Anëtarët e KPA, Mimoza Tasi, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Sokol Çomo dhe Rezarta Schuetz. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.
KPA Lajme

Gjyqtari Bib Ndreca paraqet në KPA argumentet kundër shkarkimit të tij

Gjyqtari Bib Ndreca i Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, paraqiti të martën më 14 maj në seancë publike në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pretendimet kundër vendimarrjes së Komisionit për shkarkimin e tij, duke kërkuar konfirmimin në detyrë. Ndreca u mbrojt në seancë nga avokatja Romina Zano.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 18 janar 2021 të shkarkojë nga detyra gjyqtarin Ndreca, pasi u konstatuan probleme në kontratën për kalimin e të drejtave për një apartament në Tiranë. Po ashtu, u konstatua bilanc negativ në kryerjen e këtij investimi me argumentin se nuk u provua mundësia e vëllait të subjektit për dhënien e një huaje të deklaruar si burim për banesën.

Në fillim të seancës, kryesuesi i trupit gjykues, Sokol Çomo sqaroi se, pas shqyrtimit të ankimit të subjektit të rivlerësimit në dhomë këshillimi, u vendos kalimi i çështjes për shqyrtim në seancë publike, për të konkluduar lidhur me ligjshmërinë e burimit të huasë 5.5 milionë lekë të marrë nga subjekti prej të vëllait, për pagesën e çmimit të apartamentit të blerë në 2012-ën.

Avokatja Zano paraqiti në fillim qëndrimin e subjektit lidhur me konstatimin e KPK se subjekti ka vepruar në kundërshtim me rregullat e etikës, pasi me veprime aktive ka marrë pjesë në nënshkrimin e kontratës për blerjen e të drejtave për apartamentin ku jeton, në mungesë të palës tjetër.

Sipas Zanos, me dokumentet e administruara provohet se pala tjetër ka qenë në Shqipëri dhe para noterit në momentin e nënshkrimit të kontratës. Ajo u shpreh se sistemi TIMS ka pasur pasaktësi në të dhënat e palës shitëse.

Në vijim, ajo u ndal në parashtrimin e pretendimeve për burimet e vëllait të subjektit për ndhënien e huasë që ka shërbyer për pagesnë e një pjese të çmimit të apartamentit. Zano e cilësoi të padrejtë konstatimin e KPK se subjekti kishte ndryshuar deklarime për burimin, pasi gjatë shpjegimeve kishte sqaruar se burim përbënte dhe vlera e dividentit të shoqërisë së të vëllait. Sipas saj, subjekti kishte deklaruar se huanë ia kishte dhënë vëllai dhe se kjo ishte dokumentuar me akt të kohës.

Ajo arugmentoi se të ardhurat e vëllait të subjektit rridhnin pikërisht nga gjendja në arkë e shoqërisë 5.8 milionë lekë dhe dividenti, e për rrjedhojë nuk mund të kishte ndryshim të deklarimit të burimit. Zano dhe gjyqtari Ndreca këmbëngulën se vëllai i këtij të fundit kishte pasur mundësi financiare për dhënien e huasë 5.5 milionë lekë në vitin 2012.

Po ashtu, ata sollën në vëmendje të Kolegjit se 3.7 milionë lekë të huasë ishin shlyer brenda muajit, që në momentin e marrjes së një kredie nga subjekti. Zano nënvizoi se të gjitha pagesat për shlyerjen e kredisë ishin kryer nëpërmjet sistemit bankar.

Lidhur me konstatimin e KPK për mosdeklarimin e një shume 65 mijë USD, që bashkëjetuesja e vëllait të subjektit e kishte kaluar në financiat e shoqërisë së tij, Zano shjegoi se ajo vlerë nuk ishte deklaruar ndonjëherë si burim. Ajo sqaroi se vlera i ishte dhënë bashkëjetueses së vëllait të Ndrecës nga familja e saj e origjinës.

Pasi Kolegji vendosi të administrojë si prova 12 akte të dorëzuara nga gjyqtari Bib Ndreca, ky i fundit kërkoi vendimarrje të drejtë dhe objektive. Në përfundim Ndreca kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe konfirmimin e tij në detyrë.

KPA vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 22 maj, në orën 15:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *