Prokurori Julian Çafka pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

KPA njihet me qëndrimet e palëve për hetimet e prokurorit Juljan Çafka

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të premten më 23 shkurt me qëndrimet e Komisionerit Publik, Florian Ballhysa dhe të prokurorit Juljan Çafka lidhur me ecurinë e hetimeve të kryera nga ky i fundit për disa çështje penale. Kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Ina Rama renditi në fillim të seancës aktet e mbërritura nga prokuroria e Gjirokastrës dhe u kërkoi palëve të paraqesnin qëndrimet e tyre.

Prokurori Juljan Çafka u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 14 shtator 2021 pasi disa çështje të denoncuara nga publiku, ku janë konstatuar mangësi në hetimet e kryera, si dhe dyshimet e ngritura nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar nuk u gjetën penalizuese. Ndërkohë, KPK vendosi të transferojë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dy çështje të hetuara prej prokurorit Çafka në vitet 2018 dhe 2019.

Bazuar në një denoncim ku ngrihen pretendime mbi profesionalizmin e prokurorit Çafka, Komisioneri Publik Florian Ballhysa ushtroi ankim ndaj vendimit të KPK për konfirmimin e tij në detyrë.

Edhe gjatë procesit në Kolegj, ndaj këtij subjekti rivlerësimi u depozituan të tjera denoncime, për shqyrtimin e të cilave u vendos nga Kolegji që të administrohen dosjet e çështjeve penale të hetuara prej tij.

Komisioneri Ballhysa parashtroi qëndrimin e tij të detajuar për disa çështje të hetuara nga subjekti dhe kërkoi që Kolegji të vlerësonte shkaqet e kohëzgjatjes së hetimeve. Po ashtu, Ballhysa evidentoi disa raste të rrëzimit nga gjykata të kërkesave të prokurorit Çafka për pushim të hetimeve.

Prokurori Çafka deklaroi në seanca se ngarkesa e punës si pasojë e largimit të kolegëve gjatë viteve të fundit e kishte bërë të pamundur që të vijoheshin hetimet brenda një kohe objektive. Ai shtoi se vonesat kishin ardhur edhe si pasojë e karantinës gjatë pandemisë Covid 19 dhe nga lëvizjet e shpeshta të prokurorëve. Çafka këmbënguli se nuk kishte neglizhuar detyrën, por se gjithçka kishte ardhur si pasojë e ngarkesës. “Për ndonjë mangësi duhet konsideruar mungesa e kohës fiktive”, pohoi subjekti dhe paraqiti si provë dokumentacion lidhur me strukturën organike të prokurorisë në atë periudhë.

Në vijim, relatorja e çështjes, gjyqtarja Natasha Mulaj vërejti se Komisioneri Publik nuk kishte mbajtur qëndrim për një çështje, por Ballhysa u shpreh se nuk dinte të kishte lënë ndonjë gjë pa trajtuar dhe theksoi se u qëndronte të gjitha qëndrimeve. Për këtë konstatim, ai tha se priste pyetje me shkrim nga Kolegji.

Qëndrimin e subjektit, Mulaj e cilësoi të përgjithshëm e të paqartë. Ajo tha se do kishte qenë më mirë që Çafka të kishte mbajtur qëndrim për çdo çështje. Subjekti deklaroi se e kishte pasur të pamundur të paraqiste qëndrimin e tij me shkrim përderisa nuk ishte njohur me qëndrimin e Komisionerit Publik. Ai kërkoi t’i jepej mundësia për të dorëzuar prova lidhur me një prej denoncimeve.

Në përfundim, Kolegji u kërkoi palëve të përgatisin konkluzionet përfundimtare dhe bazuar në kërkesën e subjektit për dorëzimin e provave të reja, e shtuy seancën për më datë 4 mars, në orën 10:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *