur duke shpjeguar se, për arsye personale gjendej jashtë shtetit dhe ka kërkuar shtyrjen e seancës. Po ashtu, ka kërkuar kohë të arsyeshme për të siguruar provat, për të cilat ka pretenduar se nuk i është dhënë mundësia për t’i paraqitur në KPK.

I pyetur nga Kolegji, Komisioneri Ballhysa e cilësoi të pabazuar kërkimin për shtyrjen e seancës, duke argumentuar se të dyja ankimet ngrenë shkaqe lidhur me mënyrën e interpretimit ligjor, ndërsa shtoi se provat janë administruar në mënyrë korrekte në KPK.

Pavarësisht kërkesës së Komisionerit Publik për vijimin e seancës, Kolegji vendosi të shtyjë për më datë 7 maj në orën 10:00, me argumentin që Mahos t’i jepet mundësia për të qenë i pranishëm në seancë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 15 nëntor 2023 përfundimin pa vendim përfundimtar të çështjes në lidhje me kërkesën e ish-gjyqtarit Besnik Maho për t’iu nënshtruar vetingut. Sipas KPK, Maho nuk i kishte kryer tre vjet punë si gjyqtar, që u konsiderua si afat i nevojshëm për t’u bërë pjesë e procesit të rivlerësimit.

Komisioni Ballhysa vëren në ankim se Maho ka shprehur vullnetin për t’iu nënshtruar vetingut si ish-gjyqtar dhe se ka dorëzuar kërkesat për tre kriteret. Sipas Ballhysës, për sa i përket vjetërsisë në pozicionin e gjyqtarit, Maho e plotëson kushtim për t’u konsideruar subjekt rivlerësimi nga radhët e ish-gjyqtarëve, duke sjellë nëvëmendje faktin se ai gjatë stazhit, nga shtatori 2004-ës deri në tetor të 2005-ës ka punuar në pozicionin e gjyqtarit, duke gëzuar të drejta dhe marrë përsipër detyrime si magjistrat. Për rrjedhojë, Komisioneri konsideron se Maho i tejkalon tre vjet punë deri në maj të 2008-ës, kur është larguar nga detyra.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *