Gjyqtarja Enkeleida Hoxha e shoqeruar nga policia në KPA.
KPA Lajme Veting

‘Duhet të presim të vdesi një person’, KPA ngre pikëpyetje mbi hetimet e ILD-së

Seanca publike e zhvilluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA për shqyrtimin e ankimit të gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha ndaj vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ për sharkimin e saj, u dominua nga debatet, komentet dhe pyetjet mes palëve, ku në mënyrë të përsëritur kryesuesja e trupit gjykues, Albana Shtylla tërhoqi vëmendjen për mënyrën e komunikimit duke kërkuar qetësi dhe zbatimin e procedurës.

Ndërkohë, një prej dy pyetjeve të drejtuara nga anëtarja e Kolegjit Natasha Mulaj, përfaqësueses së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD lidhur me praktikën që ky institucion ndjek për të hetuar shkeljet e magjistratëve, ekspozoi faktin se për të filluar verifikimin për shkeljet e mundshme nevojitet një indicie e depozituar nga një autoritet apo subjekt tjetër ose bërja publike e rrethanave të çështjes. Ndërsa nuk u dhanë sqarime nëse ka dhe mundësi të tjera për të verifikuar shkeljet e magjistratëve.

Enkeleida Hoxha gjendet në paraburgim prej 11 shkurtit 2021, kur u arrestua bashkë me 11 persona të tjerë si pjesë të një strukture kriminale që synonte të lironte disa të dënuar që e vuajnë dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë, kundrejt përfitimeve monetare.

Më parë Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani kishte filluar hetim disiplinor ndaj Hoxhës për shkak të lirimit të dy të dënuarve për krime të rënda, një prej të cilëve Hekuran Billa i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje në Mbretërinë e Bashkuar që iu konvertua me 25 vjet burg në Shqipëri – i cili u ekzekutua rreth një vit pasi fitoi lirinë. Pas arrestimit të saj për përfshirjen në lirimin e të dënuarve të tjerë, KLGJ vendosi më 17 mars që ta largojë nga detyra gjyqtaren Enkeleida Hoxhën, vetëm për një prej çështjeve të pretenduara nga ILD, atë të lirimit të Billës.

Enkeleida Hoxha kërkoi të enjten që të mundësohej marrja e disa akteve në zyrën e saj në Gjykatën e Krujës, të sekuestruar nga SPAK, duke u ankuar se KLGJ nuk e kishte pranuar më parë këtë kërkesë. Hoxha sqaroi se bëhej fjalë për vendime të gjyqtarëve të tjerë të Gjykatës së Krujës për lirimet e të dënuarve, që sipas saj janë raste të ngjashme dhe nuk janë verifikuar dhe hetuar prej ILD-së

Ajo deklaroi se hetimi për Billën ishte filluar pas mediatizimit të vendimmarrjes së saj. “As ILD dhe as KLGJ nuk e kanë marrrë parasysh veprimtarinë time si gjyqtare prej 17 vitesh duke vendosur një masë ekstreme për një vendim”, pohoi Hoxha dhe sqaroi se ishte kryefamiljare dhe nënë e dy fëmijëve, ku njëri është autik. Ajo dorëzoi si prova certifikatën familjare dhe kartelën mjekësore të një prej fëmijëve, që u administruan nga KPA.

Parashtrimet

Përfaqësuesi ligjor i gjyqtares Enkeleida Hoxha, avokati Ardian Visha i filloi parashtrimet me pretendimin se KPA nuk është gjykata kompetente për shqyrtimin e çështjes, por sipas tij Gjykata Kushtetuese. “Trupa juaj është më shumë për të ‘prerë’ koka prokurorësh e gjyqtarësh, sesa për të mbrojtur të drejtat kushtetuese”, vërejti ai.

Përfaqësuesi i KLGJ-së, Qemal Zaimi dhe ajo e ILD-së, Isida Koka theksuan në parashtrimet e tyre se vetë KPA tashmë ka praktikë për raste të tilla që i ka rrëzuar pretendimet për kompetencën. “Megjithëse u pretendua niveli kushtetues i çështjes, nuk u ngrit ansjë pretendim kushtetues”, deklaroi Zaimi.

Avokati Visha replikoi me Zaimin. “Zotëria duket se nuk e ka haberin për atë që është shkruar. Ai nuk e njeh fushën që kërkon njohje të thellë, jo vetëm të gjyqtarit, por dhe të redaktorit të gjyqtarit”, deklaroi Visha, por kryesuesja Albana Shtylla i kërkoi që të ishte më i kujdesshëm në mënyrën e komunikimit dhe ti drejtohej gjykatës e jo palës.

Visha e cilësoi të sinkornizuar mediatizimin e çështjes me verifikimet e ILD-së, si dhe me procesin penal ndaj saj. Ai e quajti dhe si një sulm politik procedimin disiplinor të së mbrojturës prej tij dhe të pabazuar në aspektin procedural e institucional.

Avokati Visha solli në vëmendje denoncimin e kryer nga Drejtori i Burgjeve në ILD. “Është ironike pasi denoncuesi është vetë kontributor tek lirimi me kusht”, theksoi Visha dhe konstatoi se ndaj tij nuk ka asnjë qëndrim, ndërsa ndaj gjyqtares Hoxha është marrë masë shkarkuese.

Këtë situatë ai e cilësoi si provë për subjektivizmin që ka egzistuar në goditjen e Hoxhës. Ai shtoi se ILD ishte sjellë me arrogancë në mospranimin e kërkesës për marrveshje lidhur me ato që ai i cilëson shkelje jo të rënda, për shkak të pakujdesisë, të kyera nga subjekti. “Kërkesa për marrëveshje është një mundësi që i jepet ILD-së që të mos jetë si ‘armik’, por si korrigjues”, argumentoi Visha.

Përfaqësuesja e ILD-së, këmbënguli se ankueses i ishte foruar një proces i rregullt ligjor, si gjatë hetimit disiplinor, ashtu edhe gjatë procesit dhe vendimarrjes në KLGJ. Koka sqaroi se kërkesa për marrëveshje ishe paraqitur në një seancë në KLGJ kur ishte kryer hetimi dhe se nuk ishte dorëzuar asnjëherë kërkesë zyrtare me shkrim.

Në vijim Visha e konsideroi masën e shkarkimit të pabazuar në ligj, pasi sipas tij, normat ligjore për shkeljet disiplinore të magjistratëve ishin shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese në periudhën kur janë dhënë vendimet nga Hoxha.

Ai vërejti se në rastin e lirimit të Ilir Pajës, KLGJ nuk kishte gjetur probleme, pasi vendimi i Hoxhës është lënë në fuqi nga apeli. “ILD nga dy çështje në një dështon. A mundet që një gjyqtar të shkarkohet vetëm për një kazus që nuk është ankimuar e vlerësuar nga një gjykatë më e lartë”, pohoi Visha.

Përfaqësuesja e ILD-së, e kundërshtoi këtë konstatim. Ajo solli në vëmendje se prej Hoxhës ishin marrë 6 vendime në rastin e lirimit të Billës.

Visha vijoi duke pretenduar se vrasja e të ndjerit Billa ishte interpretuar mediatikisht bazuar në lirimin e tij nga gjyqtarja Hoxha. “Kjo është ironike. Nëse ai do të kishte vrarë po. Ai është viktimë dhe shteti nuk i garantoi jetën”, argumentoi Visha.

Përfaqësuesi i KLGJ-së, Qemal Zaimi u ndal gjatë në argumentet ku ishte bazuar vendimarrja për shkarkimin e Hoxhës. Ai theksoi se Hoxha ka shkelur rëndë kërkesat e ligjit “Për të drejtat e të dënuarve”, pasi kishte kryer ulje të dënimit në masë disa herë më të madhe nga sa lejohej sipas përcaktimeve ligjore.

Sipas tij, për uljet gjyqtarja i ka dhënë fuqi ligjit shqiptar, kur duhej të parashikohej ai i vendit të huaj që kishte dhënë dënimin. Zaimi vërejti se Hoxha kishte marrë vendim pa administruar në dosje dokumentacionin për karakteristikat e sjelljes së të dënuarit Billa.

Në vijim Zaimi evidentoi faktin se Hoxha kishte përllogaritur si kohë paraburgimi edhe periudhën e burgimit pas dënimit të tij me vendim të formës së prerë nga drejtësia britanike. Zaimi theksoi se kjo përllogaritje ishte bërë megjithëse ishte njohur me llogaritjen e prokurorisë që ishte e ndryshme.

“Kjo shkelje disiplinore është pranuar edhe nga magjistratja, por ajo pretendon se nuk është e rëndë dhe ka kryer kërkesë për marrëveshje”, pohoi Zaimi.

Sipas tij, Hoxha ka gabuar edhe në vendimarrjen për uljen e dënimit sipas amnistisë. Zaimi theksoi se legjislacioni për amistinë ndalon që të përfitojnë të dënuarit për vrasje dhe shtoi se subjekti e ka pranuar dhe këtë shkelje duke kërkuar marrëveshje.

Tjetër problematikë që KLGJ parashtroi si shkelje ishte edhe mosarsyetimi i vendimeve që mundësuan lirimin e Billës. Zaimi sqaroi se është detyruese që vendimet e gjykatës të jenë të arsyetuara. Sipas tij, Hoxha nuk ka zbatuar edhe vendimet e gjykatave më të larta.

“Gjyqtarja deklaron se ka 17 vjet punë dhe nuk kupton të ndajë periudhën e paraburgimit nga ajo e burgimit”, deklaroi Zaimi.

Lidhur me pretendimin për procedimin disiplinor bazuar në norma ligjore të shfuqizuara, Zaimi deklaroi se çështja e Hoxhës ishte zgjidhur bazuar në nenin 140 të Kushtetutës ku parashikohen rastet e shkarkimit të gjyqtarit. Ai i cilësoi të rënda shkeljet e konstatuara në gjykimet e Hoxhës që kanë çuar në lrimin e Billës dhe kërkoi rrëzimin e ankimit të saj. Qëndrime dhe argumente thuajse të njëjta paraqiti edhe përfaqësuesja e ILD-së, Isida Koka.

Avokati Visha kërkoi të komentonte lidhur me parashtrimet për bazën ligjore të procedimit. Ai vërejti se në raportin e ILD-së përmendej 15 herë norma ligjore e shfuqizuar, si bazë për hetimin disiplinor.

Koka sqaroi se nuk e kishin mohuar faktin e shfuqizimit të normave ligjore lidhur me shkeljet disiplinore të magjistratëve, por ajo shtoi se nuk kishin ndalesë për t’iu referuar Kushtetutës. Visha replikoi sërish duke theksuar se Kushtetuta të çon tek ligji dhe në mënyrë të përsëritur Shtylla u tërhoqi vëmendje palëve që të artikulonin duke respektuar solemnitetin e seancës.

Përfaqësuesja e ILD-së u pyet edhe nga anëtarja e KPA-së, gjyqtarja Natasha Mulaj lidhur me shkeljet e konstatuara në këtë çështje që i kanë konsideruar si të rënda bazuar në nenin 140 të Kushtetutës. Koka u përgjigj se janë argumentuar në parashtrime shkeljet e rënda sipas ligjit procedural dhe atij material. Ajo theksoi se shkeljet janë të përsëritura.

Koka theksoi se magjistrati ka për detyrë të forcojë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Ajo shtoi se shkeljet e kryera nga Hoxha disktretitojnë figurën e magjistratit.

Avokati Visha kundështoi duke pretenduar se nuk kishte pasur dëmtim të imazhit tek ndërkomëtarët lidhur me lirimin e Billës, duke argumentuar se nuk ka asnjë koment të shkruar. Ai theksoi se jehona mediatike nuk kishte lidhje, pasi i dënuari i liruar nuk kishte kryer vepër penale.

Lidhur me atë që u quajt jehona mediatike e ngjarjes mbajti qëndrim edhe përfaqësuesi i KLGJ-së. Sipas tij, jeohna mediatike ka ndikim në perceptimin e publikut tek drejtësia. Të njëjtin mendim shprehu dhe Koka lidhur me perceptimin e publikut. Për dëmtimin e imazhit tek ndërkombëtarët, ajo shtoi se në këto marrveshje parashikohet parimi i reciprocitetit. Sipas saj, nëse i dënuari i transferuar lirohet para kohe, atëherë dëmtohet parimi i reciprocitetit. Por Visha e kundërshtoi sërish Kokën, duke pretenduar se nuk egzistonte ky parim në marrëveshje.

Në përfundim të seancës, KPA vendosi të administrojë fashikujt e KLGJ-së lidhur me procedimin disiplinor të Hoxhës, si dhe aktet e dorëzuara nga kjo e fundit. Po ashtu, u mbyll hetimi gjyqësor dhe seanca për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare u shty për më datë 10 maj, në orën 09:00.

Pikëpyetjet mbi fillimin e verifikimeve

Pasi palët kishin paraqitur parashtrimet lidhur me objektin e çështjes, dhe ishin duke u paraqitur komente e kryer pyetje, anëtarja e trupit gjykues të KPA-së, Natasha Mulaj i drejtoi dy pyetje përfaqësueses së ILD-së, Isida Koka, njëra prej të cilave kishte të bënte me mënyrën e fillimit të verifikimeve. Pasi vërejti se seanca ishte publike dhe kërkoi ndjesë ndaj familjarëve të Hekuran Billës për përmendjen e emrit të tij, gjyqtarja Natasha Mulaj pyeti përfaqësuesen e ILD-së për mënyrën se si fillohej hetimi për shkeljet e magjistratëve.

“Nëse i ndjeri Billa do të ishte gjallë, do të ishte kryer procedimi? Përse nuk e kryet më parë? Do duhej të ishte filluar verifikimi me iniciativë, apo duhet të presim të vdesi një person?”, pyeti Mulaj.

Përfaqësuesja e ILD-së sqaroi se ILD kishte filluar të funksiononte në shkurt të vitit 2020 dhe se verifikimi për këtë rast kishte nisur me iniciativë, pas publikimit në media. Ajo u shpreh se sipas ligjit për faktet që janë publike fillon procedimi. “Në muajin qershor, bazuar në informacinet e publikuara në media filloi verifikimi”, sqaroi Koka dhe shtoi se më vonë, pasi ishin konstatuar shkeljet ishte konkluduar për fillimin e hetimit disiplinor.

Koka deklaroi se veprohet në të njëjtën mënyrë edhe në rastet e ankesave të dorëzuara pranë ILD-së nga qytetarët dhe institucionet publike.

Në faqen zyrtare online të ILD-së, sqarohet se veprimtaria e këtij institucioni bazohet edhe në të dhëna të siguara në kuadrin e inspektimeve institucionale e tematike mbi çdo aspekt të punës së gjykatave, administratës gjyqësore, zyrave të prokurorive dhe administratës së prokurorisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *