Gjyqtares Brati i rrëzohen katër kërkesa nga KPA
Lajme

Gjyqtares Brati i rrëzohen katër kërkesa nga KPA

Në përpjekje për të marrë “garanci procedurale”, gjyqtarja Alma Brati dhe avokati i saj bënë kërkesa të njëpasnjëshme para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit gjatë një seance maratonë të hënën pasdite ndërsa Kolegji vijoi procesin dhe përcaktoi datën për pretendimet përfundimtare më 2 korrik.

Gjyqtarja Alma Brati, gjatë nje seance dëgjimore në Kolegjin e Apelimit | Foto nga : LSA

Seanca gjyqësore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit të subjektit të rivlerësimit Alma Brati filloi rreth orës 15.30 këtë të hënë, por pas një debati disaminutësh në lidhje me refuzimin e një kërkese për vendim të ndërmjetëm të bërë seancën e kaluar, seanca u detyrua të ndërpritej për shkak se trupës gjykuese iu desh të tërhiqej për të shqyrtuar një kërkesë të re procedurale.

Brati, e cila arriti të kalojë vetingun në shkallën e parë për shkak se pasuria e saj u konsiderua “me pasaktësi që nuk përbënin indicie për dyshime”, përballet në kolegjin e apelimit me kërkesën e Institucionit të Komisionerit Publik, i cili beson se disa pjesë të rëndësishme të pasurisë së Bratit janë të pambuluara me të ardhura të ligjshme dhe për rrjedhojë, kërkon shkarkimin e saj nga detyra.

Në seancën e kaluar, Brati pati kërkuar që gjykata fillimisht të shprehej për mjaftueshmërinë e provave të dorëzuar prej saj me arsyetimin se nëse këto prova nuk do të konsideroheshin të mjaftueshme, ajo të kishte të drejtën të paraqiste prova shtesë. Gjykata e refuzoi këtë kërkesë në fillim të seancës dhe kryesuesja Natasha Mulaj shpalli se provat do të shqyrtoheshin gjatë vendimmarrjes finale.

E pakënaqur me vendimin, Brati dhe avokati i saj bënë menjëherë një kërkesë tjetër. Thelbi i kërkesës ishte që nga analiza financiare e rikryer nga ana e Komisionerit publikë, të mund të hiqeshin ato elementë që sipas avokatit “kishin shkuar përtej objektit të apelimit” duke përfshirë të dhëna që “kanë rënë në dekadencë”.

Brati përballet me pikëpyetje mbi burimin e një huaje nga një e afërme e gjyqtares në masën 25 mijë euro, e cila i ka shërbyer për blerjen e një apartamenti, hua të cilën rezulton se e ka shlyer pjesërisht me një dhuratë në masën 1.8 milionë lekë nga prindi. Komisioneri publik argumenton se huadhënësi nuk vërtetohet të disponojë mjete monetare për huanë 25 mijë euroshe ndërsa prindi nuk vërtetohet të ketë pasur burime të ligjshme për dhuratën 1.8 milionë lekë. Avokati i Bratit argumentoi se llogaria financiare duhet të përfshijë vetëm këto të dhëna dhe jo të dhënat e tjera.

Trupa gjykuese u përpoq të vijonte me procesin e paraqitjes së argumenteve dhe kundërargumenteve, por Brati këmbënguli që gjykata të merrte fillimisht vendim për kërkesën e bërë. Në orën 16, trupa gjykuese njoftoi se tërhiqej për të shqyrtuar kërkesën. Rreth tridhjetë minuta më vonë, gjykata shpalli refuzimin e kërkesës dhe Mulaj tentoi të vijonte edhe një herë procesin. Por pas një debati të shkurtër disaminutësh, avokati i Bratit paraqiti një kërkesë të re. Ai kërkoi që gjykimi të pezullohej “deri në pritje të një vendimi nga gjykata administrative për vërtetim fakti”. Sipas tij, Brati i është drejtuar gjykatës për të vërtetuar faktin e ekzistencës së të ardhurave të babait për një periudhë të jetës kur ka qenë avokat, për të cilat, Brati ankohet se administrata shqiptare nuk disponon dokumentacion. Gjykata u detyrua të tërhiqet edhe një herë dhe rreth 20 minuta më vonë, njoftoi rrëzimin e kësaj kërkese. Sipas trupës gjykuese, vendimi i vërtetimit të faktit nuk pritet të ketë pasoja në procesin e gjykimit.

Refuzuar për herë të tretë, Brati nxorri menjëherë një kërkesë të re. Avokati i saj shpalli se trupa gjykuese kishte treguar anësi të theksuar dhe kishte paragjykuar rezultatin e procesit me vendimmarrjet e ndërmjetme dhe për këtë arsye, ai kërkonte ndryshimin e trupit gjykues. Por ai kërkoi gjithashtu edhe tre ditë kohë për të përgatitur kërkesën për ndryshimin e trupit gjykues.

Gjykata u tërhoq edhe një herë për të shqyrtuar kërkesën. Në orën 18.00, Mulaj shpalli se trupa gjykuese e konsideronte të kryer kërkesën për ndryshimin e trupit gjykues dhe se kjo kërkesë do të duhej të shqyrtohej nga një trup tjetër gjykuese, por ndërkohë seanca duhej të vijonte dhe Brati duhej të paraqiste prapësimet ndaj pretendimeve të Komisionerit publik.

Vetëm pas kësaj, avokati i Bratit vijoi me leximin e kundërargumenteve ndaj analizës financiare të kryer nga Komisioneri Publik. Sipas tij, Gjykata duhet të marrë parasysh se prindërit e Bratit kanë punuar edhe gjatë kohës së komunizmit, se i ati ka qenë hetues dhe oficer ushtarak dhe se të ardhurat e tij do të duhet të llogariten si burim i dhuratës 1.8 milionë lekë pavarësisht se nuk disponohen dokumentacione zyrtare. Duke llogaritur të ardhura dhe kursime që nga vitet ’60 të shekullit të kaluar, për shembull, pagën e të atit si prokuror në qytete të ndryshme të Shqipërisë, si dhe duke refuzuar si të pasaktë llogaritjen e kostos së jetesës së subjektit sipas shpenzimeve mesatare mujore të matura nga Instituti i Statistikave, avokati i Bratit doli në konkluzionin se prindërit e subjektit i kishin burimet e ligjshme për dhuratën dhe Brati i kishte burimet e ligjshme për blerjen e një apartamenti dhe një makine “Mazda” me vlerë 15 900 euro. Sipas avokatit të saj, Brati ka jetuar me shpenzime prej 10 mijë lekësh në muaj për frymë dhe rrjedhimisht ka pasur mundësi të kursejë.

Në analizën financiare të Bratit përfshihet edhe e ardhura e saj nga ish-bashkëshorti në formën e kontributit ushqimor për fëmijët. Komisioneri Publik ka kërkuar që subjekti të ngarkohet me barrën e provës për këto të ardhura, d.m.th., që ish-bashkëshorti të ketë dokumente justifikuese për paratë e dhëna në formën e pensionit ushqimor. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pati vendosur që në kuptim të procesit të rivlerësimit, pensioni ushqimor nuk duhet të konsiderohet si e ardhur që duhet të justifikohet me dokumente dhe Kolegji i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur më parë të mos i kalojë barrën e provës subjektit për këto të ardhura.

KPA përcaktoi datën e prezantimit të pretendimeve përfundimtare më 2 korrik ora 13.30, duke e çuar procesin drejt fundit. Procesi i Bratit në apel nisi dhjetorin e kaluar.

Zonja Brati ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë pasi është diplomuar në vitin 1992. Ajo ka punuar gjyqtare në Shkodër deri në vitin 2001, kur ka dhënë dorëheqjen me dëshirë të saj ndërsa në vitin 2007 është emëruar Inspektore në Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ajo ka punuar gjyqtare në Durrës dhe Tiranë që nga viti 2010.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *