Trupa gjyqësore e KPA gjatë një seance. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.
Analiza KPA

Arsyetimi i KPA për shkarkimin e gjyqtares Matilda Shalla

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, e gjeti të drejtë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Fierit, Matilda Shalla, për probleme në kriterin e pasurisë. Shkaqet procedurale të ngritura nga subjekti në ankimin ndaj vendimit të Komisionit, janë gjetur të pamjaftueshme për të kaluar shqyrtimin e çështjes në seancë publike. Po ashtu, u gjetën të pabazuara dhe shkaqet për pasurinë, duke u konkluduar se Shalla gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm në këtë kriter.

Matilda Shalla përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe punoi fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Durrësit. Prej vitit 2009 dhe deri në shkarkimin nga detyra, ajo e ushtroi funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier.

Problemet e pasurisë

Për një apartament me sipërfaqe 136 m2 në Tiranë të blerë në vitin 2013 nga “Raiffeisen Bank”, subjekti ka shënuar në deklaratën “veting” se ka parapaguar 80 mijë euro bashkëshorti. Në seksionin e detyrimeve financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë ajo ka deklaruar dhe kredi bankare në shumën 95 mijë euro të marrë në dhjetor të vitit 2013, po nga “Raiffeisen Bank”, me objekt “blerje shtëpie”. Si kolateral është vendosur apartamenti i blerë me sipërfaqe 136 m2. Po ashtu, ka shënuar se gjendja e detyrimit të mbetur pa shlyer është në shumën 92 mijë e 122 euro.

Kjo pasuri rezulton të ketë qenë më parë në pronësi të Shallës dhe bashkëshortit, por është vendosur si kolateral prej këtij të fundit për një kredi të marrë nga një prej shoqërive që administronte. Pasi ka dështuar të shlyejë kredinë, apartamenti është kaluar në pronësi të “Raiffeisen Bank” nëpërmjet një vendimi të përmbaruesit gjyqësor të nëntorit të vitit 2013 dhe një muaj më vonë është riblerë nga subjekti.

Lidhur me këtë pasuri, Komisioni ka arritur në përfundimin se subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm, pasi kur e ka blerë në vitin 2011, nuk ka deklaruar në deklaratën e interesave privatë fitimin e të drejtave të pronësisë. Po ashtu, ka rezultuar me mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar riblerjen e saj në vitin 2013, nga Raiffeisen Bank ShA.

Shalla i ka kundërshtuar në ankim konkluzionet e KPK për pasaktësi në deklarime, me argumentin se pasuria ishte deklaruar në deklaratën para fillimit të detyrës të vitit 2007. Subjekti, ka nënvizuar se nuk kishte pasur asnjë ndryshim për këtë pasuri e, për rrjedhojë, nuk ka pasur detyrim për të deklaruar formalizimin e kontratës, që sipas saj ka shërbyer vetëm për procedurën e regjistrimit.

Po ashtu, Shalla ka pretenduar se konkluzioni Komisionit për deklarim të pasaktë nuk qëndron dhe është kontradiktor, pasi prej vetë shkallës së parë të vetingut është konstatuar se çmimi i blerjes së kësaj pasurie është likuiduar para fillimit të detyrës dhe jo në datën e lidhjes së kontratës së shitblerjes, duke mos e përfshirë me të drejtë në analizën financiare.

Trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se subjekti ka pasur detyrimin për të deklaruar në vitin 2011 plotësimin e tagrave të pronësisë mbi apartamentin, megjithëse ajo ka deklaruar ndërprerjen e bashkëjetesës me bashkëshortin në vitin 2010, që është pasuar me zgjidhen e martesës në 2014-ën.

Megjithatë, nisur nga fakti se KPK ka çmuar të mos analizojë burimet e kësaj pasurie të krijuar para detyrës, Kolegji e vlerëson pa rëndësi në këtë proces mosdeklarimin në vitin 2011 të kontratës së shitblerjes.

Për rrjedhojë, shqyrtimi çështjes është përqëndruar në analizën e burimeve financiare që kanë shërbyer për riblerjen e kësaj pasurie në vitin 2013.

Lidhur me mungesën e burimeve të ligjshme financiare për pagesën e këstit 80 mijë euro në vitin 2013, kur është riblerë apartamenti, subjekti ka pretenduar se Komisioni në mënyrë të gabuar pranon si burim krijimi të shumës 80 mijë euro, vetëm të ardhurat e krijuara nga shoqëritë tregtare të administruara nga bashkëshorti në formë dividendi, për të cilat janë paguar detyrimet. Sipas subjektit, nga hetimi i kryer është provuar se burimi i krijimit të kësaj shume, nuk lidhet vetëm me këto të ardhura.

Shalla ka pretenduar se, pamjaftueshmëria financiare e konstatuar nga KPK me argumentin se shoqëritë e administruara nga personi i lidhur nuk kanë shpërndarë dividend dhe se ai nuk ka paguar tatimin mbi të ardhurat, në rastin më të mirë është rezultat i një vlerësimi të gabuar të fakteve dhe rrethanave tërësisht të provuara. Ajo shton, se ky konkluzion në rastin më të keq, tregon keqdashje.

Kolegji konstaton se subjekti nuk e ka pretenduar si burim krijimi të ndonjë pasurie apo mbulimin e shpenzimeve, një hua 280 mijë euro të marrë nga bashkëshorti.

Po ashtu, KPA ka kontrolluar analizën financiare të Komisionit për likujdimin në vitin 2010, të  vlerës totale të apartamentit, prej nga është konstatuar balancë negative në shumën 17.7 milionë lekë. Sipas Kolegjit, kjo balancë negative afekton ligjshmërinë e një shume 70 mijë euro të kthyer mbrapsht nga shoqëria në llogarinë e ish-bashkëshortit të subjektit në nëntor të vitit 2013, për shkak të anulimit të kontratës.

Tjetër rrethanë që vlerëson KPA, është edhe fakti se ish-bashkëshorti nuk ka përfituar të ardhura në formë dividendi nga fitimi i shpërndarë i shoqërive tregtare ku ka qenë ortak, nga për rrjedhjojë nuk provohet burimi i krijimit të shumës 80 mijë euro.

Bazuar në këto konstatime, trupi gjykues i KPA e vlerëson të drejtë kryerjen nga Komisioni të analizës financiare për periudhën janar-dhjetor 2013, me qëllim verifikimin e mundësisë financiare të subjektit dhe bashkëshortit, për të justifikuar me të ardhurat e tyre të ligjshme pagesën e shumës 80 mijë euro më datë 30 dhjetor 2013. Nga analiza financiare ka rezultuar bilanc negativ në vlerën 11 milionë lekë.

Komisioni ka gjetur probleme dhe për një garazh me sipërfaqe 22.6 m2 në Tiranë. Sipas KPK, subjekti nuk arriti të provonte se garazhi i fituar para detyrës, është i njëjtë me atë për të cilin është nënshkruar kontrata e shitblerjes në vitin 2012, kur dhe është deklaruar kjo pasuri.

Për rrjedhojë, bazuar në kontratën e shitblerjes së garazhit dhe në deklarimin e Shallës, për blerjen e kësaj pasurie më datë 9 prill të vitit 2012, analiza financiare ka rezultuar me bilanc negativ në shumën 3 milion lekë.

Shalla e ka kundërshtuar konkluzionin e Komisionit si të pabazuar në ligj dhe në faktet që kanë rezultuar të provuara nga hetimi administrativ. Ajo ka argumentuar se në deklaratën përpara fillimit të detyrës, ka deklaruar një kontratë sipërmarrje të vitit 2007, në të cilën përcaktohet dhe përfitimi i pronësisë për garazhin, duke përmbushur kështu detyrimin. Subjekti ka nënvizuar se, apartamenti dhe garazhi janë likujduar para fillimit të detyrës. Ndërkohë, ka shtuar se, edhe nëse do të konsiderohej si pasuri e krijuar gjatë ushtrimit të detyrës, burimet janë të ligjshme dhe burojnë nga aktivitetet tregtare të shoqërive të administruara nga ish-bashkëshorti, që në atë periudhë kanë pasur një qarkullim të konsiderueshëm të ardhurash dhe kanë realizuar fitime.

Sipas subjektit, mosndarja e dividendit dhe pagimit të tatimit mbi të ardhurat, nuk i bën të ardhurat nga aktiviteti tregtar, një burim të paligjshëm.

Por, ashtu, siç ka arsyetuar edhe Komisioni, trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se subjekti ka pasur dy herë mundësinë për të korrigjuar mosdeklarimin e garazhit në deklaratën e interesave privatë para fillimit të detyrës. Fillimisht në deklaratën e interesave privatë 2012, duke e deklaruar të porositur atë në vitin 2007, si dhe burimin e krijimit. Korrigjimi sipas KPA, mund të ishte bërë dhe në deklaratën veting, ku jo vetëm që nuk është përmendur fakti i porositjes dhe pagesës së garazhit në vitin 2007, por nuk është deklaruar as burimi i krijimit të kësaj pasurie.

Kolegji e gjen të drejtë konstatimin e KPK se Shalla nuk arriti të provonte se vendparkimi i cituar në kontratën e sipërmarrjes së vitit 2007, është i njëjtë me atë të blerë në 2012-ën. Nga kontrolli i analizës financiare të kryer prej Komisionit, u konstatua bilanc negativ në masën 2.8 milionë lekë për blerjen e garazhit në vitin 2012.

KPK ka konstatuar se subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm dhe gjendet në pamundësi financiare edhe për blerjen e një automjeti në vitin 2008.

Shalla e ka kundërshtuar edhe këtë konkluzion në ankim duke pretenduar se si burim për krijimin e kësaj pasurie janë të ardhurat e një shoqërie të bashkëshortit, për të cilat janë paguar detyrimet. Sipas subjektit, Komisioni përdor si referencë ligjore detyrimin që ka personi i lidhur për të paguar tatim mbi të ardhurat personale që ai ka fituar nga ndarja e dividendit, ndërkohë që burim për krijimin e kësaj pasurie nuk janë këto të ardhura, por janë ato të realizuara nga aktiviteti i shoqërisë, e cila ka pasur fitime dhe ka paguar detyrimin përkatës.

KPA vëren se Komisioni në vendim arsyeton se, shpjegimet e subjektit të rivlerësimit nuk mbështeten në legjislacionin në fuqi. Nga KPK konkludohet se Shalla nuk provoi se ish-bashkëshorti kishte përfituar dividend nga fitimi i shoqërisë dhe mbi të, të ishin paguar detyrimet tatimore në kohën e përfitimit të të ardhurave. Po kështu, Komisioni ka vlerësuar të pabazuar pretendimin e subjektit, se ndarja e dividendit është çështje vendimmarrjeje dhe nuk e bën burimin e të ardhurave nga aktiviteti tregtar i shoqërisë të paligjshëm. Shkalla e parë e vetingut ka arsyetuar se legjislacioni tatimor njeh si burim të të ardhurave personale nga aktiviteti tregtar i shoqërisë, dividendin, i cili përfitohet me mbylljen e bilancit financiar vjetor të shoqërisë të rezultuar me fitim dhe vetëm kur asambleja e përgjithshme, vendos që fitimi të shpërndahet mes ortakëve të shoqërisë.

Nga hetimi i kryer dhe analiza e pasqyrës financiare e të ardhurave dhe shpenzimeve të shoqërive të personit të lidhur, e përgatitur nga Komisioni mbi bazën e dokumentacionit ligjor, u konstatua se personi i lidhur nuk kishte ndarë dividend.

Kolegji e konsideron të drejtë arsyetimin e Komisionit dhe pasi ka kontrolluar analizën financiare, është konfirmuar balanca negative në masën 1.2 milionë lekë për blerjen e automjetit në vitin 2008.

Në përfundim, KPA arrin në konkluzionin se gjyqtarja Matilda Shalla ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe ka lënë në fuqi shkarkimin e saj nga detyra.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *