Ish-kryetari i Gjykatës së Kukësit, Isuf Shehu pas seancës dëgjimore të KPK-së. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Në Fokus

Gjyqtari Isuf Shehu vuan të justifikojë koston e ndërtimit të shtëpisë

Pretendimet e kryetarit të Gjykatës së Kukësit, Isuf Shehu për pasurinë e tij nuk e bindin KPK-në – as në seancën e dytë dëgjimore.

Kryetari i Gjykatës së Kukësit, Isuf Shehu pas seancës dëgjimore të KPK-së. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimi mbajti të martën seancën e dytë dëgjimore ndaj kreut të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, Isuf Shehu. Komisioni i Pavarur i Kualifikimi rrëzoi të martën kërkesën e subjektit për përjashtimin e trupit gjykues dhe vazhdoi procesin e rivlerësimit vetëm për kriterin e kontrollit të pasurisë.

Kërkesa e kryetarit të Gjykatës së Kukësit, Isuf Shehu, për përjashtimin e trupës gjykuese të KPK të përbërë nga Suela Zhegu kryesuese, Brunilda Bekteshi relatore dhe Xhensila Pine anëtare, nuk solli ndonjë ndryshim thelbësor në qëndrimin e Komisionit për rivlerësimin e tij.

Suela Zhegu, kryesuesja e trupës gjykuese të KPK që po kryen rivlerësimin e subjektit, njoftoi  gjatë vazhdimit të seancës dëgjimore për këtë subjekt, se kërkesa e tij për përjashtimin e trupës ishte rrëzuar. Ndërkohë, ajo i dha fjalën gjyqtarit Shehu dhe avokates së tij mbrojtëse, Lirime Çukaj që të jepnin shpjegimet e tyre lidhur me gjetjet e Komisionit.

Në seancën e mëparshme të mbajtur ditën e premte, u bë e ditur se ILDKPKI kishte dalë në përfundimin se kreu i Gjykatës së Kukësit kishte kryer deklarim të pasaktë, nuk kishte burime të ligjshme si dhe kishte kryer fshehje pasurie dhe deklarim të rremë lidhur me pronën e vetme të deklaruar-një shtëpi banimi në Kukës me sipërfaqe 299.5 m2.

KPK konstatoi mospërputhje mes vlerës së deklaruar prej 2.2 milionë lekësh dhe vlerës prej 3.7 milionë lekësh të pasqyruar nga një akt ekspertimi i dorëzuar nga vetë subjekti. Sipas Komisionit, këto vlera ishin disa herë më të vogla se përllogaritjet e ALUIZNI-t në shumën 10 milionë lekë dhe Entit Kombëtar të Banesave në vlerën 9 milionë lekë.

Analiza financiare për ndërtimin e vilës e nxori gjyqtarin Shehu në pamundësi financiare prej 5.2 milionë lekësh. Përveç problemeve me ndërtimin e vilës, Komisioni gjeti pamundësi financiare për blerjen e një automjeti në vitin 2003 si dhe një automjeti të dytë në vitin 2011.

Gjatë seancës të së martës, Avokatja Çukaj kërkoi sërish riçelje të hetimit për kriterin e profesionalizimit dhe pastërtisë së figurës, si edhe marrjen e disa provave.

Përfaqësuesja ligjore e Shehut i kërkoi Komisionit të administronte kartelën e pasurisë së banesës në Kukës dhe lejen e legalizimit. Ajo shpjegoi se aty pasqyroheshin sipërfaqja e gjithë e ndërtimit, ajo e banimit dhe ajo funksionale.

Çukaj deklaroi se sipërfaqja totale e banesës është 348 m2 nga të cilat janë të banueshme 246 m2 dhe 102 m2 janë ballkonet.

“Mendojmë se kostoja e ndërtimit për sipërfaqen e banimit është me e madhe nga ajo funksionale”, theksoi avokatja Çukaj duke kërkuar të administroheshin si prova këto dokumente. Gjithashtu, ajo kërkoi edhe caktimin e ekspertëve.

Trupa gjykuese u tërhoq dhe vendosi të administrojnë si prova dokumentacionin e paraqitur nga Shehu lidhur me sipërfaqen e ndërtesës, ndërsa për ekspertin sqaruan se trupa ishte shprehur më parë për këtë kërkesë.

Avokatja Çukaj kundërshtoi më pas gjithë konstatimet e Komisionit dhe ILDKPKI për deklarime të pasakta, deklarime të rreme, fshehje të pasurisë dhe mungesë të burimeve të ligjshme për ndërtimin e një banese në qytetin e Kukësit.

“Për 15 vite ILDKPKI nuk ka kryer konstatim të deklarimeve të pasakta, të rreme apo të pamjaftueshme. Me këtë qëndrim ILDKPKI ka kryer shpërdorim detyre pasi nuk ka kryer kallëzim penal. Nuk mund të sjellë pasoja sot”, theksoi avokatja Çukaj.  “Nuk ka fshehje pasurie. Ato janë deklaruar. Ai ka vetëm një shtëpi dhe një makinë. Nuk ka rezultuar të ketë tjetër pronë”, vazhdoi ajo.

Avokatja Çukaj shpjegoi se është e njëjta sipërfaqe ndërtimi që prej lejes së vitit 1996, asaj të vitit 2000 dhe sipërfaqes së legalizuar. Sipas avokates, gjyqtari Shehu nuk ka kryer fshehje të shtëpisë pasi e ka pasqyruar atë periodikisht dhe në deklaratën veting. Ndërsa lidhur me deklarimin e shumës rreth 2.1 milionë lekë të preventivit si vlerë të shtëpisë, ajo sqaroi se kjo gjë ka ndodhur pasi banesa është ende e pavlerësuar.

“Nuk ka deklarim të rremë për aq kohë sa edhe në certifikatën e pronësisë nuk ka një vlerë. KPK merr për bazë vlerën e ALUIZNI-t bazuar në kostot e vitit 2012”, pohoi Çukaj.

Ajo shtoi se vlera është përcaktuar bazuar në të dhënat e vitit 2012, pasi qëllimi i ligjit ka qenë që të mbledhë taksat duke mos u bazuar në vlerën reale. Çukaj këmbënguli se vlera të vetme të provuara janë ajo e preventivit dhe ajo e ekspertit 3.7 milionë lekë.

“Ju jeni vetë kontradiktor pasi edhe pranoni se subjekti i ka përfunduar punimet në vitin 2005 dhe vetë pranoni vlerën duke e përllogaritur me kostot e vitit 2012. Edhe ALUIZNI duhej ti kishte kryer përllogaritjet me vlerën e vitit 2005”, iu drejtua Çukaj trupës gjykuese duke shtuar se duhej që Komisioni ta kishte llogaritur vetë vlerën.

Ndërsa lidhur me mosdeklarimin e likuiditeteve, Çukaj tha se kursimet janë investuar vazhdimisht në banesë prandaj nuk janë pasqyruar. Më pas, ajo u ndal tek nisja e punimeve duke pohuar se sipas deklaratave të disa personave që kishin dijeni, të dorëzuara pranë Komisionit, ndërtimi i banesës së gjyqtarit Shehu kishte nisur në vitin 1998.

“KPK e quan të përfunduar në vitin 2005 shtëpinë duke u bazuar në kërkesën për legalizim, por ka pasur edhe punime të tjera në vitet në vazhdim”, pohoi avokatja Çukaj.

Ajo tha se sipas ekspertit kontabël të pajtuar nga Shehu, nuk rezulton që subjekti të ketë bilanc negativ në asnjë vit dhe se ka patur të ardhura për të mbuluar çdo shpenzim. Ajo pretendoi se të ardhurat e familjes së gjyqtarit Shehu ishin 21 milionë lekë, shpenzimet 10 milionë lekë dhe se pasuria vlente 4 milionë lekë.

Avokatja e Shehut kundërshtoi edhe konstatimin e KPK për deklarim të rremë lidhur me blerjen e një autoveture tip Benz. Sipas saj, ai ka pasur rreth 3.1 milionë lekë të ardhura gjatë atij viti, ndërkohë që makinën e ka blerë në vlerën 500 mijë lekë dhe ka paguar shumën 260 mijë lekë për doganën. “Çmimi ka qenë i dakortësuar me shitësin për shkak të defekteve. Ai ka deklaruar çfarë ka qenë e pasqyruar në kontratë”, pohoi Çukaj. Ajo shtoi se pasqyrimi i vlerës 1200 euro për një autoveturë tip Audi kishte qenë thjesht gabim material.

“Subjekti ka arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe kërkojmë që Komisioni të riçelë hetimin”, përfundoi avokatja Çukaj.

Më pas edhe gjyqtari Isuf Shehu përsëriti në mënyrë të përmbledhur të njëjtat pretendime me avokaten e tij. Mes të tjerave ai shtoi se vlera 3.7 milionë lekë e konkluduar nga eksperti i zgjedhur nga vetë ai nuk ishte e saktë dhe se prandaj i kërkonte KPK-së caktimin e një grupi të pavarur ekspertësh për vlerësimin e banesës së tij. Por pas pyetjeve të trupës nëse vërtetë e vlerësonte jo të saktë vlerën e përcaktuar nga eksperti i pajtuar prej tij, Shehu u tërhoq nga qëndrimi i mëparshëm.

Në fund të seancës, relatorja Bekteshi e pyeti gjyqtarin Shehu se si e kishte përfituar truallin ku kishte ndërtuar shtëpinë dhe nëse kishte dokumentacion provues për këtë gjë. Shehu pohoi se kishte qenë i pastrehë dhe gjithçka e kishte përfituar sipas ligjeve të kohës.

Duke ju referuar shpjegimeve se ndërtimi i banesës kishte vazhduar deri në vitin 2010, kohë pas aplikimit për legalizim, anëtarja e trupës gjykuese, Xhensila Pine e pyeti nëse ndërtimi pas vitit 2006 përbënte vepër penale. Avokatja Çukaj tha se ligji kishte pësuar ndryshime dhe se kishte pasur amnisti për situata të tilla.

Më pas, trupa gjykuese evidentoi mospërputhje në deklarimet e Shehut. Bekteshi tha se deri në deklarimin  e vitit 2004, banesa ishte pasqyruar si e papërfunduar, ndërsa nga viti 2005 deri në vitin 2010 – kur Shehu pretendon se ka kryer punime të tjera, nuk ka shënuar të njëjtën gjë.

“Ju thoni se s’keni pasur mundësi financiare dhe keni marrë kredi. Sot thoni se keni pasur gjendje cash dhe nuk e keni deklaruar”, pohoi Bekteshi. Shehu tha se këto gjendje cash ishin shpenzimet e kryera herë pas here për ndërtimin e shtëpisë.

Në fund, avokatja Lirime Çukaj rikërkoi vazhdimin e hetimeve për dy kriteret e tjera. KPK do të shpallë vendimint më datë 14 nëntor, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *