Prokurorja Ajola Prenci në KPK | Foto : LSA
Analiza KPK Vendi

Dënimi bashkëshortit dhe deklarimi i pasaktë i burimeve të pasurisë penalizuan Ajola Prençin

Mosdistancimi dhe mosmbajtja e një qëndrimi ndaj dënimit të bashkëshortit ish-prokuror për korrupsion, si dhe deklarimi i pasaktë i burimeve financiare për një apartament, sollën shkarkimin e prokurores së Kurbinit, Ajola Prençi.

Prokurorja Ajola Prenci në KPK | Foto : LSA

Megjithëse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK nuk gjeti probleme me etikën dhe integritetin e prokurores së Kurbinit, Ajola Prençi dhe e vlerësoi atë të aftë profesionalisht, vendosi ta shkarkojë për shkak të mosdistancimit të saj nga bashkëshorti i dënuar për korrupsion dhe pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti.

Prençi u shkarkua më 1 nëntor nga trupa e KPK e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Suela Zhegun.

Ajola Prençi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe për një dekadë e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Shkodrës. Në vitin 2014, ajo u emërua në Prokurorinë e Matit, ndërsa prej vitit 2016 dhe deri në shkarkimin nga detyra, e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Kurbinit.

Problemet për figurën

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka konstatuar papërshtatshmërinë e prokurores Ajola Prençi për të vazhduar detyrën, megjithëse nuk janë disponuar të dhëna që ajo personalisht të jetë përfshirë në veprime të kundërligjshme. Raporti negativ i DSIK është konkluduar për shkak se bashkëshorti ish-prokuror, Pëllumb Prençi, është proceduar dhe dënuar për korrupsion në vitin 2014, se subjekti nuk ka deklaruar një kontakt të papërshtatshëm të vëllait gjyqtar, si dhe është evidentuar deklarim i pasaktë i datëlindjes.

Ashtu si DSIK dhe KPK ka mbajtur të njëjtin qëndrim lidhur me faktin se subjekti vazhdon të jetojë me bashkëshortin pas dënimit të tij për korrupsion. “Subjekti i rivlerësimit në mënyrë të drejtpërdrejtë për shkak të marrëdhënies bashkëshortore që ka me personin e lidhur, […], nuk mund të shmanget nga papërshtatshmëria për vazhdimin e detyrës, për sa kohë bashkëshorti i saj kategorizohet në parashikimin e bërë në pikën 15, të nenit 3, të po këtij ligji”, vlerëson KPK dhe vëren se marrëdhënia bashkëshortore nuk hyn në kategorinë e marrëdhënieve të pashmangshme me lidhje gjaku. “Hyn në marrëdhënie familjare, që në këtë rast, ka mbetur e qëndrueshme nga vetë zgjedhja që ka bërë subjekti”, argumenton Komisioni.

Në vijim trupi gjykues konstaton se nuk është vërejtur ndonjë reagim i subjektit në kohën e ndodhisë së çështjes penale të bashkëshortit të saj, qoftë edhe në publik, me qëllim distancimin e saj si prokurore për të përcjellë besueshmëri në vijimin e punës.

Faktet se bashkëshorti është dënuar me vendim të formës së prerë për korrupsion dhe se vazhdojë të jetojnë së bashku pa mbajtur asnjë qëndrim, Komisioni i vlerësohen si rrethana që perceptohen negativisht dhe janë çmuar se cënojnë besimin e publikut.

Prej DSIK janë disponuar informacione dhe për përfshirjen e vëllait të subjektit A.Y. në veprimtari të kundërligjshme në ushtrimin e detyrës së gjyqtarit. Lidhur me informacione për kontakte të papërshtatshme të vëllait, KPK ka tërhequr deklarimin e tij për pastërtinë e figurës, nga ka rezultuar se ka deklaruar se ka pasur kontakte të papërshtatshme me një ish-kryetar komune në Shkodër të dënuar për trafik në Itali.

Në deklarimin e saj, prokurorja Prençi është shprehur se nuk ka qenë në dijeni nëse ndonjë prej anëtarëve të familjes ka pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Megjithatë, KPK e vlerëson jo penalizues për subjektin këtë fakt, duke konsideruar se për vëllain e Prençit po kryhet hetim administrativ dhe se është e panevojshme për të arritur në një konkluzion për këtë çështje.

DSIK ka konstatuar gjithashtu se Ajola Prençi ka plotësuar në mënyrë të pasaktë datën, muajin dhe vitin e lindjes, në deklaratën për kontrollin e figurës. Por, Komisioni e ka vlerësuar bindës deklarimin e Prençit se pasaktësia ka qenë vetëm një lapsus dhe konkludon se nuk mund të penalizohet për këtë gjetje.

Mungesat financiare

Për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 75 m2 në Shkodër kundrejt shumës 2 milionë e 450 mijë lekë në vitin 2004, subjekti ka pasqyruar si burime krijimi në deklaratën veting kursimet ndër vite dhe kredi bankare. Në deklaratën e vitit 2004 nuk e ka shënuar burimin e krijimit, por në rubrikën e detyrimeve financiare ka deklaruar se ka marrë kredi në shumën 2 milionë lekë për blerje apartamenti.

Për këtë pasuri, ILDKPKI-ja ka konstatuar mungesë dokumentacioni justifikues ligjor lidhur me burimin financiar, pasi kontrata është nënshkruar në nëntor të vitit 2004, ndërsa kredia 2 milionë lekë është disbursuar në shkurt të 2005-ës. Nga verifikimi dokumenteve ka rezultuar se si kolateral për kredinë e marrë është lënë apartamenti i blerë në 2004-ën.

“Nga verifikimi i dokumentacionit të administruar në dosje, Komisioni konstatoi se kredia është përfituar rreth dy muaj pas formalizimit të kontratës së shitjes së kësaj pasurie, e cila datonte më 24.11.2004 dhe, për pasojë, nuk mund të ketë shërbyer si burim në datën e nënshkrimit të kontratës”, vëren Komisioni.

Pasi është njohur me gjetjet e KPK, prokurorja Prençi ka deklaruar se kjo banesë është blerë fillimisht nga një hua monetare në shumën 1.5 milion lekë nga të afërmit dhe nga kursimet e bashkëshortit në vlerën rreth 1 milionë lekë. Ajo ka sqaruar se bashkëshorti prej tetorit të vitit 2002 deri në nëntor të 2004-ës kur është blerë banesa, ka ushtruar detyrën e prokurorit dhe kishte arritur të kursente vlerën e pretenduar.

Lidhur me mosdeklarimin e kursimeve në deklaratat periodike nga ana e bashkëshortit, Prençi ka deklaruar se ka ndodhur për shkak të padijenisë dhe gabimit njerëzor.

Subjekti ka theksuar se huaja është formalizuar me kontratë noteriale të vitit 2004, e nënshkruar një ditë para se të blihej apartamenti. “[…]Dua të theksoj se është marrë përkohësisht, derisa banka të lëvronte kredinë, në kushtet që nuk kishim kolateral për të lënë si garanci, për marrjen e kredisë”, ka pohuar Prençi dhe ka këmbëngulur se nuk e kanë deklaruar asnjëherë huanë pasi nuk e kanë konsideruar si burim për blerjen e banesës. Për të vërtetuar saktësinë e pretendimeve, subjekti ka depozituar kopje të kotratës noteriale të huadhënies të vitit 2004.

Komisioni ka hetuar dhe mbi mundësinë e huadhënësve për kursimin e vlerës 1.5 milionë lekë në nëntor të vitit 2004, por sipas trupit gjykues nuk është arritur të provohet ushtrimi i aktivitetit privat i të afërmve të subjektit, i pretenduar prej kësaj të fundit. Po ashtu, është konsideruar e paqartë nëse një shumë e përfituar nga huadhënësit prej shitjes së një pasurie në vitin 2001 kundrejt vlerës 1.7 milion lekë ka shërbyer ose jo për një depozitë bankare prej nga është tërhequr një shumë 500 mijë lekë përpara huadhënies.

Duke përfshirë të ardhurat e përfituara gjatë vitit 2004 dhe duke mos konsideruar huanë dhe kursimet e pretenduara si të krijuara më parë nga bashkëshorti, nga analiza financiare është konstatuar balancë negative në shumën 1 milion lekë për blerjen e apartamentit. Ndërkohë, për gjithë vitin 2004 ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 1.3 milion lekë, ku veç shpenzimeve për apartamentin janë konsideruar edhe ato për arredimin dhe jetesën.

Në përfundim KPK konkludon se subjekti nuk ka deklaruar saktësisht dhe plotësisht burimin e ligjshëm të saj në deklaratën ‘veting’ dhe në deklaratën periodike të kohës; se nuk arriti të provojë bindshëm burimin e krijimit të shumës së huas; si dhe nuk ka deklaruar kursimet në vlerën 1 milion lekë të disponuara nga bashkëshorti, duke çmuar se Prençi ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë.

Kontrata noteriale e huadhënies nuk është vlerësuar se mund të vendoste kushtet për aplikimin e parimit të proporcionalitetit, pasi sipas trupit gjykues, subjekti dështoi të shpjegojë bindshëm burimet e krijimit të kësaj pasurie.

Balancë negative në shumën 120 mijë lekë është konstatuar dhe për blerjen e një automjeti tip “Volksëagen Polo” në vitin 2016 për çmimin 60 mijë lekë. Nga analiza financiare e përgjithshme për periudhën 2003-2016 ka rezultuar balancë negative në shumën 1.7 milionë lekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *